Kërko

Vatican News

Papa - Scolas Occurentes: mbi bullizmin fitohet me dialog

Të jetojmë bashkë, duke u ballafaquar, duke dialoguar, duke krijuar marrëdhënie të mira. Kjo, rruga për të fituar mbi bullizmin. E këshillon Papa Françesku në videomesazhin drejtuar Fondacionit Papnor Scholas Occurrentes, që organizoi një konferencë online kushtuar bullizimit dhe cyberbullizmit

R. SH. - Vatikan

Me rastin e “#StopCyberbullyingDay”24h Scholas Talks: Konferenca online mbi bullizmin e cyberbullizmin”, organizuar nga Fondacioni Papnor Scholas Occurrentes, Papa Françesku dërgoi një videomesazh në gjuhën spanjolle, duke i nxitur të rinjtë ta gjejnë identitetin e tyre përmes  “udhës së dialogut, udhës së reflektimit, udhës së shpirtit”.

Sulmohet tjetri, për ta ndjerë veten dikushi!

Ta poshtrosh tjetrin, për të ndjerë se je dikushi! Papa Françesku  e pikturon kështu fenomenin e bullizmit, duke kujtuar se është e lejueshme të shikohen njerëzit nga lart poshtë, vetëm kur rrëzohen e kanë nevojë t’u shtrihet një dorë, për t’i ndihmuar të ngrihen përsëri në këmbë. Kur në grupet, në shkollë, në lagje, vërehen shprehje agresioni, bullizmi, del në pah varfëria e atij, që sulmon, atij, që ka nevojë të sulmojë, për ta ndjerë veten personalitet! Në farmaci - kujton Papa - nuk shiten ilaçe kundër bullizmit; laboratorët nuk ia kanë gjetur ende formulën. Ç’duhet bërë atëhere? “E vetmja mënyrë është ndarja e përbashkët, jeta së bashku,  dialogu, aftësia për t’ia vënë veshin tjetrit, për të duruar, që të mundesh, pastaj, të ecësh krah për krah”.

Dialogo pa frikë

Françesku i nxit të gjithë të mos kenë frikë nga tjetri, “sepse secili prej nesh e ka një gjë të mirë, për t’ia dhuruar tjetrit, e secili prej nesh ka nevojë të marrë diçka të mirë nga tjetri”. Dialogu na ndihmon të ecim  së bashku me respekt të plotë, edhe pse ndryshojmë. Për Papën, duhet t’i shpallim luftë bullizmit, sepse i kundërvihet dinjitetit. Prandaj Françesku këshillon të ndiqet rruga e dialogut, e dëgjimit, sepse vetëm kështu mund të sigurohet ajo paqe, që e dëshirojnë të gjithë!

21 qershor 2019, 17:57