Kërko

 Bashkëkremtimi Eukaristik mbi Varrin e Shën Pjetrit Bashkëkremtimi Eukaristik mbi Varrin e Shën Pjetrit 

Papa: të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të gjallë të Jezusit

Përballë “dëshmitarëve” si Shenjtorët Pjetri e Pali, ta pyesim veten: “A e përtërij çdo ditë takimin tim me Jezusin?”. Këtë kërkoi Papa nga besimtarët, në Meshën e kremtuar për Festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal.

R. SH. - Vatikan

Përballë “dëshmitarëve”, si shenjtorët Pjetër e Pal, ta pyesim veten: “A e përtërij çdo ditë takimin tim me Jezusin?”. Këtë kërkoi Papa nga besimtarët, në Meshën e kremtuar për Festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, në Bazilikën e Vatikanit. Ndoshta - vijoi - e ndjekim me kureshtje jetën e Jezusit, interesohemi për punët e Kishës, lexojmë lajme fetare. Hapin faqe interneti e gazetash e flasim për punë shenjte. Po kështu të mbetet në mendje vetëm ajo që thonë njerëzit, të mbeten sondazhet, e kaluara - vërejti Papa:

“Jezusit kjo i intereson pak e aspak - pohoi në vijim - Ai nuk do reporterë të shpirtit, aq më pak, të krishterë që duken në kapakët e librave e të revistave. Ai kërkon dëshmitarë, që thonë çdo ditë: ‘Ti je jeta ime, o Zot!’”.

Të përpiqemi, prandaj, për të mos qenë të krishterë të vakët, që nuk e jetojnë fenë plotësisht, por vetëm përgjysëm, që e lënë dashurinë të ftohet - vijoi Papa - Ndërsa duhet t’i kërkojmë rrënjët tona në lidhjen e përditshme me Krishtin e në forcën e faljes së Tij. Jezusi, ashtu si e pati pyetur Pjetrin, të pyet sot edhe ty: “A më do?”. T’i lëmë këto fjalë të na hyjnë në zemër e të na ndezin dëshirën që të mos kënaqemi me pak, por të sulmojmë majat, për të qenë edhe ne dëshmitarë të Jezusit.

Vetëm falja na rilind, duke nisur nga rrëfimi

“Vetëm kur provojmë faljen e  Zotit,  rilindim me të vërtetë. Prej aty mund të rinisemi; prej faljes. Në falje rigjejmë vetveten, në Rrëfimin e  mëkateve tona”. Këtë theksoi Papa më tej në homelinë e Meshës për solemnitetin  e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, të cilët i quajti “dëshmitarë të jetës, dëshmitarë të faljes, dëshmitarë të Jezusit”. “Në rëniet e tyre zbuluan pushtetin e mëshirës së Zotit, që i rilindi - shpjegoi Papa - Në ndjesën  e Tij, gjetën paqen dhe gëzimin e pamposhtshëm”.

Sipas Françeskut, me çka bënë, do të kishin jetuar gjithnjë të brerë nga mëkati: sa herë do ta ketë menduar Pjetri mohimin! Sa herë do ta ketë ndjerë veten keq Pali, pasi kishte përndjekur sa e sa të pafajshëm…:

“Në këndvështrimin njerëzor, dështuan - shtoi Papa - Po patën fatin të  takonin një dashuri shumë më të madhe, se dështimet e tyre, një falje aq të fuqishme,  sa t’ua shëronte plagët e hapura nga fajet e mëkatet e tyre”.

29 qershor 2019, 11:20