Kërko

 Papa në mes të rinjve në valle Papa në mes të rinjve në valle 

Lutja kundër dhunës për të rinjtë, në Madagaskar

Në përfundim të mbrëmësores së lutjes, në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay, në Antananarivos, Papa Françesku “u rrethua”, në tribunë nga një grup të rinjsh, që këndonin e vallëzonin.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të mbrëmësores së lutjes, në sheshin dioqezan të Soamandrakizay të Antatanarivos, Papa Françesku “u rrethua”, në tribunë nga një grup  të rinjsh që, me ritmin e  këngëve të tyre,  deshën ta bëjnë të bashkohej me ta në valle. E Papa, për ca çaste, nuk ua prishi qejfin e mbeti i rrethuar nga grupi i valltarëve, që shtrëngohej në formë rrathësh rreth tij, duke brohoritur, me ritmin e këngëve afrikane: “Kjo është rinia e Papës!”.

Para se të shkëputej nga vallja e tyre e të ndahej me të rinjtë, Papa u drejtoi këto fjalë:

“Brezni të reja malgashe, ju lëshoj në dorë të Zojës së Bekuar që t’ju mbrojë nga globalizimi, shpesh i ndotur prej kulturës së hedhurinës e t’ju prijë përpara në shtigjet e jetës e të shenjtërisë!”.

Më pas, duke iu drejtuar Zojës së Bekuar, ia porositi të rinjtë me fjalët prekëse:

“Mbroji nga tundimi i dhunës e ndihmoi në luftën kundër varfërisë, analfabetizmit e  përjashtimit nga radhët e shoqërisë. Marrshin forcë nga rrënjët e tyre, për t’u bërë ndërtues urash e për të dhënë ndihmesën në agimin e një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore. Ndërmjetëso, që të  mund të mbjellin shpresë e të korrin begati!”.

08 shtator 2019, 11:44