Kërko

Vatican News
2019.08.03 Unione Internazionale delle Guide e Scouts d'Europa Federazione dello Scoutismo Europeo 2019.08.03 Unione Internazionale delle Guide e Scouts d'Europa Federazione dello Scoutismo Europeo  (Vatican Media)

Papa Françesku: Lutje për të pesë gishtat e dorës

Lutja e thjeshtë e Papës Françesku Bergoglio për të pesë gishtat e dorës, që simbolizojnë përvujtërinë, thjeshtësinë, mirëkuptimin, vëmendjen ndaj të gjithëve. E edhe heshtjen e lutjen, aq e dashur për jezuitët.

R.SH. - Vatikan

Të nderuar miq të Radio Vatikanit, po përshkojmë së bashku një lutje, shkruar nga Papa Françesku, kur ishte ipeshkëv i Buénos Ájres. Kjo lutje na tregon vlerat, që i çmon më shumë Ati i Shenjtë Bergoglio, gjë që po e shikojmë çdo ditë. E janë: përvujtëria, thjeshtësia, mirëkuptimi, vëmendja për të gjithë. E edhe heshtja e lutjes, aq e dashur për jezuitët.

Sipas lutjes së thjeshtë të Papës Françesku Bergoglio:

1. Gishti i madh është më pranë teje. Lutu, prandaj, së pari, për ata, që i ndjen më pranë. Janë njerëz, të cilët i kujtojmë më lehtë. Të lutemi për të dashurit tanë, është detyrë fort e ëmbël.

2. Gishti i dytë është treguesi. Lutu për ata që japin mësim, që edukojnë e mjekojnë. Për mësuesit, profesorët, mjekët, meshtarët. Kanë nevojë për ndihmë e urti, që të mund t’u tregojnë të tjerëve rrugën e drejtë. Mos harro t’i kujtosh në lutje!

3. Gishti, që vjen pas, është më i gjati. Të kujton ata, që qeverisin. Lutu, prandaj, për presidentin, për parlamentarët, për afaristët e drejtuesit. Janë njerëz që kanë në dorë fatet e atdheut tonë e që i prijnë opinionit publik. Kanë nevojë për udhëheqjen e Zotit.

4. Gishti i katërt është ai i unazës. Çuditërisht, ky është gishti më i ligshtë, siç mund të na e vërtetojnë mësuesit e pianos. Është aty për të të kujtuar se duhet të lutesh për njerëzit më të ligshtë, ata që kanë përballë sfida të mëdha, që janë të sëmurë. Kanë nevojë për lutjet tuaja, të ditës e të natës. Nuk është kurrë tepër të lutesh për ta. Ky gisht të fton të lutesh edhe për të gjithë ata, që mbajnë në të, unazën e martesës!

5. Arrijmë, kështu, së fundi, te gishti i vogël, më i vogli nga të gjithë, ashtu si duhet ta ndjejmë ne veten përballë Zotit e të afërmit. Si thotë Bibla: “Të fundmit do të jenë të parët!”. Gishti i vogël të kujton të lutesh për vetveten. Pasi të jesh lutur për gjithë të tjerët, do të mund të kuptosh më mirë edhe cilat janë nevojat tuaja.

Françesku shpjegon “Atynën”, lutja e bijve të Zotit

Duke vijuar katekizmin kushtuar Meshës Shenjte, në audiencën e përgjithshme të 13 marsit 2018, Papa Françesku u përqendrua plotësisht mbi “Atynën”. Lutje, që na e hap zemrën për bashkimin me Zotin e me vëllezërit. Duke e thënë uraten që na mësoi Jezu Krishti, kërkojmë bukën tonë të përditshme, paqen, faljen e hirin për të falur.

Të thuash ‘Atynën’ domethënë të lutesh si Jezusi

 “Në Darkën e Mbrame - kujtoi Papa Françesku – Jezusi, pasi mori bukën dhe kelkun e verës dhe iu fal nderës Zotit, e dimë se theu bukën”. Me këtë veprim, në liturgjinë eukaristike të Meshës, përkon thyerja e Bukës, e paraprirë nga lutja, që na e mësoi vetë Zoti.

Kështu fillojnë ritet e Kungimit - kujtoi Papa - duke zgjatur lavdërimin  dhe Lutjen eukaristike, me shqiptimin e Atynës. Kjo - sqaroi Ati i Shenjtë - nuk është njëra nga lutjet e shumta të krishtera, por lutja e bijve të Zotit.  Duke na u dorëzuar ditën e pagëzimit tonë, “Atyna” bën të na jehojnë në shpirt të njëjtat ndjenja, që provoi vetë Jezu Krishti.

E quajmë Ati ynë, por a ndjehemi vërtet bij?

E quajmë Atë - kujtoi Papa Françesku - sepse përmes ujit e Shpirtit Shenjt “rilindëm si bij”. Por sa herë ka njerëz që e thonë “Atynën” e nuk e dinë çka thonë? Sepse po, është Atë, po ti a e ndjen se Ai është Atë, Ati yt, Ati i njerëzimit, Ati i Jezu Krishtit? Ti, a ke lidhje me këtë Atë? “Ah…jo, nuk e kisha menduar këtë”. Kur ne themi Atynën, lidhemi me Atin, i cili na do, por është Shpirti Shenjt Zot ai, që na e siguron këtë lidhje, këtë ndjenjë të birit ndaj Atit.

