Kërko

 Papa Françesku: videomesazh kushtuar parandalimit të abuzimeve Papa Françesku: videomesazh kushtuar parandalimit të abuzimeve 

Papa: apostullimi i parandalimit është kyçi kundër abuzimeve

Në një videomesazh spanjisht drejtuar studentëve të një kursi mbi protokollet dhe proceset e parandalimit për mbrojtjen e të miturve, në program deri më 26 korrikun e ardhshëm, pranë Universitetit Papnor të Meksikës, Papa nënvizon me forcë rëndësinë e parandalimit.

R. SH. - Vatikan

Mbrojtja e të miturve “është problem tepër serioz”. Të gjithë e dimë  çfarë turpi i solli ky problem Kishës, për shkak të klerikëve të ngatërruar me këto krime. “Askush nuk duhet të abuzojë mbi të miturit! Askush nuk duhet të guxojë t’i pengojë për ta takuar Jezusin!”. Këtë nënvizon Papa Françesku në videomesazhin drejtuar, këto ditë, pjesëmarrësve në kursin  e organizuar në Meksikë, nga Qendra e kërkimit dhe e formimit ndërdisiplinor për mbrojtjen e  të miturve (Ceprome).

Parandalim!

Kurs i rëndësishëm  - kujton Papa - për gjithë  të miturit, që askush të mos guxojë t’i shpërdorojë. “Lërini të vijnë tek unë!”. Duke kujtuar fjalët e Jezusit, Françesku nënvizon se kushdo qoftë ai - rregulltar a ipeshkëv - që e pengon fëmijën të takohet me Krishtin, duhet ndaluar, duhet korrigjuar, në se jemi në kohë, a duhet dënuar, nëse kemi të bëjmë me një krim! “Parandalim! Parandalim! Parandalim!” - shton Françesku - për t’ia prerë një herë e mirë rrugën vijimit të abuzimeve.  Ky - nënvizon Papa - “është apostullimi i parandalimit”. Don Bosko - vijon -  e kuptoi i pari këtë, prandaj krijoi një metodë të re veprimi në edukim, që u bë e njohur, pastaj, me emrin metodë parandaluese. Metodë, kjo, e kritikuar në periudhat  më iluministe të shkollimit. Por në vijim u pa se ishte me vlerë të madhe. “Ky sistem - shpjegon Françesku - ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse nuk dihet kurrë ku e si mund të abuzohet me një fëmijë, ku e si shkel në rrugë të shtrembër, ku e kush e mëson të drogohet, gjë që është një nga format e korrupsionit”:

“Nuk duhet menduar - shton Papa - vetëm për shpërdorimin seksual, por për të gjitha llojet e  shpërdorimeve”.

Veprimtaria  e Ceprome

Kursi u përurua në auditorin e Universitetit Papnor të Meksikës nga nunci apostolik, imzot Franco Coppola, me një hyrje, përqendruar tek tema: “Parandalimi i abuzimeve në Kishën latinoamerikane”. Ceprome lindi në vitin 2016, nga marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Universitetit Papnor të Meksikës dhe Qendrës për mbrojtjen e fëmijëve, me seli pranë Universitetit Gregorian të Romës. Qendra, e drejtuar nga meshtari psikolog, atë Daniel P. Trevizo Portillo, do të organizojë edhe Kongresin e parë latinoamerikan, kushtuar parandalimit të shpërdorimeve mbi të miturit, në program më 6 deri më 8 nëntor 2019.

Më 16 korrik, Konferenca ipeshkvnore e Meksikës kremtoi një Ditë lutjeje për viktimat e abuzimeve seksuale nga ana e klerikëve.

20 korrik 2019, 17:23