Kërko

Vatican News
 Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës  (Vatican Media)

Papa: Rrjeti Botëror i lutjes, mision përdëllimi për botën

Lutja dhe afërsia me Zemrën e Jezusit, të shtyn t’u afrohesh me dashuri vëllezërve. Këtë kujtoi sot paradite Françesku, duke pritur në audiencë rreth 6 mijë vetë të Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës. Rasti ishte përkujtimi i 175-vjetorit të lindjes, që kremtohet sot e nesër, në Romë. Në fjalimin e tij, Françesku i inkurajoi misionarët e lutjes, të hyjnë në botën dixhitale, por me kujdes, që të mos mbeten peng në rrjet. Në përfundim, lutja e përbashkët.

R. SH. - Vatikan

“Mund të bëjmë shumë e shumë gjëra, por pa lutje, nuk kanë pikë kuptimi. Lutja është zemra e misionit të Kishës”. Këtë ua rikujtoi sot paradite Papa Françesku rreth 6 mijë besimtarëve në festë, mbledhur që në orët e para të mëngjesit, në Sallën Pali VI, të cilët i inkurajoi të vijojnë me guxim udhën e nisur.

U përkisnin 52 delegacioneve të rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, ardhur nga pesë kontinetet në Romë për të kremtuar 175-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e rithemelimit, miratuar në vitin 2014, nga Papa Françesku. E lindur si Apostullim i Uratës, me jezuitët, në Francë, më 1844, sot shoqata ka arritur të krijojë një rrjet të padukshëm, por jashtëzakonisht të frytshëm,  me 35 milionë katolikë, në çdo skaj të tokës, duke përfshirë edhe Lëvizjen Eukaristike Rinore.

Përkujtim, ky i 175-vjetorit të jetës, që u kremtua pikërisht në Solemnitetin  e Zemrës së Krishtit. Jo rastësisht, prandaj, Papa në fjalimin e tij, theksoi “revolucionin e dashurisë”, duke kujtuar posaçërisht, dëshmitë që dhanë disa nga përfaqësuesit. Eshtë - kujtoi Françesku - mision mëshire për botën  e “udhë e zemrës”:

“Zemra e Krishtit është aq e madhe, sa dëshiron t’i mbledhë të gjithë në revolucionin e dashurisë. Afërsia e Zemrës së Zotit e nxit zemrën tonë  të afrohet me dashuri vëllazërore dhe e ndihmon të rrahë me mëshirë për këtë botë. Jemi të thirrur për të qenë dëshmitarë e lajmëtarë të mëshirës së Zotit, për t’i ofruar botës një perspektivë drite, atje ku ka errësirë; shprese, ku mbretëron dëshpërimi; shëlbimi, ku vlon mëkati. Të hysh në lutje, do të thotë  të hyj me zemrën time, në zemrën e Jezusit, të bëj udhë në zemrën e Zotit, por të  bëj udhë edhe në zemrën time, për ta shndërruar zemrën në këtë lidhje me Zemrën e Krishtit”.

Në përfundim Papa kujtoi:

“Në Rrejtin e Lutjes së Papës takohen brezni të ndryshme e Papa dëshiron që gjyshat të mund të jenë shembull për të rinjtë, posaçërisht në lutje e ndërmjetësim. Në mënyrë të veçantë, lavdëron aftësinë e tyre për të arsyetuar me zemër. Burrat e gratë e Zotit kanë qenë gjithnjë ndërmjtësues të mëdhenj - kujtoi akoma Françesku - duke nënvizuar se duhet t’i përngjajmë Krishtit, ndërmjetësuesit tonë para Atit”.

28 qershor 2019, 15:28