Kërko

Thirrja e Papës për Venezuelën: marrëveshje, sa më shpejt!

Pas lutjes mariane, Papa bëri thirrje të fuqishme për Venezuelën, duke theksuar rëndësinë e arritjes sa më të shpejtë të një marrëveshjeje, për të mirën e njerëzve.

R. SH. - Vatikan

Siç ka bërë disa herë që nga fillimi i krizës së rëndë politike, shoqërore dhe ekonomike në Venezuelë, Papa, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, bëri një thirrje të re, të fuqishme, për vendin latinoamerikan, të tronditur nga manifestimet:

“Edhe një herë dëshiroj t’i shpreh afërsinë time popullit venezuelan, vënë në provë të rëndë nga zgjatja e krizës. Lusim Zotin t’i frymëzojë e t’i shndrisë palët në konflikt për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje, që t’i japë fund vuajtjeve të njerëzve, për të mirën e vendit  e të mbarë rajonit”.

Të ndryshohet sa më shpejt drejtimi!

Françesku nxit të arrihet një marrëveshje e menjëhershme për ta kapërcyer krizën ndërmjet presidenti Maduro dhe opozitës së udhëhequr  nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Juan Guaidò. Ipeshkvijtë venezuelanë, pikërisht dje, në një letër, kërkuan ndryshimin e drejtimit, domethënë, rikthimin tek Kushtetuta, për t’u dhënë fund vuajtjeve të shumta të popullsisë, që po detyrohet ta lërë në masë vendin. Deri tani numërohen më se 4 milionë refugjatë. Ky ndryshim - lexohet në nxitjen baritore të Asamblesë së 112 plenare të Konferencës ipeshkvnore venezuelane “kërkon dorëheqjen e atyre, që ushtrojnë në mënyrë të paligjshme pushtetin dhe zgjedhjet e presidentit të ri të Republikës, në një afat sa më të shkurtër të mundshëm, nën mbikqyrjen e organizatave ndërkombëtare”. Ipeshkvijtë i shqetësohen fort edhe për emergjencën humanitare, të cilën Karitasi po përpiqet ta përballojë me të gjitha mënyrat. Shumë Ojq po japin ndihmesën tyre në vend. Ndërmjet tyre, Unicef-i, që nisi një fushatë vaksinimi kundër poliomelitit për 3,1 milionë fëmijë nën moshën 3 vjeçare.

 

14 korrik 2019, 15:09