Profecia e një shenjti: “Pa dashuri e pa Zot, nuk ka më jetë!”.
R. SH. - Vatikan
Gjatë takimit me të rinjtë e me familjet, Papa kujtoi profecinë e një shenjti eremit të këtyre trojeve, me vlerë për të gjithë!
“Një ditë murgu Galaction Ilie i Manastirit Sihãstria, duke ecur pas grigjës së dhenve në mal, u takua me një eremit shenjt, të cilin e njihte. E ndaloi, prandaj, dhe e pyeti: “Më thuaj, o atë, kur do të vijë fundi i botës?”. E vetmitari, pas një psherëtime të thellë, që i doli nga fundi i zemrës, gjegji e tha: “Kur nuk do të ketë më shtigje nga i afërmi - tek i afërmi!”. Domethënë, kur nuk do të ketë më dashuri të krishterë e mirëkuptim ndërmjet vëllezërve, familjarëve, të krishterëve e popujve! Kur njerëzit nuk do ta duan më njëri-tjetrin, atëhere do të ketë ardhur vërtet fundi i botës. Sepse pa dashurinë e pa Zotin, nuk ka njeri që mund të rrojë përmbi dhe!
Jeta nis e shuhet. Jeta kalbet. Zemra nuk rreh e zë e ndryshket! Pleqtë nuk ëndërrojnë më e të rinjtë nuk profetizojnë, kur nuk ka më shteg nga i afërmi tek i afërmi! Sepse pa dashuri e pa Zot, nuk ka më as jetë!”.