Kërko

 Papa gjatë takimit marian Papa gjatë takimit marian 

Papa të rinjve e familjeve: feja na kujton se jemi bij të shumëdashur nga Zoti!

Takimi marian me të rinjtë dhe me familjet, në sheshin e Pallatit të Kulturës të Iaşit. Papa i fton të gjithë t’i ruajnë rrënjët e historisë së tyre, t’i shembin llogoret e të hapin rrugët, që u kujtojnë se janë bij të Zotit!

R. SH. - Vatikan

“Djalli ndan, përçan, krijon pakënaqësi, mbjell mosbesim”; “Shpirti Shenjt, përkundrazi, na kujton se nuk jemi qenie anonime, abstrakte, pa fytyrë, pa histori, pa identitet”. Në një mozaik të jashtëzakonshëm  brezash dhe etnish, Papa Françesku iu drejtua të rinjve e familjeve, për të theksuar rrënjët, atë lidhje, që na kujton se jeta e secilit është e lidhur me jetën e tjetrit. Françesku ripohoi me forcë se feja nuk vlerësohet në bursë, nuk shitet. Duket sikur nuk vlen për asgjë, por është dhuratë, që e mban të gjallë vetëdijen se jemi bij, bij të shumëdashur të Zotit”.

Kështu u shpreh Françesku në takimin e pasdites me të rinjtë dhe familjet,  gjatë të cilit ndoqi dëshmitë e gjyshave Elisabetta e Ioan, të çiftit të ri   Alexandra e Gabriel e të studentit Eduard.  Takimi u mbajt në sheshin para Pallatit të Kulturës (Palatul Culturii) të Iaşit, ndërtuar me stil neogotik ndërmjet viteve 1906 e 1925, me 280 dhoma, me sipërfaqe të brendshme prej 36.000 mk. Sot është shndërruar në simbol të një qyteti, që shumëkush e quan kryeqytet historik i kulturës rumune.

Papën e pritën katër fëmijë me veshje tradicionale, që i dhuruan lule, si të donin t’i tregonin se pranvera e vonë kishte pritur pikërisht Papën, për të shkelur në këto vise. Françesku u ngjit në tribunë, i shoqëruar nga fëmijët, u drejtua menjëherë nga ikona e Virgjërs Mari, e nderoi e ia vuri tek këmbët lulet e dhuruara.

Filluan, pastaj, dëshmitë, për të cilat Papa shprehu, më pas, mendimin e vet e, në fund, u dha edhe bekimin.

Papa ndjehet këtu si në shtëpi të vet

“Ndërmjet jush Papa ndjehet si në shtëpi të vet” - këto fjalët e para të Françeskut, pasuar nga  falënderimi për mikpritjen e ngrohtë.

Sot, në këto troje, kremtohet dita e fëmijës - kujtoi - duke i ftuar të gjithë për t’i përshëndetur vocrrakët me një duartrokitje të fuqishme. Për të  shprehur, kështu, gëzimin që i ngjalli në shpirt pamja e sheshit, ku pa fytyrën e familjes së Zotit, që përqafon fëmijët, të rinjtë, bashkëshortët, të kushtuarit, pleqtë rumunë të zonave e feve të ndryshme, ashtu si dhe moldavianët e besimtarë ardhur nga Polonia e Rusia. Secili me gjuhën e traditën e vet, por të lum,  në këtë takim prekës, vëllazëror! Ndërmjet tyre, bashkëshortët Elizabeta e Ion, që dhanë dëshminë para Papës. Shoqëroheshin nga  njëmbëdhjetë fëmijët e tyre, të gjithë të ardhur nga vise të ndryshme, po sot të bashkuar, si atëhere kur merrnin së bashku rrugën drejt Kishës për Meshën e së dielës:

“Është përvoja e Rrëshajëve të reja, siç e dëgjuam në Lexim. E njëjta udhë, që nisën Apostujt dy mijë vjet më parë e në të cilën na takon ne të mbjellim. Nuk mund të presim ta bëjnë këtë të tjerët, na takon neve”- u gjegji Papa.

E pastaj, një pyetje për Atin e Shenjtë: “Është vështirë të ecësh së bashku, apo jo?”.

Përgjigjja e Papës: “Është dhuratë, që duhet ta kërkojmë; vepër artizanale, që duhet ta ndërtojmë; dëshmi, që duhet ta transmetojmë”. Po nga duhet t’ia nisim - pyeti Papa - duke u përgjigjur sakaq me fjalët që “po ua grabis” - kujtoi - gjyshërve Elizabeta e Ioan:

“Është gjë e bukur të ecësh së bashku, kur dashuria i ka rrënjët me përkushtim e impenjim, në punë e në lutje. Dashuria lëshoi rrënjët në ju e dha shumë fryt. Joeli Profet na kujton se kur të rinjtë e të motuarit takohen, gjyshat nuk kanë frikë të ëndërrojnë”.

