Kërko

Vatican News

Françesku: të harmonizohet kundrimi me veprimin, për të jetuar me gëzim

Duhet të pushosh paksa, për të ndenjur me Jezusin, në dëgjim, pa iu kushtuar i tëri vetëm punëve, që nuk mbarojnë kurrë. E njëkohësisht, të jesh në shërbim të vëllezërve. Udha, që tregoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, është ajo e Marisë e edhe e Martës, motrave të Lazrit.

R. SH. - Vatikan

Kundrim e veprim!  “Urtia e zemrës” është ajo, që di t’i harmonizojë  këto dy sjellje, sipas shembullit të Marisë e të Martës, që e mikpresin Jezusin në shtëpi, siç na e rrëfen Ungjilli i sotëm. Këtë kujtoi Papa në Engjëllin e Tënzot të kësaj së dieleje përvëluese korriku, duke u takuar me besimtarët  në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa i nxiti t’i duan vëllezërit e t’u shërbejnë me “duart e Martës e me zemrën e Marisë”, duke dëgjuar gjithnjë fjalën e Zotit. Po të sillemi kështu - pohoi - bëhemi mjeshtra të paqes e të shpresës:

“Nëse duam ta shijojmë jetën me gëzim, duhet t’i shoqërojmë këto dy sjellje: nga njëra anë, të rrimë tek këmbët e Jezusit, për ta dëgjuar ndërsa na zbulon fshehtësitë e të gjitha gjërave; e nga ana tjetër, të tregohemi të kujdesshëm, gati për ta mikpritur, kur Ai kalon e ndalet e na troket në portë, me fytyrën e mikut, që ka nevojë për një çast prehjeje e vëllazërie. Duhet ta kemi gjithnjë këtë aftësi për mikpritje”.

Mënjanë gjithçka, për të dëgjuar Zotin

Maria lë mënjanë gjithçka, për ta dëgjuar Jezusin, duke menduar se punët mund të bëhen edhe më vonë. Ulet te këmbët e Tij e përhumbet në dëgjim të Fjalës së Zotit.

“Zoti të çudit gjithnjë, kur e dëgjon me gjithë zemër - kujtoi Papa – Kur flet Zoti, retë davariten; dyshimet ia lëshojnë vendin së vërtetës; frika, sigurisë e telashet e pafundme të jetës gjejnë rrugën drejt  zgjidhjes. Kur vjen Zoti, vjen për t’i rregulluar punët, jo për t’i prishur! Kur vjen Jezusi, vjen për t’i davaritur retë e jetës, jo për t’i dyndur mbi jetën tënde! Kur vjen, vjen për të sjellë paqe e gëzim”.

Prandaj duhet t’i lëmë për një çast punët, që nuk mbarojnë kurrë e të ulemi e të rrimë mënjanë, tek këmbët e Tij. Për t’u rikthyer, pastaj, përsëri, tek punët e përditshme:

“Duke e lavdëruar sjelljen e Marisë, ‘që zgjodhi pjesën më të mirë’, Jezusi duket sikur i përsërit secilit prej nesh: ‘Mos ia kushto gjithë vetveten, punëve, të cilat duhen bërë por, para së gjithash, dëgjo zërin e Zotit, nëse do që, pastaj, t’i kryesh mbarë e mirë të gjitha rangët e përditshme e të përjetshme”.

Mikpritje në bashkësitë tona!

Ndërsa  Maria rri e dëgjon, Marta sillet e përsillet pa pushuar kurrë, e zënë siç është me njëmijë punë. Kur i thotë se po i zihet fryma nga telashet e  shtëpisë, Jezusi sigurisht nuk do ta dënojë se merret vazhdimisht me punë. Përkundrazi! I vjen keq, kur e shikon të pushtuar gjithnjë nga ankthi. Madje Papa na fton ta ndjekim shembullin e Martës së  kujdesshme,  e cila e di mirë ç’do të thotë ta presësh me dashuri mikun, që të troket në portë:

“Edhe ne duhet ta kemi shqetësimin e Shën Martës e, sipas shembullit të saj, duhet që në familjet e në bashkësitë tona ta jetojmë mikpritjen e vëllazërimin. Kështu gjithkush do të mund të ndjehet si në shtëpi të vet, posaçërisht të vegjlit e të varfërit, kur na trokasin në portë”.

21 korrik 2019, 14:27