Kërko

Thirrje e Papës për paqen në Lindjen e Mesme

Duke kujtuar nismën e Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, “Një minutë për paqen” dhe përvjetorin e takimit historik në Vatikan ndërmjet presidentëve të Izraelit dhe Palestinës, më 8 qershor, Papa Françesku kërkoi unitet në qëllime e lutje për një botë më vëllazërore.

R.SH. - Vatikan

Në fund të audiencës së përgjithshme, duke përshëndetur shtegtarët italianë, Papa kujtoi një takim të rëndësishëm: nismën “Një minutë lutje për paqen” të Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, për të kremtuar përvjetorin e takimit historik ndërmjet presidentëve të Izraelit dhe Palestinës, Shimon Peres dhe Mahmoud Abbas, që u mbajt më 8 qershorin e pesë viteve më parë, në Kopshtet e Vatikanit, në praninë e delegacioneve të tyre përkatëse dhe të Patrikut Ekumenik Bartolomeu I. Ja ç’tha Ati i Shenjtë:

“Të shtunën e ardhshme, 8 qershor, bie 5-vjetori i takimit të presidentëve të Izraelit dhe të Palestinës me mua dhe me Patriarkun Bartolomeu, këtu në Vatikan. Në orën 13.00, ftohemi të gjithë t’i kushtojmë ‘një minutë paqes’ - në lutje, për besimtarët e, në reflektim, për ata që nuk besojnë - së bashku për një botë më vëllazërore. Falënderoj Veprimin Ndërkombëtar Katolik, që promovon këtë nismë”.

Lutja është për të gjithë

Zemra, kuptimi, forca shtytëse e kësaj nisme është pra, lutja e të gjithëve për paqen në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën: kudo ndodheni e çfarëdo pune të jeni duke bërë, ndaluni një minut në orën 1 pas dreke, për t’i bërë këtë dhuratë njerëzimit dhe planetit. Këtë vit, Veprimi Katolik bën edhe një kërkesë të veçantë: dëshiron që Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh, Ahmed Al-Tayyeb, të shpërndahet sa më shumë ndër të rinjtë. “Al-Azhari dhe Kisha Katolike – shkruhet në deklaratën për shtyp - kërkojnë që ky dokument të bëhet objekt hulumtimi dhe reflektimi në të gjitha shkollat, universitetet dhe institutet arsimore e formuese, që të kontribuojë në formimin e një brezi të ri – bartës të së mirës e të paqes, si edhe të aftë për të mbrojtur kudo të drejtat e të shtypurve dhe të fundmëve”.

Kuadri aktual në Lindjen e Mesme

Aktualisht gjendja në Lindjen e Mesme është keqësuar sërish. Këto ditë, është ashpërsuar dhuna në Sheshin e Xhamive në Jeruzalem, ku ka pasur manifestime e ndeshje. Një sulm në Qytetin e Vjetër shkaktoi plagosjen e dy hebrenjve, si edhe kapjen e pastaj vrasjen e atentatorit. Tensionet ushqehen më tej edhe për shkak të përkimit të kremtimeve islamike për fundin e Ramazanit dhe atyre izraelite për përvjetorin (sipas kalendarit hënor hebraik) e “Çlirimit të Jerusalemit” gjatë “Luftës së gjashtë ditëve”. Gjendja politike është e nderë, pasi kreu izraelit Netanyahu vendosi të shpërndajë parlamentin dhe të organizojë zgjedhje të parakohshme në shtator.

05 qershor 2019, 16:12