E kjo ishte ëndrra juaj:

“Ëndërrojmë, që të mund ta ndërtojmë ardhmërinë, pa harruar nga u nisëm! Ëndërrojmë, që mbarë populli të mos i harrojë kurrë rrënjët!”.

Këtë ëndërr ia besoi Shën Pali Timoteut: ta mbajë gjallë fenë e së ëmës e të së gjyshes. Nuk duhet harruar, prandaj, çka mësove nga familja: nuk duhet harruar feja, që të jep forcë. Nuk duhet harruar feja e mbrujtur nën strehën tënde, që kalon pa u vërejtur, por ndërton, pak nga pak, Mbretërinë e Zotit.

Të gjithë lulëzojmë, kur e ndjejmë se dikush na do

Shpirti Shenjt na kujton se nuk jemi njerëz pa emër, abstraktë, pa fytyrë, pa histori, pa identitet - theksoi më tej Papa. - Nuk jemi qenie boshe, as të cekta. Ekziston një rrjet shpirtëror shumë i fortë, që na lidh e na mbështet e që është më i fortë se çdo tip lidhjeje tjetër. “Të rinjtë lulëzojnë, kur duhen me të vërtetë!” -  na kujtoi Eduardi - tha Papa. - Të gjithë lulëzojmë, kur ndjejmë se na duan. Sepse dashuria lëshon rrënjë e na fton t’i zgjatim në jetën e të tjerëve. Si shprehet Poeti juaj kombëtar, Eminesku, që e uron Rumaninë e tij të ëmbël, me vargun: “Bijtë e tu jetofshin të vëllazëruar, si yjet e natës”(M. Eminescu, “Ç’të të uroj, e ëmbla Rumani”).

Ne i përkasim njëri-tjetrit

“Ne i përkasim njëri-tjetrit - vijoi Papa - e lumturia personale kalon nga ne, tek të tjerët, për t’i bërë të lumtur. Gjithçka tjetër është vetëm përrallë!”.

Gjithnjë duke kujtuar fjalët e Eduardit, të riut që i foli Papës për jetën e vet, të jetuar në mes të shumë vështirësive, Françesku pohoi se vërtet ndeshim shumë provokime, që mund të na çkurajojnë e të na shtyjnë të mbyllemi në vetvete. Nuk mund të mohohet! Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se feja na dhuron provokimin më të madh. Zoti është i pari, që na provokon e na thotë se keqja vjen, kur nuk ka më shtigje, që çojnë nga i afërmi, tek i afërmi, kur shikojmë më shumë llogore se udhë. Zoti na dhuron një këngë më të fuqishme se ajo e të gjitha sirenave, që duan ta paralizojnë udhën tonë. Dhe e bën këtë në të njëtën mënyrë: duke intonuar melodinë më të bukur e më joshëse!

Thirrje - e provokim

Zoti na drejton të gjithëve një thirrje, që është provokim, për të na bërë  t’i zbulojmë talentet dhe aftësitë që kemi e për të na vënë në shërbim të të tjerëve. Kërkon ta përdorim lirinë, si liri për të zgjedhur, për t’i thënë ‘po’ një plani dashurie, një fytyre, një shikimi. Kjo është liri shumë më e madhe, se ajo që na mundëson të konsumojmë, të shesim e të blejmë! Thirrje, e cila na vë në lëvizje, na bën t’i sheshojmë llogoret e të hapim udhët, që na kujtojnë këtë përkatësi bijsh e vëllezërish.

Si transmetohet feja

Nuk bëhet fjalë për të kërkuar programe e projekte, por për të lënë të rritet feja. Siç ju thashë edhe në fillim - vijoi të dialogojë Papa me familjet e me të rinjtë -  feja nuk transmetohet vetëm me fjalë, por edhe me gjeste, me shikime, me ledhatime, si përkëledhjet e nënanve tuaja, të gjysheve tuaja, me shijen e sendeve, që i mësuam në shtëpi, në mënyrë të thjeshtë e të vërtetë. Atje ku ka shumë zhurmë për asgjë, nuk mund të dëgjohet gjë për të qenë! Ku ka konfuzion, mos prit harmoni! Ku ka mëdyshje, mos prit qartësi; ku ka perjashtim, mos prit ndarje të përbashkët. Ku ka sensacionalizëm, mos prit lajme të vërteta. Ku ka agresivitet, mos prit paqe. Ku ka falsitete, mos prit të vërtetën!

Papa ia kushton Rumaninë, Zojës së Bekuar

Rumania “është kopsht i Nënës së Zotit”, gjë që e pashë edhe në këtë takim - kujtoi në përfundim Papa - sepse ajo është Nënë, që kultivon ëndrrat e bijve, që ua ruan shpresat, që sjell gëzimin në shtëpi! Asaj ia kushtojmë ardhmërinë e të rinjve, të familjeve e të Kishës.

Mulţumesc! Faleminderit!

01 qershor 2019, 18:35