Kërko

Vatican News
Mesha e Papës me kardinajtë Mesha e Papës me kardinajtë  (Vatican Media)

Papa Françesku krijoi 13 kardinaj të rinj: "dhembshuria të jetë tipari juaj kryesor"

“Gatishmëria e një prelati për të derdhur edhe gjakun – që simbolizohet nga ngjyra e kuqe e veshjes kardinalore – është e sigurtë, kur rrënjoset në vetëdijen se është treguar dhembshuri ndaj jush e në aftësinë për të qenë të dhembshur": kështu u tha Papa, kardinajve të rinj, që i krijoi sot.

R.SH. - Vatikan

Me koncistorin e pasdites së djeshme, Papa Françesku krijoi 13 kardinaj të rinj. Ati i Shenjtë e përqëndroi homelinë e tij në fjalën “dhembshuri”, që është mënyra me të cilën Jezu Krishti i zgjidh problemet që i paraqiten, është qëndrimi ungjillor i të krishterit, nënvizoi Papa. Dhembshuria është pjesë e pandarë e krejt historisë së Shëlbimit. Zoti ka qenë, është dhe do të jetë i dhembshur.

         Duhet “ta pyesim veten: - u tha të pranishmëve Françesku - a jemi, ne të parët, të vetëdijshëm se jemi objekt i dhembshurisë së Zotit? Ju drejtohem veçanërisht juve, vëllezër kardinaj ose gati për t’u bërë të tillë: a jeni të vetëdijshëm për këtë? Se keni qenë dhe jeni paraprirë gjithmonë nga mëshira e Hyjit?”.

Ta ndiejmë dhembshurinë e Zotit e të tregohemi të dhembshur

         Nëse nuk e ndiejmë se Zoti tregon gjithnjë dhembshuri për ne, nuk e kuptojmë dashurinë e Tij, vijoi Papa. Nuk është realitet, që mund të shpjegohet. E nëse nuk e ndiejmë, vërejti më tej Ati i Shenjtë, si mund ta komunikojmë, ta dëshmojmë e ta dhurojmë? Papa i ftoi kardinajtë, të vjetër e të rinj, të kenë dhembshuri e mëshirë për çdo vëlla, ipeshkëv, meshtar e të mos i shkatërrojnë marrëdhëniet njerëzore me ta përmes dënimit e indiferencës.

Baza për të qenë besnikë në shërbimin meshtarak, ipeshkvnor e kardinalor

         Sipas Françeskut, kjo është baza për të qenë besnikë në shërbimin meshtarak, ipeshkvnor e kardinalor. “Gatishmëria e një prelati për të derdhur edhe gjakun – që simbolizohet nga ngjyra e kuqe e veshjes kardinalore – është e sigurtë, kur rrënjoset në vetëdijen se është treguar dhembshuri ndaj jush e në aftësinë për të qenë të dhembshur. Përndryshe – theksoi Papa – nuk mund të jemi besnikë. Shumë qëndrime të pabesa të njerëzve të Kishës varen nga mungesa e vetëdijës për dhembshurinë e marrë e nga zakoni për të parë nga ana tjetrër, nga zakoni i indiferencës”.

         Së fundi, Papa iu lut Zotit për kardinajtë e rinj, që, me ndërmjetësimin e Shën Pjetrit Apostull, t’u japë hirin e një zemre të dhembshur, që të jenë dëshmitarë të Atij, i cili i pa me mëshirë, i zgjodhi, i shuguroi dhe i dërgoi për t’u çuar të gjithëve Ungjillin e shëlbimit.

Kush janë kardinajtë e rinj?

         Kardinajtë e rinj janë 13:

1. Imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, kombonian - kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

2. Imzot José Tolentino Calaça de Mendonça - Arkivist dhe Bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake.

3. Imzot Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo - kryeipeshkëv i Xhakartës.

4. Imzot Juan de la Caridad García Rodríguez - kryeipeshkëv i San Cristóbal de la Habana.

5. Imzot Fridolin Ambongo Besungu, françeskan kapuçin - kryeipeshkëv i Kinshasës.

6. Imzot Jean-Claude Höllerich, jezuit - kryeipeshkëv i Luksemburgut.

7. Imzot Álvaro Leonel Ramazzini Imeri - ipeshkëv i Huehuetenango.

8. Imzot Matteo Zuppi - kryeipeshkëv i Bolonjës.

9. Imzot Cristóbal López Romero, salezian - kryeipeshkëv i Rabatit.

10. Atë Michael Czerny, jezuit – zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve - Dikasteri për Shërbimin e gjithanshëm të Zhvillimit Njerëzor.

Bashkë me këta të dhjetë, që dje, bëjnë pjesë në Kolegjin Kardinalor, dy kryeipeshkvij dhe një ipeshkëv, që janë shquar për shërbimin e tyre në Kishë. Duke qenë mbi 80 vjeç, ata nuk kanë të drejtë vote në Konklav. Janë:

1. Imzot Michael Louis Fitzgerald, misionar afrikan – kryeipeshkëv titullar i Neptes.

2. Imzot Sigitas Tamkevičius, jezuit – kryeipeshkëv nderi i Kaunas

3. Imzot Eugenio Dal Corso, i Shërbëtorëve të Varfër të Provanisë Hyjnore – ipeshkëv nderi i Benguelës.

05 tetor 2019, 17:52