Kërko

SemeraroAEM.jpg

Imzot Semeraro mbi vizitën e Papës në Albano

Të shtunën, më 21 Shtator, në festën e Shën Mateut, Papa Françesku viziton qytetin e vogël të Albanos, ku do të kryesojë meshën dhe do të lutet me meshtarët. Në mikrofonin tonë, imzot Marcello Semeraro, ipeshkëv i Albanos.

R.SH. - Vatikan

Pasditen e së shtunës, 21 shtator, Papa Françesku do të shkojë në Albano, qytezë laciale, afër Romës, ku popullsia e pret me padurim. Ipeshkvi i saj, imzot Marcello Semeraro, njëkohësisht sekretar i Këshillit të Kardinajve, që sapo e përfunduan mbledhjen e tyre të 31-të, në praninë e Atit të Shenjtë, përshkruan, në mikrofonin tonë, etapat më të rëndësishme të kësaj vizite.

Mesha dhe takimi me klerin

 “Çasti më i rëndësishëm - shpjegon imzot Semeraro - është pa dyshim ai i kremtimit eukaristik, që për arsye hapësire, mbahet në sheshin kushtuar shën Piut IX e, prandaj, quhet ‘Piazza Pia’, ngjitur me katedralen e Shën Pankracit. Por, fillimisht, Ati i Shenjtë merr pjesë në lutjen e klerit, ku do të jenë të pranishëm edhe disa njerëz, që bashkëpunojnë më shumë në Kurien dioqezane. Do të jetë një lutje litanike, në të cilën Papa i fton meshtarët e rregulltarët të luten për Kishën; unë do ta ftoj klerin të lutet për Papën dhe do të kemi një sërë ndjetesh për këtë. Pastaj, meshtarët do të vihen në radhë për procesionin e Papa do të vishet për kremtimin e meshës”.

Datë e rëndësishme për Papën

“Vizita e Papës Françesku - shton imzot Marcello Semeraro - ndërthur mirë ngjarjen publike me përmasën personale, që ka të bëjë me thirrjen e Atit të Shenjtë. 21 shtatori, në të vërtetë – tregon ipeshkvi i Albanos - është një datë veçanërisht e rëndësishme për historinë e thirrjes së Papës. Fakt i njohur ky, sepse Papa në stemën e tij ka shkruar një frazë të Shën Bedës, që komenton thirrjen e shën Mateut: Miserando atque eligendo (E mëshiroi, prandaj e zgjodhi). Thirrjen, ai e dëgjoi në ditën e Shën Mateut, festa liturgjike e të cilit kremtohet pikërisht më 21 shtator e kjo ishte pikënisja e ftesës për Atin e Shenjtë. Por, ka edhe një aspekt tjetër: më 21 shtator, Papa Benedikti XVI pati ardhur në katedralen tonë, pati kremtuar meshën, pati kushtuar altarin e ri të restauruar e pati përuruar katedrën ipeshkvnore. Prandaj, 21 shtatori është kthyer për ne në një datë simbolike, gjatë së cilës përkujtojmë kushtimin e katedrales, që për kishën e Albanos shënon fillimin zyrtar të vitit të ri baritor. Së bashku me Papën, do të kërkojmë ndihmën dhe bekimet e Zotit.

Surpriza e komunës dhe e dioqezës për Papën

Kisha e Albanos dhe bashkia e qytetit – tregon më tej imzot Semeraro - bashkëpunuan në realizimin e një murali, me autor të mirënjohurin Mauro Pallotta, në art MauPal, i cili ka bërë edhe herë të tjera piktura për Papën në muret përreth Vatikanit. Kësaj radhe muri është vënë në dispozicion nga qyteza e Albanos e punimi ka në qendër Enciklikën “Laudato Sì”(Lëvduar qofsh). Punimi i tij do t’i paraqitet Papës nga kryetari i bashkisë së Albanos, Nicola Marini.

Vëmendja e Albanos për temat ambientale

 “Dioqeza e Albanos - shpjegon së fundi, imzot Marcello Semeraro - është e larmishme nga pikëpamja territoriale. Ka pjesën më të vjetër, atë të kështjellave (Castelli), liqenin dhe shumë realitete të tjera artistikisht të rëndësishme; pastaj, kemi zonën qendrore, atë industriale, e cila u zhvillua shumë në periudhën e pasluftës dhe më vonë; së fundi, kemi zonën bregdetare, ku banorët trefishohen gjatë verës. Përkrah bukurisë natyrore, ka edhe shumë probleme, që lidhen me degradimin e mjedisit, të cilat ndihen shumë nga popullata. Pra, mesazhi i Papës që të kujdesemi për Gjithësinë e krijuar nga Zoti është shumë i rëndësishëm për ne”.

20 shtator 2019, 12:43