Cerca

Vatican News
2018.09.14 Capitolo Generale Ordine Frati Minori Cappuccini 2018.09.14 Capitolo Generale Ordine Frati Minori Cappuccini  (Vatican Media)

Takimi i Papës me një grup Fretërish Kapuçinë. Gëzimi është fortesa juaj

Papa foli, para së gjithash, për thirrjen e Zotit, duke kujtuar se Ai thërret në mënyra të ndryshme dhe me modalitete të ndryshme. Dhe këtë e bën duke na ftuar të konvertohemi në çdo kohë, sepse kthimi te Zoti, tha Papa, është një përcaktim i fortë, një vendim që e nxit rregulltarin dhe njeriun e përkushtuar për të ecur përpara në rrugën e jetës.

R.SH. - Vatikan

"Gëzimi është fortesa juaj”. Kjo është ftesë dhe, në të njëjtën kohë, një program jete, që Papa Françesku ia besoi 73 françeskanëve minorë Kapuçinë të krahinës italiane Marche, me të cilët u takua sot paradite, 10 tetor, në sallën e vogël pranë Sallës Pali VI, në Vatikan. Një bisedë e përzemërt, karakterizuar nga vëllazërimi dhe thjeshtësia, gjatë së cilës Papës iu shtruan disa pyetje.

Thirrja e Zotit ushqehet çdo ditë

E Papa foli, para së gjithash, për thirrjen e Zotit, duke kujtuar se Ai thërret në mënyra të ndryshme dhe me modalitete të ndryshme. Dhe këtë e bën duke na ftuar të konvertohemi në çdo ditë e në çdo kohë, sepse  kthimi te Zoti, tha Papa Bergoglio, është një përcaktim i fortë, është një vendim që e nxit rregulltarin dhe njeriun e përkushtuar të eci gjithmonë përpara në rrugën e jetës. Një nga rreziqet që mund të ndeshën gjatë jetës rregulltare e jetës shpirtërore, nëse nuk e lejojmë veten të përshkohemi nga Hiri i Tënzot dhe të vihemi në pyetje nga Zoti, është "plogështia religjioze", nga e cila vjen pakënaqësia.

Rregulltarët, personat e përkushtuar bëhen kështu "koleksionistë të padrejtësive", sipas qëndrimit tipik të atyre që ndjehen gjithmonë viktima dhe kështu bien në një ankesë të vazhdueshme. Shën Tereza e Jezusit, u tha Papa Françeskanëve Kapuçinë, në lidhje me këtë, u kujtonte murgeshave të veta se duhej të ruheshin shumë nga tundimi për ta konsideruar veten objekt padrejtësie. Është fjala për "adaxho ankimor", për një qëndrim që shkon ndesh me vetë konvertimin dhe thirrjen e shenjtë rregulltare. Të hysh në një komunitet rregulltarësh do të thotë, pra, të përgatitesh për të kaluar nga konvertimi në konvertim, sepse vetëm kështu shkojmë drejt përvujtërisë.

Falja është përkëdhelje e Zotit

Jini njerëz, që dinë të falin, të pajtojnë, të sjellin paqen. Kështu u porositi Papa Françesku Kapuçinët e nënvizoi: “Kur ndokush harron se ka nevojë për falje, dalëngadalë harron edhe Zotin e, natyrisht, nuk di më as të falë”.

Papa në takim me Françeskanët Kapuçinë nga rajoni italian Marche, duke u frymëzuar nga Shkrimi i Shenjtë foli për dy mënyra sjelljeje; atë të përuljes para madhështisë së Zotit, që pasqyrohet në përvujtërinë e mbretit Salomon, dhe atë të meskinitetit të doktorëve të ligjit, që përkulen thjesht para normave e rregullave: “Tradita juaj, e Kapuçinëve, është traditë e faljes, që jep falje. Ndërmjet jush ka shumë rrëfyes të mirë; janë kështu, sepse e ndjejnë veten mëkatarë”, tha Papa.

10 tetor 2019, 17:43