Marrim guximin t’i drejtohemi Zotit, duke e thirrur “Atë”

Të formuar sipas mësimit të Tij hyjnor, marrim guximin t’i drejtohemi Zotit, duke e thirrur “Atë” , sepse u rilindëm si bijtë e Tij përmes ujit dhe Shpirtit Shenjt. Askush - kujtoi Papa Bergoglio në vijim të katekizmit të audiencës së përgjithshme - nuk mund ta thërrasë në mënyrë familjare “Abbà”, pa qenë i lindur nga Zoti, pa frymën e Shpirtit Shenjt, siç na e kujton Shën Pali (Rom 8.15).

Hiri i dijes për të falur

“Cila lutje më e mirë  se kjo, që na e mësoi Jezusi, mund të na bëjë gati për bashkimin sakramentor me Të? Përveçse në Meshë, Atyna thuhet në mëngjes e në darkë, në uratët e agut e të muzgut, e kështu  sjellja bijnore ndaj Zotit e vëllazërore ndaj të afërmve, na ndihmojnë t’u japim trajtë të krishterë ditëve tona”.

Në lutjen e Zotit - vijoi të shpjegojë Papa gjatë katekizmit të audiencës 13 marsit 2018 - kërkojmë “bukën tonë të përditshme”, që na kujton menjëherë edhe Bukën eukaristike, për të cilën kemi nevojë, që të jetojmë si bij të Zotit. Lutemi edhe për faljen e “borxheve tona”. E, që të bëhemi të denjë  për faljen e Zotit, angazhohemi ta falim atë, që na fyen. Kështu, ndërsa na e hap zemrën për Zotin, “Atyna” na gatit edhe për dashurinë vëllazërore.

Paqja me Zotin e me vëllezërit

Së fundi, i kërkojmë akoma Zotit të na lirojë prej gjithë të këqijave, që na ndajnë prej Tij e prej vëllezërve tanë. E kuptojmë menjëherë se këto janë kërkesa shumë të përshtatshme, që na gatisin për Kungimin Shenjt.

Në të vërtetë - vijoi katekizmin e audiencës Papa - çka kërkojmë në Atynë, zgjatet në lutjen e meshtarit që, në emër të të gjithëve, i kërkon Zotit: “Lirona, o Zot, nga gjithë të këqijat, jepu paqe ditëve tona”. E pastaj vë një lloj vule në ritin e paqes; së pari i lutet Krishtit që dhurata e paqes – aq e ndryshme nga ajo e botës - ta bëjë Kishën të rritet në bashkim e paqe, sipas vullnetit të Tij; së fundi, me gjestin konkret, të shkëmbyer ndërmjet nesh, shprehim bashkimin kishtar dhe dashurinë e anasjelltë, para se të marrim Kungimin. Në ritin romak, shkëmbimi i shenjës së paqes, i përdorur që në lashtësi para Kungimit, kushtëzohet nga Kungimi. Sipas këshillës së Shën Palit, nuk mund ta marrim Bukën, që na bën një Korp i vetëm me Krishtin, pa u pajtuar me dashuri vëllazërore. Paqja e Krishtit nuk mund të rrënjoset në një zemër të paafatë për ta jetuar vëllazërimin e pa e ripërtrirë, pasi e plagosi.

Jezusin e njohim në të thyer të bukës

Gjesti i paqes pasohet nga thyerja e bukës e cila, që nga kohët apostolike i dha emrin mbarë kremtimit eukaristik. E kryer nga Jezusi në Darkën e Mbrame, thyerja e bukës është gjesti, që u krijoi dishepujve mundësinë ta njohin pas Ngjalljes. Kujtojmë dishepujt e Emmaus, të cilët, duke folur për takimin me Jezusin e ngjallur, rrëfejnë “se e njohën në të thyer të bukës”.

Thyerja e Bukës eukaristike shoqërohet nga lutja e “Qengjit të Zotit” figurë me të cilën Gjon Pagëzuesi e tregoi me gisht Jezusin, “atë, që shlyen mëkatin e botës”. Figura biblike e qengjit flet për shpërblim. Në Bukën eukaristike, të thyer për jetën e botës, asambleja në lutje pranon Qengjin e vërtetë të Hyjit, domethënë Krishtin Shëlbues dhe i lutet: “Ki mëshirë për ne… na  e jep paqen ne!”.

“Ki mëshirë për ne… na  e jep paqen ne!”.

“Ki mëshirë për ne - epnae paqen ne - kujtoi Papa në përfundim të katekizmit të 13 marsit 2018– janë lutje të cilat, që nga “Atyna” deri tek thyerja e Bukës, na ndihmojnë ta përgatisim shpirtin për të marrë pjesë në sofrën eukaristike, burim bashkimi me Zotin e me vëllezërit”.

03 shtator 2019, 11:41