Kërko

Shpërndarja e ushqimit në Afrikë, nga ana e FAO-s Shpërndarja e ushqimit në Afrikë, nga ana e FAO-s 

Papa, FAO-s: mungesa e ushqimit është përgjegjësi e të gjithëve

Ati i Shenjtë priti në audiencë pjesëmarrësit e konferencës së 41-të të përgjithshme të FAO-s. Të pranishëm, drejtori i përgjithshëm Josè Graziano da Silva dhe pasardhësi i tij i sapozgjedhur, Qu Dongyu.

R.SH. - Vatikan

Pavarësisht nga përparimet e dekadave të fundit, objektivi i FAO-s “Uri Zero” në botë dhe lufta kundër mungesës së ushqimit dhe ujit të pijshëm, “mbeten sfida të mëdha”. Papa Françesku është i vetëdijshëm për këtë, ndërsa u flet, në Sallën Regia në Vatikan, pjesëmarrësve të konferencës së 41-të të përgjithshme të FAO-s, organizatës së Kombeve të Bashkuara, që merret me ushqimin dhe bujqësinë.

Të respektohen të drejtat themelore të vëllezërve

         Duhet ndërhyrë në shkaqet, që shkaktojnë tragjedinë e urisë në botë, shpjegon Papa. Duhet luftuar “mungesa e dhembshurisë”, “indiferenca e shumë njerëzve” dhe “vullneti i paktë shoqëror e politik për t’iu përgjigjur detyrimeve ndërkombëtare”:

“Mungesa e ushqimit dhe e ujit nuk është vetëm çështje e brendshme e vendeve më të varfra dhe më të brishta, por ka të bëjë me të gjithë, sepse të gjithë, me qëndrimin tonë, marrim pjesë në një mënyrë apo në tjetrën, duke favorizuar, ose duke u vënë fre vuajtjeve të shumë vëllezërve tanë. Të gjithë jemi të thirrur të dëgjojmë britmën e dëshpëruar të vëllezërve tanë dhe të marrim çdo masë që ata të jetojnë, duke parë se u respektohen të drejtat e tyre më themelore”.

Impenjimi i brezave të rinj

Ne duhet të zvogëlojmë humbjet udhqimore dhe të vetëdijësohemi më shumë për përgjegjësinë tonë shoqërore, vazhdon Papa. Kjo detyrë duhet realizuar përmes investimeve afatshkurtra dhe afatgjata, në mënyrë që “brezat e rinj t’ua kalojnë stafetën brezave të ardhshëm, me vetëdijen se kjo dramë shoqërore nuk mund të tolerohet më”.

Lidhja ndërmjet urisë dhe emigracionit

Pastaj, thekson Papa Françesku, ka një lidhje të qartë ndërmjet paqëndrueshmërisë së mjedisit, pasigurisë ushqimore dhe flukseve të emigracionit:

“Rritja e numrit të refugjatëve në botë, gjatë viteve të fundit, dëshmon se problemi i një vendi është problem i gjithë familjes njerëzore. Prandaj, duhet nxitur zhvillimi bujqësor në rajonet më të brishta, duke përforcuar përshtatjen dhe qëndrueshmërinë e territorit. Nga njëra anë, kjo do të arrihet vetëm duke investuar dhe duke zhvilluar teknologjinë dhe, nga ana tjetër, duke menduar politika të reja për një zhvillim solidar”.

Roli i Fao-s dhe i organizatave ndërkombëtare

Në këtë kuptim, roli i FAO-s dhe i organizatave ndërkombëtare është i rëndësishëm, sepse janë “aktorë të përshtatshëm për të koordinuar masa të menjëhershme dhe të vendosura, që u sigurojnë të gjithëve, veçanërisht më të varfërve, mjetet më themelore”. Duke kujtuar nevojën për t’i përkrahur këto organizma shumëpalëshe, Papa Françesku nënvizon së fundi, angazhimin e Selisë së Shenjtë për të bashkëpunuar me FAO-n, “duke mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të zhdukur urinë në botë dhe për të garantuar një të ardhme më të mirë për planetin dhe për gjithë njerëzimin”.

27 qershor 2019, 14:36