Kërko

Papa: ta mbajmë ndezur llambën e fesë, për t’i ndiçuar ‘netët’ e jetës

Ishte vigjilenca, tema kryesore e Engjëllit të Tënzot të kësaj së diele. Ji vigjilent! - porositi Françesku - Nëse vihesh për udhë, rri gjithnjë i lidhur ngushtë me Zotin. Ec i ndriçuar nga llamba e fesë, që është edhe për të mirën e vëllezërve. Talentet duhet të japin fryte mbi tokë, me mallin për qiell!

R. SH. - Vatikan

“Duhet të rrimë zgjuar! Vazhdimisht! Për ta ndjerë hapin e Zotit, kur të kalojë në jetën tonë”. Këtë theksoi Papa Françesku në reflektimin e tij, para Engjëllit të Tënzot, duke komentuar Ungjillin e  kësaj së diele (Lk 12,32-48) përmes të cilit Jezusi i nxit dishepujt e vet me fjalët:

“Të jeni gati, veshur e ngjeshur, me llamba të ndezura, porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllojë!”.

Gati për udhë!

Veshur e ngjeshur është shprehje figurative. Do të thotë “gati për shtegtim”. Figura e shtegtarit  - vijoi Françesku:

“Është fjala për të mos lëshuar rrënjë në banesa të rehatshme e të sigurta, por për ta lëshuar gjithë vetveten në dorë të Zotit, për t’i besuar me thjeshtësi e gatishmëri vullnetit të Atij, që na prin drejt cakut të mëpasëm. Zoti ecën gjithnjë me ne e shpesh na shoqëron duke na marrë për dore, për të na prirë, që të mos gabojmë në këtë udhë kaq të vështirë”.

Jeta e fesë nuk është statike - vijoi - ka gjithnjë etapa të reja, që Zoti vetë na i tregon, ditë për ditë.

Duhet fe e patundur, për të ndriçuar netët e errëta

Llambat e ndezura ndriçojnë terrin e natës e na kujtojnë se duhet të jetojmë një fe të vërtetë - pophoi Papa - për të na i ndriçuar netët e shumta, që dynden mbi jetën njerëzore. Na duhet llamba! Po llamba duhet ushqyer me lutjen e vazhdueshme dhe me dëgjimin e Fjalës. E Papa - duke folur lirisht - përsëriti porosinë, që vijon ta kujtojë vazhdimisht:

“Mbajeni gjithnjë me vete një Ungjill të vogël, për ta lexuar ditë për ditë. E edhe çast për çast, kur mbi çastet dyndet errësira e jetës. Është takim me Jezusin -  nënvizoi - me fjalën e Krishtit”.

Më pas, simboli i llambës:

“Kjo llambë na u besua për të mirën e të gjithëve: asnjëri nuk mund të tërhiqet në skutën e vet, i sigurt se do të shpëtojë, pavarësisht nga të tjerët. Është fantazi të besosh se mund të ndriçohesh përmbrenda vetes, vetvetiu. Fantazi! Feja e vërtetë e hap zemrën për të afërmin, e çon drejt bashkimit konkret me vëllezërit, posaçërisht me ata, që janë më nevojtarë”.

Të jemi gati, për takimin e fundit me Zotin

Në faqen ungjillore, Jezusi, duke u treguar dishepujve të vet një shëmbëlltyrë, vë theksin mbi një aspekt tjetër të vigjilencës: “Duhet të jeni gati për takimin e fundit, përfundimtar me Zotin”. E Françesku pohoi:

“Zoti na kujton se jeta është udhë drejt amshimit, prandaj jemi të thirrur  t’i shfrytëzojmë talentet tona, t’i bëjmë të japin fryte, pa harruar se nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por se shkojmë drejt vendit të ardhshëm. Në këtë perspektivë, bëhet i çmuar çdo çast, prandaj duhet të jetojmë e të veprojmë mbi këtë tokë, me mallin për qiell. Këmbët mbi dhe e zemrën ngarkuar me mall për qiell!”.

Premtimi për lumturi të përkryer, e të amshuar

Na pret lumturia e amshuar, lumturia e Zotit. Është gëzim që tani nuk mund ta kuptojmë plotësisht, por Jezusi na e jep një ide, kur thotë se zotëria, në kthim, duke i gjetur shërbëtorët ende të zgjuar, do të ngjeshë përparësen e shërbimit, ata do t’i ulë në tryezë, do t’u afrohet dhe do t’u shërbejë.  E së fundi, Françesku theksoi:

“Gëzimi i amshuar i Parrizit shfaqet kështu: gjendja përmbyset! E nuk do të jenë më shërbëtorët, domethënë ne, që do t’i shërbejnë Zotit, po Zoti vetë do të vihet në shërbimin tonë. E këtë Jezusi e bën që tani: Jezusi  na shërben që tani, është shërbëtori ynë. Ky do të jetë gëzimi përfundimtar. Mendimi i takimit përfundimtar me Atin përplot me mëshirë na e mbush shpirtin me shpresë, na nxit për angazhim të vazhdueshëm për shenjtërimin tonë e për ndërtimin e një bote më të drejtë e më vëllazërore”.

 

11 gusht 2019, 15:08