Kërko

 Nga Mesha, kremtuar në gjshtëvjetorin e vizitës në Lampeduzë Nga Mesha, kremtuar në gjshtëvjetorin e vizitës në Lampeduzë 

Migrantët: Papa, duhen ndihmuar, askush nuk mund të përjashtohet!

“Më të ligshtit e më të pambrojturit duhen ndihmuar!”. E kjo është përgjegjësi e madhe, nga e cila nuk mund të përjashtohet askush”. Këtë nënvizoi Papa në Meshën kushtuar migrantëve, kremtuar sot në Bazilikën e Vatikanit, 6 vjet pas vizitës së tij në Lampeduzë.

R. SH. - Vatikan

“Më të ligshtit e më të pambrojturit duhen ndihmuar!”. E kjo është   përgjegjësi e madhe, nga e cila nuk mund të përjashtohet askush”. E nënvizoi Papa në Meshën kushtuar migrantëve, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, 6 vjet pas vizitës së tij në Lampeduzë. Meshë, që tingëlloi si qortim i fortë ndaj politikës migratore të Italisë, në praninë e 250 migrantëve.

Duke komentuar figurën biblike të shkallës së Jakobit, Papa kujtoi se nëpër të mund të ngjiten të gjithë. Po për t’i ngjitur këmbët e kësaj shkalle duhet impenjim, lodhje, hir. Më të ligshtit duhen ndihmuar - theksoi - duke e  vijuar homelinë me një figurë prekëse ungjillore. Më pëlqen, atëhere – shtoi - të mendoj se mund të jemi ne ato engjëjt, që ngjiten e zbresin, duke i marrë përkrahu të vegjlit, të çalët, të sëmurët, të përjashtuarit: të fundmit, që përndryshe do të mbeteshin mbrapa e do të shikonin vetëm mjerimet e  kësaj toke, pa mundur të shijojnë që këtu ndonjë nga vezullimet qiellore. Është përgjegjësi e madhe, nga e cila askush nuk mund të heqë dorë – nënvizoi Papa - nëse duam ta përmbushim misionin e shpëtimit dhe të çlirimit, në të cilin na thirri të bashkëpunojmë vetë Zoti.

E di - përfundoi Françesku, duke iu drejtuar migrantëve të pranishëm në Meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit - se shumë prej jush, që arritën vetëm ndonjë muaj më parë, kanë nisur tashmë t’i ndihmojnë motrat dhe vëllezërit e sapoardhur. Dua t’ju falënderoj për këtë shenjë të bukur humanizmi, mirënjohjeje e solidariteti.  

08 korrik 2019, 12:25