Cerca

Vatican News

Audiencat e përgjithshme: të gjitha ketekizmat e Papës Françesku

Papa ka mbajtur, deri tani, 279 katekizma, gjatë audiencave të përgjithshme: më 7 gusht, me rifillimin e këtyre takimeve, ato u bënë 280. Takim i rëndësishëm, audienca e përgjithshme. I krijon Papës mundësinë të propozojë, thjeshtë, për t’u kuptuar nga të gjithë, mësimet themelore të Kishës Katolike.

R. SH. - Vatikan

Papa ka mbajtur, deri tani, 279 katekizma, gjatë audiencave të përgjithshme: më 7 gusht, me rifillimin e këtyre takimeve, ato u bënë 280. Takim i rëndësishëm, audienca e përgjithshme. I krijon Papës mundësinë të propozojë, thjeshtë, për t’u kuptuar nga të gjithë, mësimet themelore të  Kishës Katolike. Po provojmë t’i kujtojmë shkurtimisht!

Cikli i parë: të jetojmë si të ringjallur!

Ishte data 27 mars 2013, kur Françesku mbajti katekizmin e parë të Papnisë. Ftesa e parë drejtuar besimtarëve:

 “Të jetojnë si të ringjallur, duke e ndjekur Jezusin në udhën e tij të Kryqit! E të Ngjalljes. Kjo do të thotë të hysh në logjikën e Zotit, në logjikën e kryqit, që nuk është, para së gjithash,  udhë e dhimbjes dhe e vdekjes, por e dashurisë dhe e dhurimit të vetes. Udhë, që sjell jetën”.

Viti i Fesë: Ngjallja e Krishtit, forca jonë!

“Vdekja dhe Ringjallja e Jezusit janë zemra e shpresës sonë” - pohon Papa në katekizmat kushtuar Vitit të Fesë:

“Pa besimin në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, shpresa jonë do të ishte e ligshët, madje nuk do të ishte fare shpresë… Për fat të keq, jo një herë janë  bërë përpjekje për ta errësuar besimin në Ngjalljen e Krishtit, e deri besimtarët kanë nisur të dyshojnë e të mendojnë për një vizion thjesht horizontal të jetës. Po është pikërisht Ngjallja, ajo që hap rrugën e shpresës më të madhe, rrugën drejt ardhmërisë së amshuar të Zotit, të lumturisë së përkryer, të sigurisë se e keqja, mëkati e vdekja mund të pësojnë disfatën e fundit”.

Sakramentet e shndërrojnë jetën

Sakramentet nuk janë kurrë rite formale - kujton Françesku gjatë katekizmave, që ua kushton - por akte, të cilat e shndërrojnë jetën tonë. “Duke nisur nga Pagëzimi, që na çliron nga mëkati i rrjedhshëm; sakrament, mbi të cilin bazohet feja jonë, e cila shartohet si gjymtyrë e gjallë në Krishtin e në Kishën e Tij. Së bashku me Eukaristinë e Krezmimin, formon atë që quhet “fillesa e jetës së krishterë”.

Dhurata e Shpirtit Shenjt: ta jetojmë gjithçka me zemrën e Zotit në kraharor!

Shpirti Shenjt - nënvizon Françesku në katekizmat, zemra e të cilave është Vetja e tretë hyjnore - përbën shpirtin, limfën jetike të Kishës e të çdo të krishteri:

“…është dashuria e Zotit, që e bën zemrën tonë banesën e Tij dhe hyn në bashkim me ne. Shpirti Shenjt është gjithnjë me ne, gjithnjë në ne… është dhurata e Hyjit. Dhuratë,  e cila i komunikon atìj, që e pranon, hire të shumta shpirtërore”.

Kisha: i krishteri i përket një populli

“Të flasësh për Kishën, do të thotë të flasësh për nënën tonë, për familjen tonë” - shpjegon Françesku,  duke i kushtuar një cikël të ri Kishës:

“Kisha nuk është institucion, që i shërben vetvetes, as shoqatë private, Ojq. Aq më pak duhet parë thjesht si kler a si Vatikan. Të jesh Kishë, do të thotë ta ndjesh veten në dorë të Zotit, që është Atë, na do, e deshi të formojë një popull të bekuar nga dashuria e Tij…  që  resh bekimin mbi të gjithë popujt e tokës. Të bësh pjesë në Kishë, do të thotë t’i përkasësh këtij populli”.

