Kërko

 Papa Françesku takohet me  Fra’ Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto  Papa Françesku takohet me Fra’ Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto  

Papa me Urdhërin e Maltës: vëmendje e madhe për krizën e refugjatëve

Papa Françesku takohet me Mësuesin e Madh të Urdhërit Sovran të Maltës, Fra’Giacomo Dalla Torre

R. SH. - Vatikan

Mësuesi i Madh i Urdhërit Sovran të Maltës, Fra’ Giacomo dalla Torre del Tempio di Sanguinetto, u prit sot paradite në audiencë, në Vatikan, nga Papa Françesku. Takimi - shpjegohet në një notë - ishte rast për të  biseduar mbi veprimtaritë kryesore mjekësore e shoqërore, si dhe mbi  angazhimet më të rëndësishme në fushën diplomatike, të institucionit më të lashtë katolik, të pranishëm në 120 vende të botës, edhe ndër shqiptarë.

Veprimtaritë për t’i ndihmuar të shpërngulurit të cilët, për shkak të luftërave, thatësirës, varfërisë, këtë vit kanë arritur në 70 milionë njerëz në botë, programet e asistencës, që realizohen nga klinikat lëvizëse, në gjendje për të arritur në zonat më armiqësore e më të humbura, veprimtaritë e shumëllojshme për të ndihmuar të moshuarit, të gjymtuarit, të pastrehët e pakicat, si Romët  në Evropë Lindore e Yazidët në Irak, ishin disa nga shembujt që solli Mësuesi i Madh, në bisedën e sotme me Atin e Shenjtë, duke dëshmuar kështu, angazhimin e vazhdueshëm, në favor të njerëzve më të ligshtë.

Papa Françesku i dëgjoi me vëmendje fjalët e Fra’Giacomo-s, duke e nxitur, në vijim, Urdhërin, të vijojë udhën e gjatë të mëshirës e të angazhimit për të fundmit, të përjashtuarit, të shtypurit, e duke kujtuar, në mënyrë të posaçme, krizën në Venezuelë dhe ndihmat për refugjatët e popullsinë vendase të Kolumbisë. Në qendër të vëmendjes gjatë bisedimeve, ishte edhe veprimtaria e Urdhërit të Maltës në Lindjen e Mesme, posaçërisht në zonat kufitare me Sirinë.

Gjatë audiencës, Mësuesi i Madh kujtoi edhe angazhimin e Urdhërit të Maltës, në kuadrin e diplomacisë ndërkombëtare, përmes pjesëmarrjes në proceset e nisura nga Kombet e Bashkuara, që çuan në hartimin e Migration Compact, nënshkruar në dhjetorin e kaluar, gjatë takimit të rangut të lartë në Marok, si dhe arritjet në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Gjatë takimit, u fol edhe për procesin e reformimit të Kartës Kushtetuese të Urdhërit të Maltës, nisur në vitin 2007, me qëllim që struktura t’u përshtatet kërkesave të sotme, përmes zgjerimit të pranisë dhe të veprimtarisë së Urdhërit në Botë.

28 qershor 2019, 14:37