Cerca

Vatican News

#SinodoAmazonico. Amazona në sytë dhe zemrën e Papës

Papa hap Sinodin e Ipeshkvijve për Amazonën në shenjë të misionaritetit, të një "Kishe gjithmonë në rrugëtim". Thirrje e fortë për dëgjim dhe maturi. Duke i parë vuajtjet e shumë martirëve të këtyre vendeve Papa ripohoi: "Për ata, për të gjithë ata që japin jetën, për ata që e kanë shpenzuar jetën personale për këtë Rajon, me ta, të ecim së bashku".

R.SH. - Vatikan

Papa hap Sinodin e Ipeshkvijve për Amazonën në shenjë të misionaritetit, të një "Kishe gjithmonë në rrugëtim". Thirrje e fortë për dëgjim dhe maturi. Duke i parë vuajtjet e shumë martirëve të këtyre vendeve Papa ripohoi: "Për ata, për të gjithë ata që japin jetën, për ata që e kanë shpenzuar jetën personale për këtë Rajon, me ta, të ecim së bashku".

Papa Françesku, dje gjatё lutjes sё Engjëllit Tёnzot,  kremtuar nё mesditë, nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan, u kërkoi besimtarëve e shtegtarëve nga e gjithë bota t’i luten Zotit për  Sinodin mbi Amazonën. "Vëllezër e motra të dashura”, tha Papa, " posa përfundoi në Bazilikën e Shën Pjetrit kremtimi Eukaristik me të cilin filluam Asamblenë e Jashtëzakonshme tё Sinodit tё Ipeshkvijve pёr Rajonin Panamazonik. Për tre javë Etërit e Sinodit, të mbledhur rreth pasardhësit të Pjetrit, do të reflektojnë mbi misionin e Kishës në Amazonë, mbi ungjillëzimin dhe nxitjen e një ekologjie integrale".

"Ju kërkoj ta shoqëroni këtë ngjarje të rëndësishme kishtare me lutje, në mënyrë që të mund të jetojë në bashkësinë vëllazërore dhe nё bindjen  e Shpirtit Shenjt, i cili gjithmonë na i tregon udhët pёr tё dëshmuar Ungjillin”, nënvizoi Ati i Shenjtё Françesku.

Kisha katolike dëgjon zërin e popullit të Amazonës, rajon ku kriza ekologjike dhe shoqërore, ushqyer nga interesa të mëdha dhe nga pabarazi në rritje, kërcënon jo vetëm të ardhmen e kësaj mushkërie me rëndësi të jashtëzakonshme, shtrirë ndërmjet nëntë vendeve, por edhe fatin e gjithë planetit. Kërkimi i shtigjeve të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme janë objektivi i këtij diskutimi të pasur dhe të çmuar, që do të ketë një hapësirë të privilegjuar në Asamblenë e veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për rajonin panamazonik.

Në veçanti, Nxitja apostolike “Evangelii gaudium”, Enciklika “Laudato si’” dhe Kushtetuta apostolike “Episcopalis communio”, janë tre dokumente thelbësore të magjisterit të Papës Françesku, në qendër të vëmendjes për të promovuar një kthesë të vërtetë baritore, ekologjike dhe sinodale. Sinodi, që do të fillojë më 6 tetor, bën pjesë pikërisht në këtë rrugë: kohë për dëgjim e shoshitje, për të shkuar pastaj, drejt veprimit.

07 tetor 2019, 11:31