Papa karizmatikëve: "Të bashkuar në Shpirtin Shenjt, për të mirën e Kishës".
R. SH. - Vatikan
“Sot nis një etapë e re e kësaj udhe! Etapa e bashkimit të të gjithë anëtarëve të familjes karizmatike. Në të shfaqet prania e fuqishme e Shpirtit Shenjt, për të mirën e mbarë Kishës, në të cilën kjo Prani i bën të gjithë të barabartë, sepse të gjithë e secili kanë lindur nga i njëjti Shpirt; të mëdhenj e të vegjël, të pasur me vite e të posalindur, të angazhuar në nivel universal e në nivel lokal. Formojnë tërësinë, që qëndron gjithnjë më lart se pjesa”.
Me këto fjalë iu drejtua Françesku rreth 6 mijë të pranishëmve të Përtëritjes Karizmatike, duke i pritur në Sallën Pali VI, për audiencën kushtuar këtij realiteti të ri i cili, që sot, nis punën si shërbim unik, ku shkrihen dy realitetet: Vëllazëria Katolike e Bashkësive Karizmatike të Besëlidhjes dhe Shërbimi Ndërkombëtar Katolik për Risimin Karizmatik.
Për dy ditë me radhë, më se 550 Drejtues të Përtëritjes, ardhur nga mbarë bota, u takuan në Vatikan për t’u lutur së bashku e për t’u vënë në dëgjim të Shpirtit Shenjt, në pritje të kësaj ngjarjeje zyrtare. Sot paradite, në përfundim të punimeve, foli edhe atë Raniero Cantalamessa ofm, Asistent Kishtar i Charis, i cili u përqendrua tek tema: “Një Rrymë Hiri për Kishën mbarë”.
Charis, shërbimi i ri e i vetëm i bashkimit
Charis është etapë e re, me karakteristika të posaçme, që shprehin mënyrën e veprimit të Zotit. Atij “që i bën të reja të gjitha sendet”, përballë të cilit nuk duhet të trembemi, sepse - nënvizoi Papa:
“Në fillim ndjehet një farë pasigurie përballë ndryshimeve, që mund të sjellë e reja; shpesh të duket më mirë të rrish në punë tënde, i shkëputur nga uniteti. E ky është tundim i djallit; sa herë që ndokush ndjen se 'imi', është më i mirë se ai i tjetrit, e 'mua më pëlqen e vjetra e jo e reja', aty është vetë djalli, sepse më shkëput nga uniteti. Është njerëzore një farë frike - kjo po, është e vërtetë - por jo në rastin e njerëzve shpirtëror: ‘Unë i bëj të reja të gjitha gjërat’ - thotë Zoti në Librin e Zbulesës (21,5). Po, Zoti ynë është Zot i risive. E risitë e Zotit janë gjithnjë bekim, sepse dalin nga zemra e Tij, e mbushur përplot me dashuri”.
Papa fton, pra, për të mos pasur frikë, por për t’u vënë në shërbim: “Shërbim, jo qeverisje! E shërbim nuk do të thotë të mbushësh xhepat. Do të thotë të japësh, të jepesh”.
Shërbimi Charis - kujtoi akoma Françesku - është unik, sepse u drejtohet të gjitha realiteteve karizmatike, që ngjall Shpirti Shenjt në botë. Më pas, citimi i Izaisë, për të shpjeguar kuptimin dhe rëndësinë e Bashkimit:
“Zgjeroje vendin e tendës sate, siç thotë Izaia (krh v.2), që të mund të mblidhen nën të të gjithë anëtarët e së njëjtës familje. Një familje, që ka vetëm një Zot Atë, vetëm një Zot Jezu Krisht e një Shpirt të vetëm gjallërues. Një familje, në të cilën njëri anëtar nuk është më i rëndësishëm se tjetri, as për arsye të moshës, as të inteligjencës, as të aftësisë, sepse janë të gjithë bij të dashur nga i njëjti Atë”.
Mendimi i Françeskut shkoi edhe tek të rinjtë “e sotmja dhe e ardhmja e Kishës”, të aftë për ta parë me sy tjetër të ardhmen me ju - u kujtoi të pranishëmve.
Shikojini si duhen!
Gati si një mandat, që të kujton bashkësitë e para të kishtera, Papa i dorëzoi Charis dhe gjithë Përtëritjes Karizmatike, shpresat e tij dhe të mbarë Kishës:
“Pagëzimin në Shpirtin Shenjt, unitetin e Korpit të Krishtit e shërbimin ndaj të varfërve, për të cilin jemi të thirrur të gjithë përmes Pagëzimit tonë! Ungjillëzimin, që nuk është prozelitizëm, por kryesisht dëshmi. Dëshmi dashurie: ‘Shikoni si duhen!’, e ishtë kjo, që tërhiqte vëmendjen e atyre, të cilët takoheshin me të krishterët e parë. Në shumë bashkësi mund të thuhet: ‘Shikoni si përgojohen!’. E kjo nuk vjen nga Shpirti Shenjt! Të ungjillëzosh e të duhesh. ‘Shikoni si duhen!’. Kjo është bashkësia!”.
Një minut për Paqen
Para Bekimit, Papa kërkoi një minut heshtje për paqen, çast në të cilin heshtja u shtri, më pas, përmbi mbarë botën, me rastin e një takimi historik:
“Unë me ju po i paraprij aktit, që bëhet sot në mbarë Kishën: një minut heshtje për paqen. Sot, në pesëvjetorin e takimit me Presidentin e Shtetit Palestinez e atij Izraelit, për t’u lutur së bashku, në Vatikan”.