Kërko

Vatican News
Zbarkimi në Normandi Zbarkimi në Normandi 

Papa, në mesazhin për 75-vjetorin e zbarkimit në Normandi: “të promovohet vëllazërimi i vërtetë universal”

Përkujtimi i zbarkimit të aleatëve në Normandi është sot ftesë për Evropën, për “të krishterët e të gjitha konfesioneve, për besimtarët e feve të tjera dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë për vëllazërimin e vërtetë universal". Kështu Papa Françesku, në mesazhin me rastin e kremtimeve për 75-vjetorin e zbarkimit të aleatëve në Normandi, më 6 qershor 1944.

R.SH. - Vatikan

Përkujtimi i zbarkimit të aleatëve në Normandi është sot ftesë për Evropën, për “të krishterët e të gjitha konfesioneve, për besimtarët e feve të tjera dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë për vëllazërimin e vërtetë universal, duke favorizuar kulturën e takimit dhe të dialogut, me vëmendje  për të vegjlit dhe të varfërit”. Këtë urim shpreh Papa Françesku, në një mesazh dërguar sot ipeshkvit të Bayeux-Lisieux, imzot Jean-Claude Boulanger, me rastin e kremtimeve për 75-vjetorin e së ashtuquajturës D-Day, zbarkimit të aleatëve në Normandi, më 6 qershor 1944. Atë ditë filloi lufta për çlirimin e Francës nga pushtuesit nazistë, e cila përfshiu edhe pjesën tjetër të Evropës Perëndimore.

“Paqja bazohet në respektimin e çdo njeriu”

         “Shpresoj - shkruan Papa – që ky përkujtim t’u japë mundësinë gjithë brezave, në Europë dhe në botë, të ripohojnë me forcë se “paqja bazohet në respektimin e çdo njeriu, pavarësisht nga historia e tij, në respektimin e së drejtës dhe të së mirës së përbashkët, të krijimit që na është besuar dhe të pasurisë morale transmetuar nga brezat e kaluar”.

Papa ia beson ushtarët e rënë në luftë, dashurisë së Zotit

         Në mesazhin e tij, Françesku nderon ushtarët, që dhanë edhe jetën në fushën e betejës: “E dimë se zbarkimi i 6 qershorit 1944 në Normandi ishte vendimtar në luftën kundër barbarive naziste dhe hapi rrugën për t’i dhënë fund këtij konflikti, që e plagosi thellë Evropën dhe botën. Prandaj, kujtoj me mirënjohje gjithë ushtarët që, nga vende të ndryshme, përfshirë Francën, patën guximin të angazhoheshin dhe të jepnin jetën për lirinë dhe paqen. Ata dhe miliona viktimat e kësaj lufte, pa harruar edhe ata gjermanë, që luftuan vetëm për t’iu bindur një regjimi të nxitur nga ideologji vrastare, ia besoj dashurisë pafundësisht të mëshirshme të Zotit”.

06 qershor 2019, 14:21