Cerca

Vatican News
Misionarë dixhitalë Misionarë dixhitalë  (AFP or licensors)

Papa Misionarëve dixhitalë: mos kini frikë nga dhembshuria

Me rastin e Ditës “iMission”, që u zhvillua dje në Madrid për formimin falas të misionarëve dixhitalë të gjuhës spanjolle, Papa regjistroi një videomesazh të shkurtër, që u përhap përmes faqes së tij Twitter nga organizatorët e ngjarjes, duke i ftuar “të rrezikojnë” në ungjillëzim, përmes dhembshurisë.

R. SH. - Vatikan

Ungjillëzimi në kontinentin dixhital: kjo, zemra e “iMision”, shoqatë pa qëllim fitimi, në të cilën marrin pjesë  njerëz e institucione katolike, që punojnë mbi këtë temë që nga vitit 2012, me objektivin të krijojnë një rrjet misionarësh, të angazhuar në internet e t’i formojnë sistematikisht.

Dje, pikërisht në Madrid, u kremtua Dita për formimin falas të misionarëve dixhitalë të gjuhës spanjolle, në të cilën mori pjesë, me një përshëndetje dërguar përmes videomesazhit në faqen Twitter, edhe Papa Françesku. Pjesëmarrja e Papës ishte kryesisht inkurajim për misionarët, që do të çojnë në internet një fjalë sa të lashtë, aq edhe të re: atë të Ungjillit!

Afërsia, themel i kumtimit

“Përpara!” - u tha e u përsëriti të pranishmëve Papa, në videomesazhin  kushtuar mënyrave të komunikimit:

“Problemi që kemi sot nuk ka të bëjë aq me atë që thua, a atë që nuk e thua; rëndësi ka ‘si e thua’. Ka fjalë që mund të thuhen - shpjegon Françesku - brenda një laboratori ‘krejtësisht asketik e të kotë’, e edhe fjalë të thëna ‘nga larg’, jo fort tingëlluese, por që mbase e ‘ngjallin ndonjë frymëzim’”.

Ajo që ka rëndësi, është ta thuash ç’ke për të thënë me afërsi:

“E kur je në gjendje t’i thuash gjërat me afërsi, shprehet dashuria, dhembshuria. Dhembshuria e një ledhatimi, e një shikimi të qetë e të thjeshtë.  Dhembshuria e një fjale inkurajimi, dhembshuria e shoqërimit të atij, që mbeti pas. Mos kini frikë nga dhembshuria! Dhembshuria fisnikëron, dhembshuria është gjuha  e Zotit!”.

Me dhembshuri do të ndërtoni ardhmërinë

Kështu - kujtoi Papa – i paraqitet “Ati” “popullit të Izraelit”, si “atë, që mban në krahë fëmijën e vet”. Paraqitet plot me dhembshuri.

E më pas, thirrja e Françeskut:

“Mos kini frikë nga dhembshuria, ecni përpara! Angazhohuni me zemër, atëhere po, do të arrini të thoni gjëra të vërteta, jo gjëra asketike, jo fjalë deklarative, jo fjalë kompromisi, por fjalë që ndërtojnë të ardhmen”.

Papa e mbyll videomesazhin, duke i bekuar misionarët e duke ua besuar të rinjtë dixhitalë, Zemrës së madhe të Marisë!

14 qershor 2019, 14:27