Kërko

Vatican News
Logo e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) Logo e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) 

Papa, ipeshkvijve evropianë: dashuria, ilaç kundër populizmave

Mesazhi i Papës drejtuar ipeshkvijve të mbledhur në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE). Këshilla e Atit të Shenjtë: të jeni të pandalshëm në bamirësi e dashuri, ilaçi më i mirë kundër problemeve dhe kontrasteve. Impenjohuni më shumë për një humanizëm të ri evropian.

R.SH. - Vatikan

Papa i shkruan sot kardinalit Angelo Bagnasco, kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), me rastin e Asamblesë së përgjithshme, që filloi po sot në Santiago de Compostela me temë: “Evropë, koha për t’u zgjuar? Shenjat e Shpresës”. Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë e quan temën provokim të rëndësishëm për të reflektuar mbi udhët, që duhen ndjekur në të ardhmen. Fton të kërkohen shenjat, edhe të vogla, të asaj shprese, që është sinonim i jetës së re: “Janë të shumta, shpesh të fshehura – shkruan Papa – e nganjëherë, të tjerët na nxisin të mos i shohim. Por, i shohim, duke filluar nga impenjimi i sa e sa vëllezërve për të vuajturit dhe nevojtarët, veçanërisht për të sëmurët, të burgosurit, të varfërit, migrantët dhe refugjatët; i shohim edhe në angazhimin në fushën kulturore, veçanërisht në edukimin e të vegjëlve, që janë e ardhmja e Evropës”.

Dashuria, udha kryesore për të krishterin

         Ndër rrugët e mundshme për të krishterët, Papa sugjeron atë të bamirësisë e të dashurisë, “ilaçi më i mirë kundër prirjeve të kohës sonë, plot me përçarje dhe me kontraste”. Bamirësi, shpjegon Ati i Shenjtë, do të thotë ta shikosh tjetrin si njeri, ta ndihmosh kur është në nevojë, siç na mëson Krishti. Bamirësia e dashuria për tjetrin është kundër populizmit. “Populizmat, që i shohim të përhapen këto kohë, - vëren Françesku - ushqehen nga kërkimi i vazhdueshëm i kundërvënieve, të cilat nuk e hapin zemrën, përkundrazi e burgosin atë brenda mureve të pakënaqësive mbytëse. Përkundrazi, dashuria na bën të marrim frymë lirisht. Nuk i vë njerëzit njëri kundër tjetrit, por i sheh nevojat e secilit prej nesh të pasqyruara në ‘nevojat e më të fundmëve’, sepse të gjithë jemi pak të varfër, të gjithë pak të brishtë, të gjithë kanë nevojë për kujdes”.

04 tetor 2019, 14:54