Kërko

 Papa me Forumin Ndërkombëtar të të Rinjve Papa me Forumin Ndërkombëtar të të Rinjve 

Papa të rinjve: të jeni mesazh uniteti, në mes të përçarjeve! Ndjehet aroma e Takimit Botëror Rinor!

Duke pritur pjesëmarrësit e Forumit XI Ndërkombëtar të të Rinjve, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen e Jetën, Papa i porositi të rinjtë të jenë dritë në natën e shumë bashkëmoshatarëve, që nuk e njohin Krishtin. Zgjidhet tema e DBR-së së Lisbonës 2022: “Maria u ngrit e u nis me nxitim”.

R. SH. - Vatikan

Si ati, që u tregon bijve rrugën për t’u ndjekur e si bariu që i prin grigjës e prijësi, që i ndez zjarr zemrat me dritën e Krishtit, kështu ishte sot edhe Papa Françesku në mes të të rinjve që, për tri ditë  me radhë, morën pjesë në Forumin Ndërkombëtar, në Sassone Ciampino, pranë Romës, të mbledhur në Shtëpinë “Karmeli”. Ishte takim i organizuar nga Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen, Jetën, në udhën për të vënë në jetë Sinodin e 2018-tës, me temë: “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”.

Të rinj në veprim, në një Kishë sinodale

Duke i pritur në Vatikan, Papa u kujtoi se janë të thirrur për të qenë dritë në natën e shumë bashkëmoshatarëve që - theksoi - nuk e kanë provuar akoma gëzimin e jetës së re në Krishtin. Papa i ftoi ta ndezin kudo zjarrin e Krishtit, që e kanë në zemra e të ecin së bashku, sepse janë “e sotmja  e Zotit dhe e sotmja e Kishës”.

Dritë në errësirë

Duke u ndaluar tek dokumenti përfundimtar i Sinodit të të Rinjve, Ati i Shenjtë kujtoi episodin e dishepujve të Emmaus, si paradigmë për të kuptuar misionin që u besohet të rinjve të sotëm. Duke u nisur nga njohja e Jezusit,  që i hap zemrat e të rinjve e u bën thirrje të vihen për udhë,  edhe në mes të errësirës, e të ecin pa pikë frike, “sepse Zoti nuk i lë kurrë në terr! Zoti ua shndrit udhën e tyre e jetën e tyre”.

Kisha ka nevojë për ju!

Edhe ne, një ditë e takuam Zotin në udhën e jetës sonë - vijoi Papa - E ashtu si dishepujt e Emmaus, u thirrëm ta çojmë dritën e Krishtit në natën e botës:

“Ju, të dashur të rinj, jeni të thirrur për të qenë dritë në natë për shumë bashkëmoshatarë, që nuk e njohin akoma gëzimin e jetës së re në Krishtin. Kisha ka nevojë për ju!”

Kjo, thirrja kryesore e Papës drejtuar të rinjve të mbarë botës, përmes atyre që i përfaqësonin sot, në Vatikan.

DBR-ja, në gjurmët e Marisë

Në përfundim të fjalës së tij, Françesku shpalli edhe temën e zgjedhur për DBR-në Lisbona 2022: “Maria u ngrit e u nis me nxitim”, duke i këshilluar të rinjtë të reflektojnë këto dy vjet mbi dy shprehje: “I ri, po të them: ‘Ngreju!’” dhe “Po të caktoj dëshmitar të sendeve, që i ke parë me sytë e tu”. Maria - vijoi Papa - u ngrit me nxitim për të ndihmuar të kushërirën. Gjithnjë gati, gjithnjë nxitueshëm, por kurrë ankthshëm:

“Kështu dëshiroj edhe këtë herë të ketë përkim të madh ndërmjet udhës drejt DBR-së së Lisbonës e udhës pas-sinodale. Mos e harroni zërin e Zotit, që ju nxit të ngriheni e të ecni në udhët, që Ai i përgatiti për ju. Si Maria e në gjurmët e Saj! Uroj të jeni çdo ditë mbartës të gëzimit të Zojës e të dashurisë së Saj”.

22 qershor 2019, 14:25