Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa në audiencën e përgjithshme: diktaturat dështojnë, vetëm planet e Zotit i qëndrojnë kohës

Guximi i apostujve vjen nga Shpirti i Shenjtë dhe është po ai guxim, që kanë edhe martirët e sotëm. Papa Françesku vazhdoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme, kushtuar Veprave të Apostujve. Në qendër të reflektimit të tij, dhuntia e shoshitjes.

R.SH. - Vatikan

“Planet politike”, “diktaturat e shekullit të kaluar”, “perandoritë” e mëdha të së kaluarës dhe të së sotmes janë të destinuara të dështojnë, sepse bazohen vetëm mbi forcën e njeriut. Në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë së cilës përshëndeti edhe ministrin e deleguar të Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Papa Françesku vijoi katekizmin mbi Veprat e Apostujve e komentoi episodin e Gamalielit, që e pengon Sinedrin t’i bllokojë apostujt, duke shpjeguar se nëse ata i besonin dikujt, që s’vjen nga Zoti, do të zhdukeshin vetvetiu e, nëse ndiqnin dikë që vjen prej Zotit, nuk duhej të luftoheshin.

Besëlidhja me Shpirtin e Shenjtë

         Edhe në historinë e Kishës, theksoi Papa, ka shumë mëkate, shkandulle e ngjarje të këqia, por ajo mbijeton që prej 2 mijë vjetësh, sepse “gjithçka vjen nga lart e mban ‘firmën’ e Zotit, është e destinuar t’i qëndrojë kohës”. Vërtet, apostujt nuk u trembën kur judenjtë deshën t’ua ndalonin predikimin, sepse ishin përforcuar në fe nga Shpirti i Shenjtë, në Rrëshajë. E Françesku komentoi pa letër:

         “Kishin një guxim të jashtëzakonshëm, këta. Ne mendojmë se ishin frikacakë: të gjithë ikën, u zhdukën kur Jezusi u arrestua nga policia. Të gjithë. Por, nga frikacakë u kthyen në trima. Pse? Sepse Shpirti i Shenjtë ishte me ta. E njëjta gjë na ndodh edhe neve: nëse e kemi në zemër Shpirtin e Shenjtë, do të kemi guximin të ecim përpara, guximin për të fituar shumë luftra, jo prej vetes, por prej Shpirtit që është me ne”.

Guximi i dëshmitarëve të sotëm

         Guximi i apostujve, vazhdoi Françesku, është po ai, që dëshmojnë edhe martirët e kohës sonë. Ati i Shenjtë dha një shembull:

         “Martirët japin jetën, nuk e fshehin se janë të krishterë. Le të mendojmë se vetëm disa vite më parë - por edhe sot ka shumë – pra, le të mendojmë për katër vite më parë, për ata të krishterë ortodoksë koptë, njerëz të vërtetë, punëtorë, në bregdetin e Libisë: u masakruan të gjithë. Por fjala e fundit, që thanë, ishte ‘Jezus, Jezus’. Nuk e shitën fenë, sepse Shpirti i Shenjtë ishte me ta”.

Vetëm ç’mban firmën e Zotit i qëndron kohës

         Vendosmëria e apostujve, vijoi Papa, e bëri të dridhet “sistemin fetar” hebre dhe ngjalli reagime të dhunshme, siç ndodh edhe sot me ata, që e luftojnë krishterimin. Në Sinedër, Gamalieli “u tregon vëllezërve të vet si ta ushtrojnë artin e gjykimit e të shoshitjes para situatave, që dalin nga skemat e zakonshme”. U kujtoi se çdo projekt njerëzor, edhe nëse fillimisht është i suksesshëm, është i destinuar të dështojë, ndërsa “gjithçka vjen nga lart dhe mbart ‘firmën’ e Zotit është e destinuar t’i qëndrojë kohës”:

         “Planet njerëzore dështojnë gjithmonë; kanë një kohë të përcaktuar, si ne. Mendoni për sa e sa projekte politike, për mënyrën si ndryshojnë nga njëra anë në tjetrën, në të gjitha vendet. Mendoni për perandoritë e mëdha, për diktaturat e shekullit të kaluar. Ndiheshin shumë të fuqishme, donin të zotëronin botën. E pastaj, u shembën të gjitha. Mendoni edhe për sot, për perandoritë e sotme: do të shemben, nëse Zoti nuk është me to, sepse forca e njerëzve nuk është e qëndrueshme. Vetëm forca e Zotit i qëndron kohës”.

T’i lutemi Zotit për hirin që t’i kuptojmë shenjat e Tij

         Gamalieli i bind anëtarët e Sinedrit të mos i persekutojnë apostujt, që pastaj, të mos rrezikonin të luftonin kundër Zotit. Fjalët e tij, theksoi Papa, “kanë shijen e Ungjillit”, sepse na ftojnë ta njohim pemën nga frytet, që jep. Pikërisht, për këtë lloj shoshitjeje e gjykimi duhet t’i lutemi Shpirtit të Shenjtë, përfundoi Françesku:

         “T’i kërkojmë që të dimë ta shohim gjithmonë unitetin e historisë së shëlbimit, përmes shenjave të kalimit të Zotit në kohën tonë dhe në fytyrat e atyre, që kemi përkrah, që të mësojmë kështu, se koha dhe fytyrat njerëzore janë lajmëtare të Zotit të gjallë”.

18 shtator 2019, 12:44