Kërko

bread-2542308_1920 ok.jpg

Papa, FAO-s: grumbullojmë e shpërdorojmë bukën e të varfërve

Me rastin e Ditës së sotme Botërore të Ushqimit, Papa Françesku i dërgoi një mesazh FAO-s, duke theksuar se duhet të kthehemi në jetën e thjeshtë e pa pretendime, që të kemi marrëdhënie të shëndetshme me veten, vëllezërit dhe ambientin.

R.SH. - Vatikan

“Është mizore, e padrejtë dhe paradoksale që, sot, ka ushqim për të gjithë e, megjithatë, jo të gjithë mund të ushqehen; ose ka rajone të botës ku ushqimi shpërdorohet, hidhet, konsumohet tej mase e përdoret për qëllime të tjera jo ushqimore”. Ky është denoncimi i fuqishëm i Papës Françesku, në mesazhin që i dërgoi drejtorit të përgjithshëm të FAO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë), me rastin e Ditës së sotme Botërore të Ushqimit, me temë: “Veprimet tona janë edhe e ardhmja jonë. Ushqim i shëndetshëm për një botë me #UriZero”. Çast reflektimi, thekson Françesku, “për t’i bërë jehonë çdo vit britmës së sa e sa vëllezërve, që vazhdojnë të vuajnë tragjedinë e urisë dhe të ushqimit të keq”.

Ushqimi mund të shkatërrojë

         Papa nënvizon në mesazh se “ushqimi është shndërruar nga mjet jetese në mënyrë shkatërrimi personal”. E jep një shembull: përballë 820 milion njerëzve të uritur, ka pothuajse 700 milion njerëz mbipeshë, viktima të përdorimit të gabuar të ushqimit. Model, që është përhapur edhe në vendet me pak të ardhura, sepse imitojnë mënyrën e ushqimit të vendeve të zhvilluara. Që këtej, rrjedhin sëmundje si diabeti, sëmundjet e zemrës e forma të tjera patologjish degjenerative. Ana tjetër e medaljes është çekuilibri në përdorimin e ushqimit, që shkakton anoreksi dhe bulimi.

Të ndryshohet mendësia

         “Nevojitet kthesë në mënyrën tonë të veprimit – kërkon Ati i Shenjtë në mesazhin për FAO-n. - Ushqimi është një nga pikënisjet më të rëndësishme. Jetojmë falë fryteve të Krijimit, të cilat nuk mund të reduktohen thjesht në objekt përdorimi dhe sundimi”. Papa bën thirrje ta ndryshojmë stilin e jetës, duke pasur parasysh se gjithçka në botë është dhuratë e Zotit për të gjithë njerëzit, prandaj duhet përdorur me vetëkontroll dhe solidaritet. Duhet t’i kthehemi jetës së thjeshtë, të shmangim individualizmin dhe egocentrizmin, që sjellin vetëm uri dhe pabarazi shoqërore, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën e përbashkët. Vetëm kështu, sipas Papës Françesku, do të jemi në gjendje të kemi marrëdhënie të shëndetshme me veten, vëllezërit dhe ambientin.

Familja e njeriu, jo tregu

         Për Atin e Shenjtë, familja është vendi ku njerëzit mësojnë si t’i gëzojnë frytet e tokës e si t’i mbrojnë ato, prandaj, asaj i duhet kushtuar vëmendje e veçantë në politikat bujqësoro-ushqimore. “Lufta kundër urisë dhe kequshqyerjes nuk do të ndalet - shkruan Papa – nëse vazhdon të mbizotërojë logjika e tregut dhe të kërkohet vetëm fitimi me çdo kusht, duke e reduktuar ushqimin në mall të thjeshtë, që i nënshtrohet spekulimeve financiare”. Rruga e vetme është kujdesi për njeriun, veçanërisht për ata njerëz, që nuk kanë ç’të hanë. “Kur njeriut – thekson Françesku - do t’i jepet vendi që i takon, atëherë ndihmat humanitare dhe programet e zhvillimit do të kenë një ndikim më të madh dhe do të japin rezultatet e dëshiruara. Nuk mund të harrojmë se grumbullojmë dhe shpërdorojmë bukën e të varfërve”.

16 tetor 2019, 13:09