Kërko

Vatican News
Papa Françesku dhe të moshuarit Papa Françesku dhe të moshuarit 

Papa Françesku për të moshuarit: të jenë protagonistë në shoqëri

Në Ditën e sotme Ndërkombëtare kushtuar të moshuarve jehojnë ftesat e shumta të Papës Françesku që të kujdesemi për ta, sepse ushqejnë kulturën e shpresës dhe garantojnë mbijetesën e një vendi, të një atdheu, të Kishës.

R.SH. - Vatikan

“Kur lëmë pas dore të moshuarit - le ta themi pa turp – humbet tradita, e cila nuk është muze gjërash të vjetra, është garancia e së ardhmes. Është limfa e rrënjëve ajo, që e bën pemën të rritet dhe të japë lule e fruta”. Fjalët e djeshme të Papës, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, tingëllojnë si paralajmërim i rreptë në Ditën e sotme Ndërkombëtare të të Moshuarve, themeluar nga OKB-ja, në vitin 1990.

Një miliard njerëz në botë është më se 60 vjeç

         Në botë ka rreth një miliard burra dhe gra, që tashmë janë 60 vjeç. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, ky numër do të kapërcejë shifrën 400 milion, duke shënuar një rritje prej gati 50 përqind dhe duke tejkaluar numrin e të rinjve dhe të fëmijëve nën 10 vjeç. Të moshuarit mbi 80 vjeç pritet të trefishohen në 30 vitet e ardhshme. Rritja më e madhe do të shihet në vendet në zhvillim, ku jetojnë pothuajse dy të tretat e të moshuarve të gjithë botës. Rritja më e madhe numerike do të jetë në Azi, ndërsa Afrika do të përballet me shtimin më të madh të të moshuarve në përqindje.

Mundësi dhe sfida të një shoqërie, që plaket

         “Plakja e popullsisë - paralajmëron OKB-ja - është e destinuar të bëhet një nga transformimet më të rëndësishme shoqërore të shekullit”. Që këtej, rëndësia e kremtimit të kësaj Dite për të ndërgjegjësuar publikun mbi mundësitë dhe sfidat e një shoqërie, që po plaket me një ritëm gjithnjë e më të madh, me vetëdijen e kontributit që të moshuarit i japin shoqërisë, kontribut që duhet vlerësuar më mirë.

Dashuria e Papës Françesku për të moshuarit

         Disa herë gjatë papnisë, Françesku e ka treguar me fjalë e me gjeste shqetësimin e tij për të moshuarit, duke kujtuar se edhe ai vetë është i tillë e duke u bërë thirrje të gjithëve të mos i lënë vetëm ata, që vuajnë nga sëmundjet, mënjanimi dhe vetmia. “Ata janë rrënjët dhe kujtesa e një populli”, “të moshuarit janë thesar”, “janë urti”, “janë trashëgimia e bashkësive tona” e, megjithatë, ka theksuar disa herë Ati i Shenjtë, “sa shpesh mënjanohen, duke i braktisur, me një qëndrim që është eutanazi e vërtetë dhe e fshehur”. “I moshuari nuk është qenie jashtëtokësore. Të moshuarit jemi ne: pas pak kohe, ose pas shumë kohe, gjithsesi, në mënyrë të pashmangshme do të jemi të tillë, edhe nëse nuk e imagjinojmë dot. Dhe nëse nuk mësojmë t’i trajtojmë mirë të moshuarit, keq do të trajtohemi edhe ne”. “Do të më pëlqente – kjo, dëshira e shprehur nga Papa Françesku – “që, së paku një herë, t’u jepet çmimi Nobel të moshuarve, që janë kujtesa e njerëzimit”.

01 tetor 2019, 13:37