Kërko

2019.06.13 profughi, rifugiati, povertà, mamma e figlia, poveri  2019.06.13 profughi, rifugiati, povertà, mamma e figlia, poveri  

Papa Françesku: ndihma e të varfëve prioritet për Kishën

U paraqit Mesazhi i Papës për Ditën e Tretë Botërore të të Varfërve, me temë "Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë", që do të kremtohet më 17 nëntor 2019. Papa Françesku citon meshtarin italian dom Primo Mazzolari, i cili pohon se: "Të varfërit janë një protestë e vazhdueshme kundër padrejtësive tona; i varfëri është një fuçi baruti. Nëse i ve zjarrin, bota shpërthen”.

Sot paradite, në sallën e shtypit të Vatikanit, u paraqit Mesazhi  i Papës për Ditën e Tretë Botërore të të Varfërve, me temë "Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë", që do të kremtohet më 17 nëntor 2019. Në Mesazhin papnor kushtet e vështira, madje dramatike të miliona të varfërve që nuk mund të durohen gjatë.

"Mbështetja shoqërore e të varfërve nuk është  vetëm një angazhim i jashtëm që ka të bëjë me kumtimin e Ungjillit, përkundrazi, vëmendja, kujdesi, bamirësia e dashuria ndaj të varfëve tregon realizmin e fesë së krishterë e ripohon vlefshmërinë e saj historike". Kështu që është "dashuria ajo që i jep jetë fesë në Jezusin, i cili nuk lejon që dishepujt e tij të tërhiqen e të mbyllën në një individualizëm asfiksues, të fshihen në segmente të intimitetit shpirtëror, pa asnjë veprim në jetën shoqërore". Papa Françesku e përsërit këtë në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të të Varfërve, në temën "Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë" (Ps 9,19), e cila do të kremtohet më 17 nëntor, të Dielën e 33-të të Kohës gjatë vitit kishtar. Dhe këtë e bën duke cituar figurën dhe veprën e Jean Vanier, që ishte vërtetë një "shenjtë i afër" me të varfrit e të mënjanuarit e shoqërisë bashkëkohore.

Papa Françesku kujton se Jezusi  e "përuroi Mbretërinë e tij duke i vendosur të varfërit në qendër". Ai e "përuroi, por na besoi ne, dishepujve të tij, detyrën ta çojmë përpara Mbretërinë e Zotit, me përgjegjësinë që kemi për t’u dhënë shpresë të varfërve". Për këtë arsye është "e nevojshme, veçanërisht në një periudhë si kjo e jona,  të ringjallim shpresën dhe të rivendosim e përforcojmë besimin". Bëhet fjalë për "një program të cilin bashkësia e krishterë nuk mund ta nënvlerësojë" e ta anashkalojë. Sepse në të luhet "besueshmëria e kumtimit të Ungjillit dhe dëshmia e të krishterëve". Në fakt, "opsioni në favor të më të fundmëve e të varfërve të shoqërisë, të njerëzve të cilët shoqëria i mënjanon dhe e hedh tej" është "një zgjedhje prioritare e përcaktim që dishepujt e Jezu Krishtit janë të thirrur ta ndjekin e zbatojnë për të mos e tradhtuar besueshmërinë e Kishës dhe për t'u dhënë shpresë konkrete aq shumë njerëzve të pambrojtur".

Papa Françesku vëren se koha kur u shkrua Psalmi, që i jep titullin Mesazhit papnor për Ditën e ardhshme Botërore të të Varfërve, ishte kohë "kur njerëzit arrogant dhe të pakuptimtë i ndoqën e dëbuan të varfrit, për të përvetësuar edhe atë pakë që kishin e për t'i detyruar të bien në skllavëri". Prandaj, shton Papa, aq "sot nuk është shumë e ndryshme situata". Në të vërtetë, "kriza ekonomike nuk ka penguar që grupe të shumta njerëzish të pasurohen aq shumë sa që shpesh duken aq anormal, kur në rrugët e qyteteve tona prekim me dorë një numër të madh njerëzisht të varfër, të cilëve u mungon edhe buka e gojës e gjërat më të nevojshme për jetesë, të cilët që ngandonjëherë edhe keqtrajtohen e shfrytëzohet".  Kështu që " shekujt kalojnë, por gjendja e të pasurve dhe sidomos ajo e të varfërve mbetet e pandryshuar, sikur përvoja e historisë të mos na  mësonte asgjë". Prandaj, fjalët e Psalmit "nuk kanë të bëjnë me të kaluarën, por me kohën tonë të sotme duke na vënë përpara gjykimit të Zotit".

E këtu Papa Françesku përmend një listë të  gjatë të " formave të shumta të skllavërisë së re, së cilës u nënshtrohen miliona burra, gra, të rinj dhe fëmijë" të varfër. Kemi familjet që "detyrohen të braktisin vendin e tyre për të kërkuar të mbijetojnë diku tjetër". Janë, pastaj, jetimët, që " kanë humbur prindërit e tyre ose janë ndarë dhunshëm prej tyre për një shfrytëzim brutal. Të rinjtë, që janë "në kërkimin e një pune a të një arritjeje profesionale, të cilëve u mohohet qasja në punë, për shkak të politikave ekonomike miope". Kujtojmë njerëzit që viktima të "shumë formave të dhunës, nga prostitucioni,  te droga e deri te poshtërimi i tyre çnjerëzor". Si mos t’i përmendim "miliona emigrantët, viktima të interesave kaq të fshehta, që pastaj shfrytëzohen, shpesh përdoron politikisht, të cilëve u mohohet solidariteti dhe barazia. Nuk mund t’i harrojmë kaq "shumë njerëz që janë të pastrehë e të margjinalizuar, që bredhin rrugëve të qyteteve tona" pa cak e pa ndihmë.

