Kërko

Vatican News
Kopertina e librit "La irrupción de los Movimientos Populares: Rerum novarum de nuestro tiempo" Kopertina e librit "La irrupción de los Movimientos Populares: Rerum novarum de nuestro tiempo" 

Papa: Lëvizjet Popullore, forcë transformimi shoqëror

Ati i Shenjtë shkruan parathënien për një libër të Shtëpisë Botuese të Vatikanit LEV. Në të paraqiten pesë vjet reflektime për punën e mijëra shoqatave, të cilat, duke vepruar si “leva për transformimin shoqëror”, luftojnë për një model të drejtë e gjithëpërfshirës zhvillimi.

R.SH. - Vatikan

Vlerat e mëdha dhe sfidat e qindra shoqatave, që luftojnë kundër mënjanimit të njerëzve: kjo është tema qendrore e parathënies së shkruar nga Papa Françesku për librin “Vërshimi i lëvizjeve popullore: ‘Rerum Novarum’ i kohës sonë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV. Ky botim, për të cilin është kujdesur Komisioni Papnor për Amerikën Latine, do të paraqitet në shtator. Në të janë përfshirë fjalimet kryesore të Takimeve Botërore të cilat, që nga viti 2014, kanë mbledhur mijëra përfaqësues të Lëvizjeve Popullore në anë të ndryshme të kontinentit amerikan.

Njerëzit e periferive nuk janë aktorë pasivë

         Papa Françesku e fillon reflektimin e tij duke pohuar se ata, që jetojnë në periferitë territoriale dhe ekzistenciale, nuk janë vetëm një sektor i popullatës tek i cili duhet të arrijë Kisha, por janë edhe “një farë, një degë, që, si kokrra e sinapit, do të japë shumë fryt”, sepse, sipas tij, ata shërbejnë si “levë për transformime të mëdha shoqërore”. Këta njerëz, pohon Ati i Shenjtë, nuk janë aktorë pasivë ose thjesht, përfitues të ndihmës sociale, të cilët duhet vetëm të bëjnë sehir elitat që administrojnë botën, por janë protagonistët e vërtetë aktivë për të ardhmen e njerëzimit dhe, “rebelimi i tyre paqësor” mbështetet pa dyshim nga solidariteti i Papës.

Lëvizjet shoqërore, alternativë e rëndësishme

         Këtë veprimtari të Lëvizjeve shoqërore transkombëtare dhe transkulturore, Françesku e sheh si “modeli shumëplanësh”, të cilit i referohet në Nxitjen Apostolike “Evangelii Gaudium” (n. 2), që ka në bazë një paradigmë shoqërore të themeluar mbi kulturën e takimit.

Për Papën, këto lëvizje, të cilat paraqiten në libër përmes betejave të tyre për drejtësi, “përfaqësojnë një alternativë të rëndësishme shoqërore, një britmë që vjen nga thellësitë e shpirtit, një shenjë kundërshtie, një shpresë se gjithçka mund të ndryshojë”. Mënyra e tyre për t’i rezistuar modelit mbizotërues, përmes dëshmisë së punës e të vuajtjes, sipas Atit të Shenjtë, i bën “lajmëtare” të një të ardhmeje më të mirë.

Lëvizjet popullore ilaç kundër populizmit

Duke pohuar bindjen se njerëzimi po përballet me një ndryshim epokal të karakterizuar nga frika, ksenofobia dhe racizmi, Papa siguron se “Lëvizjet Popullore përfaqësojnë një burim energjie morale, që mund t’i rigjallërojë demokracitë tona”. Në fakt, vazhdon ai, në një shoqëri globale, të plagosur nga një ekonomi gjithnjë e më larg etikës, këto realitete shoqërore mund të veprojnë si ilaç kundër populizmit dhe “politikës spektakël”, pasi ato nënkuptojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe krijimin e një force pozitive të bashkësisë, që kundërshton kulturën individualiste.

Papa bën thirrje për një humanizëm të ri

Në përfundim, Ati i Shenjtë nënvizon se puna e njeriut është një nga ato të drejta të shenjta, që duhet t’i sigurohen secilit. Para devijimeve të tezave neoliberale dhe neo-shtetërore, që i mbytin dhe i shtypin njerëzit e punës, Papa Françesku bën thirrje për një “humanizëm të ri, që i jep fund analfabetizmit të dhembshurisë dhe eklipsimit të vazhdueshëm të kulturës dhe të së mirës së përbashkët”.

20 gusht 2019, 15:15