E, më pas, thekson me forcë:

“Ndonjëherë ndodh të dëgjosh të thuhet: ‘Unë besoj në Zotin, besoj në Krishtin, po Kisha nuk më intereson’. Kjo nuk shkon! Jashtë ndërmjetësimit të Kishës nuk mund të ketë Kungim. E ky Sakrament është takim i menjëhershëm me Krishtin”.

Katekizmat kushtuar familjes

 Ndërmjet dy Sinodeve kushtuar Familjes, Papa e vuri në qendër të vëmendjes së një cikli të tërë këtë bashkësi, bazë e jetës njerëzore. Pohoi, në rrjedhë të katekizmave, të vërtetat themelore të martesës: pazgjidhshmërinë, unitetin, besnikërinë, hapjen e udhës për krijimin e jetëve të reja.

Mëshira: çka i pëlqen më shumë Zotit

Cikli më i gjatë i katekizmit iu kushtua Vitit Shenjt të Mëshirës.  Me pohimin themelor, në qendër të vëmendjes:

“Jezusi është mëshira e mishëruar, që e bën të dukshme për sytë tanë, misterin e madh të dashurisë trinitare të Hyut. T’i falësh bijtë e tij, të kesh mëshirë për ta: kjo është gjëja, që i pëlqen më shumë Zotit!”.

Shpresa e krishterë nuk të zhgënjen

“Optimizmi të zhgënjen, shpresa, jo!”- shpjegon Papa në ciklin e katekizmit, kushtuar shpresës së krishterë, i dyti për gjatësi.

Mesha: pa Eukaristinë, nuk mund të jetojmë

Është themelore për ne, të krishterët - kujton Françesku në ciklin e katekizmit kushtuar Eukaristisë - ta kuptojmë mirë vlerën dhe domethënien e Meshës, për ta jetuar më përsosurisht lidhjen tonë me Zotin.

 “Nuk mund ta harrojmë numrin e madh të të krishterëve që, në mbarë botën, në dymijë vjet historie, qëndruan burrërisht deri në vdekje, për ta mbrojtur Eukaristinë. E edhe ata që sot vijojnë ta vënë në rrezik jetën, për të marrë pjesë në Meshë”.

Cikli i katekizmit për Pagëzimin e Krezmimin

Papa, gjatë katekizmave të tij, u kthye dy herë te dy Sakramentet kryesore të Kishës Katolike, duke u drejtuar besimtarëve pyetjen:

“Si mund ta kuptojmë se e kemi marrë Dhuratën e Shpirtit Shenjt?”- E duke u përgjigjur: “E kuptojmë, nëse kryejmë veprat e Shpirtit, nëse shqiptojmë fjalë, që na i mëson Shpirti”.

Dhjetë urdhërimet – cikël tjetër katekizmi!

Duke folur për Dhjetë Urdhërimet, gjatë ciklit kushtuar atyre,  Papa kujtoi:

“Jeta e re nuk është përpjekje titanike për të qenë në përkim me një normë! Jeta e re është vetë Shpirti i Zotit, që nis të na prijë deri te frytet e tij. Takohen, kështu, dy gëzime: gëzimi i Zotit,  që na do; e yni, që e ndjejmë se duhemi!”.

Atyna

Në ciklin kushtuar Atynës, Françesku i fton besimtarët të përsërisin bashkë me Jezusin: “Zot, më mëso të lutem!”. Duke kujtuar se:

“Ne nuk mund të lutemi kurrë pa forcën e Shpirtit Shenjt, që na bën të aftë të lutemi si bij të Zotit”.

Veprat e Apostujve, shtegtimi i Ungjillit nëpër botë!

Cikli i fundit i katekizmit, që Papa sapo e ka nisur, është ai që i kushtohet Veprave të Apostujve. Na kujton se:

“Fjala e Zotit vrapon, është dinamike, vadit çdo truall ku bie… fjala njerëzore nuk bëhet e vlefshme në sajë retorikës… por në sajë të Shpirtit Shenjt, që është dýnamis i Hyut ... forca e tij, që ka pushtet ta pastrojë fjalën, ta bëjë mbartëse të jetës!”.

Po  katekizmat me këtë temë vijojnë…. Së bashku me thirrjet për paqen në botë e, sidomos, për mbrojtjen e jetës!

09 gusht 2019, 14:21