Kërko

  7 ipeshkvijtë e Lum greko-katolikë rumunë 7 ipeshkvijtë e Lum greko-katolikë rumunë 

Rumani: Lumnohen 7 ipeshkvij greko-katolikë, martirë të komunizmit

Në Fushën e Lirisë të Blaj, në një kremtim solemn, kryesuar nga Papa Françesku, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Rumani, do të lartohen në nderimet e altarit prelatët, që dhuruan jetën, për të qenë gjithnjë pranë njerëzve të vet në vitet më të errta të diktaturës.

Ka netë më të zeza se të tjerat, netë të gjata, që të duket sikur nuk do të mbarojnë kurrë. E se nuk do të shkrepë kurrë më asnjë rreze dielli! Ishte një natë e tillë, ajo ndërmjet 28 e 29 tetorit 1948, kur një numër i madh njerëzish u  hoqën zvarrë. E, nga krevatet, ku dremisnin, e panë veten në qelitë e akullta të burgut të Sighet. Ishin, shumica, rregulltarë ose besimtarë me kushte. Ndërmjet tyre, 7 të Lumët e rinj, asokohe të gjithë ipeshkvij të Kishës greko-katolike të Rumanisë: imzot Vasile Aftenie, ipeshkëv i Ulpianës e ndihmës i Arqiheparkisë së Alba Iulia e Făgăraş; imzot Valeriu Traian Frenţiu, ipeshkëv i Oradea; imzot Ioan Suciu, administrator apostolik i Arqiheparkisë së Alba Iulia e Făgăraş; imzot Tit Liviu Chinezu, ipeshkëv-ndihmës i Arqiheparkisë së Alba Iulia e Făgăraş; imzot Ioan Bălan, ipeshkëv i Lugoj; imzot Alexandru Rusu, ipeshkëv i Maramureş; imzot Iuliu Hossu, ipeshkëv i Cluj Gherla.

E errët ishte nata kur i arrestuan. Edhe më e errët, kur i vranë. Po sot yjet e martirizimit të tyre shndrisin me një dritë të fuqishme, të aftë për të ndriçuar udhën tonë e të mbarë Kishës:

“Ku njerëzit vdesin nga dashuria për idealet - shpjegoi kardinali Angelo Becciu, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve - idealet bëhen dritë për të tjerët”.

Asokohe, kur ata ranë, shumëkush pati menduar se gjithçka kishte mbaruar. Por këto ditë dëshmojnë të kundërtën. Këto ditë rindezin mbi kujtimin e tyre dritën e misterit të Pashkëve. Dritën e Krishtit të munduar, të pështyrë, të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur. Zotit, që flak tutje rrasën e varrit e bëhet shëlbim për mbarë njerëzimin!

Po pse i vranë?

Pse i vranë? Kjo pyetje lind krejt natyrshëm, kur flitet për virtytet e tyre, shenjtërinë e tyre! Zakonisht vriten kriminelët! Jo njerëzit më me vlerë të Kombit! Një komb që i vret heronjtë, nuk ka nevojë për heronj! Edhe pse pa heronj nuk ka komb! E megjithatë, ata i vranë. Vetëm pse nuk deshën të  bëheshin “njeriu i ri” i komunizmit, domethënë, të viheshin në shërbim të partisë në pushtet e, sidomos, ta mohonin Papën, duke këputur çdo lidhje me Selinë e Shën Pjetrit. Mister i historisë. Ranë për të mos e mohuar Papën! E do të jetë pikërisht Papa, personalisht, që do t’i lartojë nesër në nderimin më të madh: atë të altarit!

01 qershor 2019, 11:48