Kërko

Videomesazhi i Papës popullit të Mauricius: me gëzim e vizitoj tokën ku takohen grupet etnike

Papa: Ju përshëndes përzemërsisht nga Roma, e do të jetë një gëzim për mua ta kumtoj Ungjillin në mesin e popullit tuaj, që është formuar nga takimi i grupeve të ndryshme etnike, dhe kështu gëzon pasurinë e traditave të ndryshme kulturore e madje edhe fetare. Papës Françesku do të jetë në Mauricius të hënën më 9 shtator .

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku po përgatitet të shkojë në udhëtimin e tij ndërkombëtar të 31-të apostolik, gjatë të cilit, që nga dita e nesërme 4 shtator e deri më 10 shtator, do të vizitojë Mozambikun, Madagaskarin dhe Ishullin Mauricius, ku do të mbërrijë të hënën më 9 shtator.

Etapa e parë e shtegtimit të tij është kryeqyteti Maputo i Mozambikut, ku Ati i Shenjtë Bergoglio do të qëndrojë më 4,5 e 6 shtator. Si gjithnjë, para udhëtimeve, Papa u drejtohet banorëve dhe besimtarëve të vendit me një videomesazh, që tashmë, është bërë traditë. Sot, Françesku i flet “popullit të dashur të ishullit Mauricius ”, vendit ku të hënën më 9 shtator do të shkelë këmba e tij. Në Videomesazhin drejtuar popullit të Mauricius,  Papa Françesku shpreh gëzimin që ka mundësinë për të vizituar tokën ku takohen shumë grupet etnike e fliten shumë gjuhë, duke kujtuar se gjuha e Ungjillit është ajo e dashurisë

Ja videomesazhi Papës Françesku para udhëtimit:

Të dashur vëllezër dhe motra të Mauricius!

Udhëtimi apostolik që do të më çojë edhe në ishullin tuaj të bukur tashmë është afër. Që nga këtu, nga Roma, ju përshëndes përzemërsisht, dhe dua të ju them një "faleminderit" të madh sepse e di që jeni duke u përgatitur prej kohësh për këtë takim.

Do të jetë një gëzim për mua ta kumtoj Ungjillin në mesin e popullit tuaj, i cili dallohet nga fakti se është formuar nga takimi i grupeve të ndryshme etnike, dhe kështu gëzon pasurinë e traditave të ndryshme kulturore e madje edhe fetare. Kisha Katolike, që nga zanafilla, u është dërguar të gjithë njerëzve dhe flet të gjitha gjuhët e botës. Por gjuha e Ungjillit - ju e dini - është dashuria.

Zoti, me anë të ndërhyrjes së Virgjërës Mari, më dhuroftë  mundësinë që të ju kumtoj Ungjillin me fuqinë e Shpirtit Shenjtë Zot, kështu që të gjithë të mund ta kuptoni e ta pranoni.

Ju kërkoj - e përfundon Papa videomesazhin për qytetarët e  Ishullit Mauricius -  që t’i rritni lutjet tuaja këto ditë, ndërsa unë tashmë ju kam në zemrën time dhe lutem për ju. Faleminderit e mirë u pafshim së shpejti! 

03 shtator 2019, 11:35