Kërko

1562245223732.JPG

Papa priti presidentin rus Putin: Siria, Ukraina dhe Venezuela në qendër të bisedimeve

Ishte "njё kënaqësi e sinqertë dhe e gëzueshme" pёr Papën Françesku audienca me Presidentin rus Vladimir Putin nё Vatikanit. Në takime, iu kushtua vëmendje mjedisit dhe disa çështjeve "të rëndësishme" për jetën e Kishës Katolike në Rusi.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot për herë të tretë gjatë papnisë së tij, presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, në një bisedë prej 55 minutash në Pallatin Apostolik në Vatikan.

Në “via della Conciliazione” të blinduar e plot me njerëz të forcave të rendit, makina luksoze Aurus Senat “made in Russia” e presidentit Putin mbërriti në Vatikan me 50 minuta vonesë. Në Oborrin e Shën Damazit, presidenti rus u prit nga Prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Georg Genswein. Takimi me Papën u zhvillua në Sallën e Fronit.

"Çështja ekologjike", temat e "aktualitetit  ndërkombëtar" me një vëmendje të veçantë ndaj "Sirisë, Ukrainës e Venezuelës", si dhe ndaj "disa çështjeve tjera të rëndësishme për jetën e Kishës Katolike në Rusi". Këto, pra, temat e "bisedimeve të përzemërta" qё u zhvilluan sot pasdite në Vatikan me rastin e audiencës së Papës Françeskut me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin. Njoftimin e dha drejtori i përkohshëm i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë Alessandro Gisotti, i cili lexoi një njoftim shtypi për gazetarët e foli për "kënaqësinë e sinqertë dhe të gëzueshme" siç e njoftoi vetë Papa.

Gjatë bisedimeve, të dyja palët shprehën kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, të përforcuara më tej me nënshkrimin, pikërisht ditën e sotme, të memorandumit të mirëkuptimit dhe tё bashkëpunimit  ndërmjet spitalit të Vatikanit "Bambino Gesu" dhe spitaleve pediatrike të Federatës Ruse.

“Bisedë shumë e rëndësishme”: kështu i tha Putin Papës Françesku, kur e falenderoi për kohën, që i kushtoi. Temat e takimit prekën çështje të Kishës e çështje politike, që kanë të bëjnë si me Rusinë e me Vatikanin, ashtu edhe me gjithë botën.

Dhuratat e Papës për presidentin rus Putin

Pas paraqitjes së delegacionit rus dhe shkëmbimit të dhuratave me Papën Françesku, presidenti rus Vladimir Putin, së bashku me shoqëruesit, u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher. Ati i Shenjtë i dhuroi presidentit rus Mesazhin e Paqes së këtij viti, duke i thënë: “E firmosa sot për ju”. Përveç kësaj, Papa i dha edhe Dokumentin e Abu Dabit mbi Vëllazërimin Njerëzor, Nxitjen apostolike “Gaudete et exsultate” për thirrjen e shenjtërisë në botën bashkëkohore e Nxitjen apostolike pas-sinodale kushtuar të rinjve “Christus vivit”. Nuk mungoi edhe një gravurë e Giuseppe Vasi-t, që presidenti Putin “të mos e harrojë Romën”, siç i tha Françesku

04 korrik 2019, 16:00