Kërko

Papa: ai hap mbi Hënë, ndez dëshirën për arritje më të mëdha

“Një ëndërr e jashtëzakonshme” - pohoi Françesku pas lutjes së Ëngjëllit të Tënzot, duke kujtuar 50-vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë. E, në vijim, uroi që kujtimi i kësaj ngjarjeje të pashembullt ta nxisë njerëzimin të përparojë drejt një ardhmërie më të mirë, në të cilën të ketë “më shumë dinjitet për të ligshtit, më shumë drejtësi ndërmjet popujve, ardhmëri më të mirë, për shtëpinë tonë të përbashkët”.

R. SH, - Vatikan

Pas lutjes mariane, Papa kujtoi 50-vjetorin e  zbritjes së njeriut në Hënë:

“Pesëdhjetë vjet më parë njeriu vuri këmbën mbi Hënë, duke realizuar një ëndërr të jashtëzakonshme. Uroj që kujtimi i këtij hapi të madh, të ndezë  në zemrën e njerëzimit dëshirën për të përparuar së bashku drejt arritjeve të reja, akoma më të mëdha. Papa uroi të ketë 'më shumë dinjitet për të ligshtit, më shumë drejtësi ndërmjet popujve, ardhmëri më të mirë për shtëpinë tonë të përbashkët'”.

Duke kujtuar këtë lidhje të pazgjidhshme ndërmjet Qiellit e Tokës,  Papa i solli përsëri sytë drejt të vegjëlve dhe etjes për drejtësi, temë në qendër të ndjeteve të lutjes për korrikun 2019.

“Fluturim tejet i guximshëm” - e pati quajtur Pali VI që, i ulur para televizorit, e ndoqi, në mondovizion, këtë ngjarje të pabesueshme, të cilën e skaliti me një frazë të vetme, astronauti Neil Armstrong, që shkeli i pari mbi trojet e Hënës: “One small step for a man, one giant leap for mankind” -  “Hap i vogël për njeriun, po hap vigan për njerëzimin”.

Pra edhe para Françeskut, Papa Montini e Papët e tjerë, shprehën entuziazmin e tyre për frymën e vërtetë shkencore të sipërmarrjeve të tilla. Natyrisht, me ngjyrime të ndryshme e sipas evoluimit të kohëve, në të cilat jetuan, por gjithnjë me entuziazëm e besim, si u shpreh Papa Gjoni XXIII, gjatë Engjëllit të Tënzot të 12 gushtit 1962. Ishte koha e fluturimeve ruse drejt Afërditës:

“Oh, sa do të dëshironim që këto sipërmarrje t’i kushtoheshin nderimit të Zotit Krijues e ligjvënës suprem! Këto ngjarje historike, siç do të shënohen në analet e njohurive shkencore mbi kozmosin, do të bëheshin, kështu, shprehje e progresit të vërtetë e paqësor, si themel i fortë i vëllazërimit njerëzor”.

21 korrik 2019, 14:21