Kërko

Vatican News
2019.10.03 Capitolo Generale Unione Romana Ordine di Sant'Orsola 2019.10.03 Capitolo Generale Unione Romana Ordine di Sant'Orsola  (Vatican Media)

Papa: gjithçka na përket; Amazona, problemet globale të migrimit

Papa priti në audiencë pjesëmarrëset e kapitullit të përgjithshëm të Bashkimit Romak të Urdhrit të Shën Ursulës, që ka si temë "komuniteti global, të shkojmë drejt një jetë të re". Papa u bën thirrje motrave rregulltare për një "përcaktim të guximshëm misionar”

R.SH. - Vatikan

"Gjendemi në një kohë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të banuar nga popujt që tashmë kanë ardhur dhe janë pjesë e një ‘komuniteti global'. Të gjithë gjendemi përballë sfidave të mëdha me të cilat duhet të ballafaqohemi. E, sot, askush nuk mund të thotë: "Kjo nuk ka të bëj me mua e nuk më përket!’”. Kështu Papa Françesku ju drejtua motrave rregulltare pjesëmarrëse të Kapitullit të Përgjithshëm të Bashkimit Romak të Urdhrit të Shën Ursulës, të cilat i priti sot paradite në audiencë në sallën Clementina në Vatikan.

"Mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbrojtja e lirisë së mendimit, e lirisë fetare, ungjillëzimi i atyre që janë larg dhe atyre që janë afër - duke filluar nga vetvetja -, drejtësia sociale, mbrojtja e mjedisit dhe kërkimi i përbashkët i zhvillimit të qëndrueshëm, rivendosja e një ekonomie humanistike, të një politike që me të vërtetë është në shërbim të burrave dhe grave, këto, pra, nuk janë "çështje që u takojnë vetëm të tjerëve”, por janë çështje tona, janë probleme të mia; nuk janë në interes vetëm të një populli apo të një kombi, por të mbarë botës", u tha Papa.

"Për shembull, Amazona që digjet flakë nuk është vetëm problem i këtij rajoni, por është një problem global; dukuria e migracionit nuk është vetëm për disa shtete, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar; dhe kështu me rradhë," shtoi Ati i Shenjtë Bergolgio.

Duke folur rreth misionit të Urdhrit të Shën Ursulës, Papa Françesku theksoi se "më shumë se kurrë sot kemi nevojë për 'dëshmitë’ koherente. Dëshmi koherente, u lutem, ju rekomandoj. Kisha ka nevojë për burra dhe gra që, duke filluar nga konvertimi i tyre personal, të jenë në gjendje t’i ofrojnë njeriut dëgjimin dhe mirëkuptimin, së bashku me gëzimin e Ungjillit".

03 tetor 2019, 16:59