Kërko

Takimi me nuncët apostolikë Takimi me nuncët apostolikë 

Françesku, nuncëve: mbrojeni Kishën, mos u bashkoni me ndonjë blog a grup kundër Papës

Papa Françesku priti sot në audiencë nuncët apostolikë, pra, ambasadorët e Vatikanit nëpër botë, që këto ditë, janë mbledhur në Romë. Foli me ta privatisht, por u dorëzoi fjalimin e përgatitur, ku spikatin këshillat për misionin e tyre.

R.SH. - Vatikan

Një busull për t’u orientuar në mision. Fjalimi i Papës Françesku, të cilin Ati i Shenjtë ua dorëzoi përfaqësuesve të vet nëpër botë, gjatë audiencës me ta në Sallën Klementine në Vatikan, është një lloj dekalogu për punën e tyre. Nuncët apostolikë, pra, ambasadorët e Vatikanit në shtetet me të cilat ka marrëdhënie diplomatike Selia e Shenjtë, marrin pjesë në një takim, që vijon deri të shtunën. Mbledhja bëhet çdo tri vjet.

Nunci duhet të jetë njeri i Zotit

Nunci, kujton Papa në tekstin e dorëzuar, duhet të jetë “njeri i Zotit”, përfaqësues i Kishës dhe i Papës, mision ky, “i papajtueshëm” me kritikat kundër Atit të Shenjtë, duke marrë pjesë në ndonjë blog, ose duke u bashkuar me ndonjë grup kundër Papës dhe Kishës. Nunci duhet ta mbrojë Kishën nga forcat e së keqes, që përpiqen të shpifin për të. Ai është i thirrur të mos mashtrohet nga antivlerat e kësaj bote, të ketë kujdes nga mania e madhështisë e nga joshja e dhuratave që ia japin për interes, të ketë zell apostolik pa rënë në kurthin e qëndrimeve “politikisht korrekte”, të jetë njeri i pajtimit, i takimit me njerëzit e, të mos mbyllet në nunciaturë. Misioni i tij shndritet vetëm nga takimi me Krishtin, prandaj, Papa i këshillon përfaqësuesit e vet të luten, të jenë të përvuajtur e jo funksionarë të thjeshtë, të kumtojmë Lajmin e Mirë të Ungjillit.

Nuk mund të kritikohet Papa pas shpine

         Papa Françesku, me gjuhën e tij pa doreza, flet qartë: “Nunci është njeri i Papës – shkruan Ati i Shenjtë, në fjalimin e dorëzuar, për të folur, më pas, privatisht me 103 të pranishmit në audiencë. – Si përfaqësues papnor, nuk përfaqëson vetveten, por Pasardhësin e Pjetrit dhe, vepron për llogari të tij pranë Kishës dhe qeverive të ndryshme, pra, konkretizon, zbaton dhe simbolizon praninë e Papës ndërmjet besimtarëve dhe popullsive. Është bukur kur në disa vende, nunciatura quhet ‘Shtëpia e Papës’”.

Nunci është ambasador i Papës

         Nunci, paralajmëron Ati i Shenjtë, nuk mund të jetë hipokrit: “Sigurisht, kushdo mund të ketë rezervat e veta, simpati e antipati, por një ambasador i mirë nuk mund të jetë hipokrit, sepse përfaqësuesi është ndërmjetësues, ose më mirë, është urë lidhjeje ndërmjet Vikarit të Krishtit dhe njerëzve, tek të cilët është nisur, në një zonë të caktuar, si i emëruar dhe i dërguar nga Papa i Romës. Prandaj, - nënvizon Françesku në fjalim – misioni juaj është shumë impenjativ, sepse kërkon gatishmëri dhe fleksibilitet, përvujtëri, profesionalitet të padiskutueshëm, aftësi për komunikim e për bisedime; kërkon gjithashtu, zhvendosje të vazhdueshme me makinë e udhëtime të gjata, pra, një jetë me valixhen gjithnjë gati”.

Kujdes, marrëdhëniet ndërpersonale

         Themelore, marrëdhëniet ndërpersonale, vijon më tej Bergoglio: “Duke qenë i dërguari i Papës dhe i Kishës, nunci duhet të jetë i predispozuar për marrëdhënie njerëzore, të priret natyrshëm kah marrëdhëniet ndërpersonale, pra, të jetë afër besimtarëve, meshtarëve, ipeshkvijve vendas e, edhe diplomatëve të tjerë e qeveritarëve”.

Përfaqësuesit papnorë të jenë njerëz të vërtetë të Kishës

         “Të jesh njeri i Kishës – e përfundon fjalimin e tij Papa – kërkon edhe përvujtërinë e përfaqësimit të fytyrës, të mësimeve e të qëndrimeve të Kishës, prandaj, bindjet personale duhen lënë mënjanë. Të jesh njeri i Kishës do të thotë ta mbrosh me guxim Kishën para forcave të së keqes, që përpiqen gjithnjë ta diskreditojnë, ose të shpifin për të”.

         Në fillim të audiencës, Papa kujtoi në lutje, imzot Léon Kalenga Badikebele, nunc apostolik në Argjentinë, që ndërroi jetë dje. Fjalimi i fuqishëm dhe pa doreza i Papës për përfaqësuesit papnorë përfundoi me “Litanitë e përvujtërisë” të Shërbëtorit të Zotit, kardinalit Rafael Merry del Val, Sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe bashkëpunëtor i Shën Piut X, papë. Lutje, të cilën e mbylli me këshillën për t’i kërkuar Krishtit që ambasadorët e Selisë së Shenjtë të çlirohen nga dëshira për t’u nderuar e dashur nga të gjithë e, edhe nga frika se mos i përqeshin apo i fyejnë. Lutje, që përmbledh krejt rrugën e krishterë të përvujtërisë dhe të dashurisë.

Photogallery

Takimi i Papës Françesku me nuncët apostolikë, në Vatikan
13 qershor 2019, 13:30