Papa Françesku denoncon, në Mesazhin e tij, se të varfrit nga shoqëria bashkëkohore "trajtohen si mbeturina, pa asnjë ndjenjë faji, që duhet t’i prek ata persona që janë shkaktar e bashkëpunëtorë të këtij shkandulli".

Situata e të miliona të varfërve është aq e tendosur sa që " është arritur deri në teorizimin dhe realizimin e një arkitekture armiqësore, për të hequr qafe praninë e tyre edhe nga rrugët, vendi i fundit i pritjes dhe strehimit për ta". Një trajtim i tmerrshëm që "shpesh është e egër, i dhunshëm ndaj tyre, e madje edhe i shfrytëzon". Të varfrit, të mënjanuarit, emigrantët, pastaj, "janë të detyruar të kalojnë orë të pafundme, në diellin e nxehtë, për t’i korrur frytet e sezonit në toka të të pasurve, e për punën e tyre shpërblehen me pagë fare të vogël". Mingrantët, pastaj, "ndiqen me ngulm, kapen dhe skllavërohen". Me fjalë të tjera, jemi para "një morie njerëzish të varfër, që shpesh trajtohen me retorikë e durohen me bezdi", jemi para "burrave dhe grave gjithnjë e më të huaj për shtëpitë tona, të mënjanuar e madje të ndaluar për lagjet tona".

Papa Françesku paralajmëron. "Mund të ndërtohen  - shkruan në Mesazhin për Ditën Botërore të të Varfëve - shumë mure e të bllokohen hyrjet, për të  ndjerë veten, duke u mashtruar, më të sigurt, në pasuritë personale, në dëm të atyre njerëzve që lihen refuzohen e përjashtohen”. Por mos të harrojmë se "nuk do të jetë përgjithmonë kështu ". Në të vërtetë, "dita e Zotit", “dita e Gjyqit të Zotit” siç paralajmërojnë profetët (shih Am 5:18, është 2-5, GL 1-3), do t’i shkatërrojë barrierat e krijuara ndërmjet vendeve dhe do të zëvendësojë arrogancën e disave me solidaritetin e shumë njerëzve" . Papa citon meshtarin italian dom Primo Mazzolari, i cili pohon se: "Të varfërit janë një protestë e vazhdueshme kundër padrejtësive tona; i varfëri është një fuçi baruti. Nëse i ve zjarrin, bota shpërthen”.

Papa Françesku është lapidar. Mos harroni se para një "numri të panumërt të njerëzve të varfër", Jezusi "nuk pati frikë të identifikonte veten me secilin prej tyre". Prandaj t’i "ikësh këtij identifikimi është njësoj si të mistifikosh Ungjillin dhe të zbehësh  e zbutësh zbulesën hyjnore".

Në fund të mesazhit Papa Françesku u drejtohet "shumë vullnetarëve, të cilëve u takon merita sepse janë të parët që e kuptuan rëndësinë e kësaj vëmendje e shërbimi ndaj të varfërve", të cilëve u kërkon "ta përforcojnë përkushtimin" ndaj nevojtarëve. Ati i Shenjtë Bergolgio i nxit vullnetarët që "në çdo person të varfër që takojnë, të kërkojnë atë për çka me të vërtetë ka nevojë; të mos ndalen tek nevojat e para materiale, por të shkojnë më tej e të zbulojnë mirësinë që fshihet në zemrat e tyre, duke u bërë të vëmendshëm ndaj kulturës e ndaj mënyrave të tyre të shprehjes, në mënyrë që me të varfrin të fillohet një dialog i vërtetë vëllazëror".

Prandaj, ftesa e Papës për t’i "lënë mënjanë ndarjet që vijnë nga vizionet ideologjike apo politike", e ta përqendrojmë "vështrimin mbi thelbësoren, që nuk ka nevojë për shumë fjalë, por për një shikim dashurie dhe një dore miqësore". E vërtetë të varfërit "nuk janë numra, për t’u përdorur kur mburremi me vepra e projekte" tona. Të varfrit "janë njerëz për t’u takuar: janë të rinj dhe të moshuar që janë në vetmi, të cilët duhet t’i ftojmë në shtëpitë tona, për të ndarë së bashku bukën;  janë burra, gra dhe fëmijë që presin prej nesh një fjalë miqësore". Të varfrit, thënë shkurt, "na shpëtojnë, sepse na lejojnë të takojmë fytyrën e Jezu Krishtit".

Kujtojmë edhe një herë se Mesazhi i Papës u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryeipeshkvi Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri dhe nga Monsinjor Graham Bell, nënsekretar i të njëjtit dikasteri të Selisë së Shenjtë .

13 qershor 2019, 17:22