Cerca

Vatican News

Papa Françesku, mbi ndryshimet klimaterike: afati shkurtohet, të kalohet nga fjalët, në fakte

Papa u takua sot, në Shtëpizën Piu IV, me pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga dikasteri për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, me krerët e Shoqërive botërore të naftës

R. SH. - Vatikan

“Breznitë e reja rrezikohen të trashëgojnë një botë të shkatërruar. Bijtë e nipërit tanë nuk duhet të paguajnë haraç, për mungesën e përgjegjësisë së brezit tonë”. Ishte një fjalim i qartë, i mprehtë, ky i Papës, drejtuar pjesëmarrësve të takimit me temë: “Tranzicioni energjitik dhe mbrojtja e shtëpisë së përbashkët”, organizuar në Vatikan, nga dikasteri për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Duke iu drejtuar, ndërmjet tjerëve, krerëve të Shoqërive botërore të naftës, Papa shprehu kënaqësinë për këtë takim të dytë në Romë: “shenjë pozitive e impenjimit të vazhdueshëm për të punuar së bashku me frymë solidariteti, e për të bërë hapa konkrete në mbrojtje të planetit tonë”.

Familja njerëzore është në rrezik

“Kriza e sotme ekologjike, posaçërisht ndryshimet klimaterike - kujtoi Papa - kërcënojnë vetë të ardhmen e familjes njerëzore”: e ky nuk është aspak teprim. Për një kohë të gjatë u injoruan analizat shkencore, duke i shikuar “me përbuzje e ironi”, parashikimet katastrofike. Papa Bergoglio  kujtoi edhe Raportin e posaçëm mbi ndikimin e ngrohjes globale prej 1,5° mbi nivelet para-industriale, të Grupit ndërqeveritar mbi ndryshimet klimaterike, që tërheq qartë vëmendjen mbi pasojat e mosarritjes së marrëveshjeve të Parisit.

Mjaft më me çkujdesje, me mungesë përgjegjësie -  ishte thirrja e Papës – i cili, në vijim, kërkoi tranzicion korrekt e transperencë lidhur me rreziqet klimaterike.

Papa Françesku kujtoi edhe se “qytetërimi kërkon energji” por edhe se “energjia nuk duhet ta shkatërrojë qytetërimin” e se “është i nevojshëm tranzicioni energjitik rrënjësor, nëse dëshirojmë ta shpëtojmë shtëpinë e tonë të përbashkët”.

“Miq të dashur! Afati shkurtohet! Reflektimet duhet të shkojnë përtej dhënies së mendimeve lidhur me atë që duhet bërë, për t’u përqendruar mbi atë, që duhet bërë. Nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e pritjes, që të tjerët të përparojnë, ose t’i japin pëparësi epërsive ekonomike afatshkurtëra. Kriza klimaterike kërkon nga ne një aksion të vendosur këtu e tani, e Kisha  është plotësisht e gatshme për të bërë pjesën e vet!”.

14 qershor 2019, 15:53