Kërko

Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan, pjesëmarrësit e Konferencës së organizuar nga “Shoqëria për të Drejtën e Kishave Lindore” Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan, pjesëmarrësit e Konferencës së organizuar nga “Shoqëria për të Drejtën e Kishave Lindore” 

Papa: Kisha duhet të mësojë vlerën e sinodalitetit

“Të mësojmë nga përvoja sinodale, traditë e Kishave Lindore”. Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan, pjesëmarrësit e Konferencës së organizuar nga “Shoqëria për të Drejtën e Kishave Lindore”, në 50-vjetorin e themelimit të saj.

R.SH. - Vatikan

“E drejta kanonike jo vetëm që është ndihmë për dialogun ekumenik, por është edhe një nga përmasat thelbësore” të tij, ndërsa “nga ana tjetër, është e qartë se dialogu ekumenik përbën pasurim për të drejtën kanonike”. Kështu tha Papa Françesku sot paradite, në Sallën Klementine në Vatikan, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Konferencës së organizuar nga “Shoqëria për të Drejtën e Kishave Lindore”, në 50-vjetorin e themelimit të saj.

         “Dua të jap një shembull: atë të sinodalitetit - theksoi Papa. -Sinodaliteti, i zbatuar në disa institucione dhe në procedura të caktuara të Kishës, e dëshmon mirë përmasën ekumenike të së drejtës kanonike. Nga njëra anë, kemi mundësinë të mësojmë nga përvoja sinodale e traditave të tjera, veçanërisht, nga ajo e Kishave Lindore”.

         Nga ana tjetër, “është e qartë se mënyra me të cilën Kisha Katolike e jeton sinodalitetin ka rëndësi për marrëdhëniet e saj me të krishterët e tjerë. Është sfidë ekumenike”. Sipas Papës Françesku, “duke u bazuar në trashëgiminë e përbashkët kanonike të mijëvjeçarit të parë, dialogu aktual teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse po përpiqet pikërisht të arrihet në një kuptim të përbashkët të primatit [papnor] dhe të sinodalitetit, si edhe të ndërlidhjeve mes tyre, për t’i shërbyer kështu bashkimit të Kishës”.

19 shtator 2019, 13:10