Kërko

Vatican News
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa Françesku: Shpirti Shenjt është protagonisti i ungjillëzimit

Në audiencën e përgjithshme, Papa u ndal në pjesën e Veprave të Apostujve, ku përshkruhet takimi i Filipit me etiopasin. Kjo faqe, vërejti Ati i Shenjtë, zbulon “rëndësinë e kuptimit të Fjalës së Zotit dhe të Sakramenteve për një jetë të re në Hyjin”. E na bën të kuptojmë edhe se, pa Shpirtin Shenjt, nuk ka ungjillëzim.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku vijoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u ndalur në një pjesë tjetër marrë nga Veprat e Apostujve. Pas martirizimit të Shtjefnit, filloi një përndjekje e dhunshme kundër Kishës së Jeruzalemit. “Shumë të krishterë u shpërndanë në vendet e tjera të Judesë dhe të Samarisë”. Në librin e Veprave të Apostujve, vërejti Papa, persekutimi “duket si gjendje e përhershme e jetës së dishepujve”, por zjarri i ungjillëzimit nuk shuhet. Madje, persekutimi, shtoi Ati i Shenjtë, “e ushqen atë edhe më shumë”. Kjo faqe historike është një fazë e re në rrugëtimin e Ungjillit: Filipi diakon fillon të ungjillëzojë qytetin e Samarisë.

Nuk mjafton ta lexojmë Shkrimin Shenjt

         Në qytetin e Samarisë, shpjegoi Papa, Filipi takon një të huaj “me zemër të hapur për Zotin”. Ishte njeri i pushtetshëm, eunuk, zyrtar i lartë i Mbretëreshës së Etiopisë, që lexonte rrotullën e shkruar nga Isaia profet. Ai i thotë Filipit “se ka nevojë për orientim që ta kuptojë Fjalën e Zotit”:

         “Ky dialog ndërmjet Filipit dhe etiopasit na bën të reflektojmë për faktin se nuk është e mjaftueshme vetëm t’i lexojmë Shkrimet, duhet edhe t’i kuptojmë, t’i gjejmë ‘thelbin’, përtej ‘lëvozhgës’, të kuptojmë Shpirtin, që e gjallëron letrën. Siç pati thënë Papa Benedikti në fillim të Sinodit mbi Fjalën e Zotit, ‘ekzegjeza, leximi i vërtetë i Shkrimit Shenjt, nuk është vetëm fenomen letrar... . Është ajo që vë në lëvizje ekzistencën’ (Meditim, 6 tetor 2008). Të hysh në Fjalën e Zotit do të thotë të jesh gati për të dalë jashtë kufizimeve, të takosh Zotin e t’i përshtatesh Krishtit, që është Fjala e gjallë e Atit”.

Ungjillëzimi dhe Shpirti Shenjt

Pas takimit me Filipin, etiopasi e kuptoi tekstin që po lexonte: ai shërbëtor i butë e i vuajtur, për të cilin fliste Isaia, “ishte pikërisht Krishti, të cilin e shpallnin Filipi dhe Kisha”. Kështu, kërkoi të pagëzohej dhe besoi në Zotin Jezus. Por, pyeti Papa, kush e shtyu Filipin të shkojë në shkretëtirë për ta takuar këtë njeri? Ishte Shpirti Shenjt. Ai është “protagonisti i ungjillëzimit”. Të ungjillëzosh, përfundoi Françesku, do të thotë të nxitesh nga Shpirti Shenjt, sepse është ai që na shtyn drejt kumtimit të Krishtit “me dëshmi, madje, edhe me martirizim, edhe me Fjalën e Zotit”:

“Shpirti Shenjt i shndërroftë të pagëzuarit në burra e gra, që shpallin Ungjillin për t’i tërhequr të tjerët jo drejt vetvetes, por drejt Krishtit; në burra e gra, që dinë t’i bëjnë vend veprimit të Zotit, që dinë t’i bëjnë të tjerët të lirë dhe të përgjegjshëm para Hyjit”.

02 tetor 2019, 13:16