Kërko

Vatican News
Jezu Krishti Jezu Krishti 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar “C”

Tema qendrore e liturgjisë së kësaj së diele është feja. Shpëtimtari i popullit të vet, Hyji kërkon besimin e plotë në të e dëgjimin e zërit të tij. Një kokërr e fesë – na siguron Jezusi në pjesën ungjillore – mjafton për të fituar mrekulli. Të vetëdijshëm për fenë e pakët e të dobët, nxënësit i kërkojnë Jezusit: “Shtoje në ne fenë”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 27-të gjatë viti kishtar ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar “C”

Leximet biblike të kësaj së diele na flasin per fenë dhe gëzimin e fesë. Një kokërr e fesë – na siguron Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele – mjafton për të fituar mrekulli. Të vetëdijshëm për fenë e pakët dhe të dobët, nxënësit i kërkojnë Jezusit: “Shtoje në ne fenë”. 

Ungjilli i kësaj së diele të 27-të gjatë vitit ‘C’, nga Luka (17,5-10), na fton që edhe ne, si apostujt, t’i themi Jezu Krishtit Zot: ‘Na e shto fenë!”. Po o Zot, feja jonë është e paktë, feja jonë është e dobët, e brishtë, por ta ofrojmë kështu siç është, që Ti ta shtosh. Le të përsërisim së bashku: O Zot, na e shto fenë! O Zot, na e shto fenë! Na e shtoftë Hyji fenë.

E përgjigjja e Zotit është se mjafton të kemi një fe, aq sa kokrra e sinapit, vërtet e vogël, por e vërtetë, e sinqertë, e do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të pamundura e të pamenduara për njeriun: Kjo është e vërtetë! Të gjithë njohim njerëz të thjeshtë, të përvuajtur, por me fe shumë të fortë në Zotin, me një fe që me gjithë mend zhvendos male! Të mendojmë për ato nëna e ata baballarë, të cilët në jetën e përditshme u bëjnë ballë gjendjeve shumë të vështira; ose për ata të sëmurë rëndë, që u përçojnë qetësi atyre, që shkojnë t’i takojnë. Njerëz, të cilët, pikërisht për hir të fesë në Zotin, nuk mburren me veprat e tyre.

E meqenëse jemi në muajin tetor, po kujtojmë se ky është muaj, që u kushtohet misioneve. Ti kujtojmë sa e sa misionarë, burra e gra, të cilët për të kumtuar Ungjillin kanë kapërcyer pengesa të çdo lloji, kanë dhënë vërtet, edhe jetën. Misioni nuk është vetëm detyrë e meshtarëve dhe e murgeshave, por na përket të gjithëve, na kujton Kisha.

Secili prej nesh, me jetën e përditshme, mund ta dëshmojë Krishtin, me forcën e Zotit, me forcën e fesë. Me atë fenë tepër të paktë që kemi, por të fortë, të fuqishme: me atë forcë, të dëshmojmë Jezu Krishtin. Të jemi të krishterë me jetë, me dëshminë tonë në jetën e përditshme. E ku e gjejmë këtë forcë? E gjejmë tek Zoti, në lutje. Lutja është frymëmarrje e fesë: në marrëdhëniet e besimit, në marrëdhëniet e dashurisë, nuk mund të mungojë dialogu e, lutja është dialogu i shpirtit me Zotin.

Pastaj tetori është edhe muaji i Rruzares. Në çdo familje, në mbrëmje, si dikur rreth vatrës, mblidhen a duhet të mblidhen të gjithë anëtarët për t’iu lutur Zojës së Bekuar, Nënës së Zotit. E pikërisht më 7 tetor, bie kremtimi i festës së Zojës Rruzare. Kisha na fton të bashkohemi shpirtërisht me këtë akt besimi ndaj Nënës sonë Qiellore, duke marrë nga duart e saj Rruzaren: Rruzarja është shkollë lutjeje, Rruzarja është shkollë feje, Rruzarja është shkollë vëllazërimi. 

                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Hab 1, 2-3; 2, 2-4
Një popull i huaj shtyp popullin hebraik. Si të durosh që feja e besimtarëve të dështojë nga pushtuesit paganë? Duhet të kalojnë shumë breza, para se besimtarët të mësojnë të dialogojnë me jobesimtarët. Duhet të kalojnë shekuj para se Ungjilli tu propozohet paganëve dhe ata të pranojnë besimin. Ajo që përkufizon të drejtin nuk është suksesi apo fitorja e besimit të tij, por qëndrueshmëria e tij në besim.

Lexim prej Librit të Habakukut profet
Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë!” – do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!
Zoti atëherë më gjegji e më tha: “Shkruaje vegimin, zgavërroje përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm. Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk rren; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë! Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!” Fjala e Zotit.

Psalmi 95
O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

----- ----- -----
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
----- ----- -----
Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.
----- ----- -----
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 1, 6-8.13-14
Jezusi nuk u ka thënë kurrë apostujve të tij se të shpallësh Ungjillin është si të bësh një shëtitje. Por është normale të vuash për Ungjillin. Është e nevojshme të shpallësh Ungjillin pa frikë, të mbrosh besimin e transmetuar nga apostujt.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.
Prandaj mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, poq hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit. Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Ndriçoni porsi pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës. Aleluja.

Ungjilli Lk 17, 5-10
Në këtë shëmbëlltyrë duket se Jezusi na paraqet fytyrën e një Hyji shumë të ashpër dhe kërkues përballë lodhjes së shërbëtorëve të vet. Por Jezusi do të denoncojë falsitetin që banon në skutat më të fshehta të zemrës sonë. Farisenjtë punojnë shumë, por llogarisin të drejtat dhe meritat që kanë para Hyjit për veprimet e tyre të mira. Llogaritë njerëzore nuk kanë vlerë para syve të Zotit. Ai do vetëm pak besim, edhe pse e vogël si një kokërr sinapi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!”
Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mali: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ – e ai do t’ju dëgjonte.
Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjishu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë’.” Fjala e Zotit.

04 tetor 2019, 15:16