Kërko

Vatican News
 Papa Benedikti XVI: kremtimi i Engjëllit të Tënzot në  Romano Canavese Papa Benedikti XVI: kremtimi i Engjëllit të Tënzot në Romano Canavese  

Mesazh i Benediktit XVI, dhjetë vjet pas vizitës në Romano Canavese

Benedikti XVI, me rastin e dhjetëvjetorit të vizitës në Romano Canavese, i shkruan famullitarit një mesazh, duke i shprehur falënderimet për “pritjen gazmore që i bëri vendi, më 2009.

R. SH. - Vatikan

Kanë kaluar dhjetë vjet nga vizita e Benedikti XVI në Romano Canavese, në dioqezën e Ivresë. Ishte 19 korriku i vitit 2009, kur Papa i nderit kremtoi lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot në vendlindjen e kardinalit Tarcisio Bertone. Duke e kujtuar këtë ditë feste, Benedikti XVI i drejtoi një mesazh famullitarit të vendit piemontez, don Jacek Peleszyk.

Mesazhi i Benediktit XVI

Papa i nderit nxit “të mobilizohen të gjitha energjitë pozitive, për të dhënë siguri e shpresë në këtë çast të vështirë kulturor e shoqëror”. Më poshtë, teksti i mesazhit:

“Kujtoj me kënaqësi këtë ditë feste e ju falënderoj edhe një herë  për pritjen që më bëtë. Vetë emri juaj të sjell menjëherë në mendje lidhjet dymijëvjeçare të Canavese-s me Romën. Feja e krishterë la gjurmë të thella e të pashlyeshme mbi historinë tuaj, gjë që vijon ta dëshmojë kisha juaj famullitare. Uroj të ushqeheni edhe në vijim me vlerat themelore, që ushqyen edhe bashkëqytetarët dhe t’i mobilizoni të gjitha energjitë pozitive për të dhënë siguri e shpresë, në këtë çast të vështirë të rrethanave shoqërore e kulturore. Kërkoj, për ju, në lutje, mbrojtjen amëtare të Marisë e të shenjtorëve tuaj pajtorë dhe i bekoj me gjithë zemër familjet, të sëmurët, pleqtë,  adoleshentët e të rinjtë”.

Mesha, kryesuar nga kardinali Bertone

Për ta kujtuar këtë ngjarje, në vendin piemontez u mbajt një kremtim eukaristik përkujtimor, kryesuar nga kardinali Tarcisio Bertone, sekretar nderi i Shtetit të Vatikanit. Gjatë homelisë, kardinali Bertone e quajti Papën Benedikti “Model i lutjes. Njeri i Zotit - shtoi -  që e kalon gjithë ditën në meditim e në uratë, duke e shoqëruar kështu udhën e Kishës  dhe të Pasardhësit të Shën Pjetrit”.

Pas kremtimit eukaristik u transemetua vizita e filmuar e Papës Benedikti XVI në vend.

Engjëlli i Tënzot i 2009

Gjatë Engjëllit të Tënzot të 19 korrikut 2009, Papa i nderit pati nënvizuar se:

 “Provania e ndihmon gjithnjë njeriun e drejtë, atë që bën veç mirë; që  nuk mendon vetëm për vete, por ia shtrin dorën edhe kujt është më keq se ai vetë”.

E akoma:

“Vlerat themelore të familjes, të respektit e të jetës njerëzore, ndjeshmëria ndaj drejtësisë shoqërore, aftësia për t’i përballuar lodhje e flijim, lidhja e fortë me fenë e krishterë përmes jetës famullitare e, posaçërisht, pjesëmarrja në Meshën Shenjte, kanë qenë gjatë shekujsh e vijojnë të jenë forca e vërtetë! E do të jenë po këto vlera, që do t’u sigurojnë breznive të reja të sotme mundësitë ta ndërtojnë plot me shpresë ardhmërinë e tyre në fushat e ndryshme, duke krijuar një shoqëri me të vërtetë solidare e vëllazërore, ku të gjitha fushat e jetës, institucionet dhe ekonomia  përshkohen tej e mbanë nga shpirti ungjillor”.(Benedikti XVI, nga Engjëlli i Tënzot i 19 korrikut 2009)

Benedikti XVI, qytetar nderi i Romano Canavese

Benedikti XVI ka qenë gjithnjë i lidhur shpirtërisht me Romano Canavese, komune piemonteze që, në vitin 2010 e shpalli Papën e nderit, Qytetar nderi. Me këtë gjest - iu përgjigj Benedikti këtij nderimi, që i bëhej - më pranuat në familjen e madhe të Romano Canavese, edhe pse nuk mund të jem fizikisht mes jush, por sigurisht nuk do t’ju mungojë kurrë prania ime e përzemërt atërore. Ndjehem, në një farë mënyre,  pjesë  e historisë suaj të lavdishme, me rrënjë që nisin në shekullin II para lindjes së Krishtit e me çaste të paharrueshme historike, posaçërisht në Mesjetë e në shekullin 19-të”.

29 korrik 2019, 18:05