Kërko

Vatican News

Papa: “Të gjithë të kuptojnë, nëse flet gjuhën e së vërtetës e të dashurisë”.

Shpirti Shenjt “është mjeshtër i bashkimit”, e bën Kishën të rritet, duke e ndihmuar të shkojë përtej kufizimeve njerëzore e të kapërcejë “çdo shkandull”. Këtë nënvizoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar “Veprave të Apostujve”, sot vuri në qendër të vëmendjes Rrëshajët

R. SH. - Vatikan

“T’i lutemi Zotit t’i rijetojmë Rrëshajët për të dëshmuar pushtetin e dashurisë, që e thërret në jetë gjithçka takon”. Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i nxiti besimtarët t’ia kërkojnë këtë hir Zotit, duke kujtuar se Shpirti Shenjt  “është artist  i pajtimit”, ka pushtet ta vëllazërojë gjithçka e të krijojë harmoni në mes të larmisë. Reflektimi i sotëm i Atit të Shenjtë u bazua kryesisht mbi episodin e Rrëshajëve, duke u ndaluar në çastin kur Apostujt, të mbledhur në lutje, në Çenakull, jetojnë një ngjarje, që i kapërcen të gjitha shpresat njerëzore: pa pritur e pa kujtuar, mes tyre “vërshon Shpirti i Zotit”. Para së gjithash, Papa nënvizoi rëndësinë e lutjes . E quajti “mushkëri e jetës së krishterë”, pa të cilën  nuk mund t’i përkasim Krishtit.

Gjuha e së vërtetës dhe e dashurisë, gjuhë universale

Më pas Françesku foli për mënyrën e dukjes së Shpirtit Shenjt. Ai vërshon. Nuk njeh pengesë. Shpërthen gjithçka e pengon, sepse nuk mund ta durojë “mbylljen”. Duke fryrë si erë e rrëmbyeshme, i hap të gjitha portat. I shpartallon të gjitha mbylljet. Erës i shtohet edhe zjarri, që na kujton Sinain, me dhuratën e Dhjetë Fjalëve, Dhjetë Urdhërimeve. Kështu, përmes zjarrit të Shpirtit Shenjt, fjala e ligshtë e Pjetrit, që kishte arritur deri në atë pikë, sa ta mohonte tri herë Zotin, fiton aq forcë, sa të hapë rrugët e pashpresuara e të paëndërrueshme të besimit në Krishtin. Nga “zjarri”, që shpërtheu për Rrëshajë, lindi Kisha. Zjarr dashurie! Zjarr, në të cilin shikojmë forcën e Fjalës së të Ngjallurit. Fjalën e zjarrtë, të mbrujtur nga Shpirti i Zotit. Kështu “Besëlidhja e re dhe përfundimtare, nuk bazohet më në një ligj të shkruar mbi dy copa guri, shkëputur nga shkëmbi, por mbi veprimin e Shpirtit Shenjt, që i bën të reja të gjitha sendet e skalit zemër e korp - nënvizoi Papa Françesku. - Fjala e Apostujve bëhet, kështu, fjalë që kuptohet, sepse duket sikur përkthehet përnjëherësh në të gjitha gjuhët:

“Është gjuha e së vërtetës, e dashurisë, gjuhë universale: mund ta kuptojnë edhe analfabetët! Gjuhën e së vërtetës e të dashurisë e kuptojnë të gjithë. Sepse nuk të krijon asnjë keqkuptim. Nëse ti ecën në udhën e së vërtetës - së vërtetës së zemrës sate, të sinqeritetit të zemrës, e ecën me dashuri, të gjithë do të të kuptojnë, edhe kur nuk mund a nuk di të flasësh. Do të kuptojnë përmes një përkëdheljeje, të vërtetë e plot dashuri”.

Shpirti Shenjt di t’i shembë muret  e ta rrisë Kishën

Shpirti Shenjt duket si drejtues orkestre që, përmes simfonisë së tingujve, krijon harmonikisht larmitë:

“Shpirti Shenjt është mjeshtër i bashkimit, artist i pajtimit, që di t’i shembë muret ndërmjet judenjve e grekëve, skllevërve e njerëzve të lirë, për të bërë me të gjithë një Korp të vetëm. Ai e ndërton bashkësinë e besimtarëve, duke harmonizuar unitetin e korpit me larminë e gjymtyrëve. E bën të rritet Kishën, duke e ndihmuar të shkojë përtej kufizimeve njerëzore,  të mëkateve e të çdo lloj shkandulli”.

Shpirti i Zotit e humanizon çdo rrethanë

Përvoja e jetuar nga Apostujt është dehje nga Shpirti, siç e quante Shën Ambrozi. E, duke kujtuar fjalët e Benediktit XVI, Papa Françesku  nënvizoi se Rrëshajët janë  Jezusi, që vjen ndër ne e na tërheq të gjithë brenda vetes. Me tërheqjen hyjnore, që është vepër e Shpirtit Shenjt:

“Zoti na josh me dashurinë e Tij, e kështu na apasionon për ta lëvizur historinë e për të nisur procese, përmes të cilave në të depërton jeta e re. Vetëm Shpirti i Zotit ka forcë ta humanizojë e ta vëllazërojë çdo rrethanë, duke u nisur nga ata, që e mirëpresin. T’i lutemi Zotit të na bëjë të provojmë shijen e Rrëshajve të reja, që të na i zgjerojnë zemrat e të na i bëjnë ndjenjat tona të përkueshme me ato të Krishtit, për ta kumtuar, kështu, pa turp e pa frikë Fjalën e Tij shndërruese e për ta dëshmuar me dashuri pushtetin e dashurisë, që e thërret në jetë gjithçka takon”.

 

19 qershor 2019, 13:07