Kërko

Papa: Eukaristia, ilaç kundër indiferencës, arrogancës, lakmisë së pangopur për fitime

Me rastin e Solemnitetit të Corpus Domini, Papa kremtoi Meshën në tremen e kishës së Shën Marisë Ngushëlluese, në Casal Bertone. Eukaristia na transmeton mendësinë e Zotit, është ilaç kundër hidhërimit, arrogancës e indifrencës - theksoi.

R. SH. - Vatikan

Për herë të dytë Papa zgjodhi një periferi, për të kremtuar solemnitetin e Corpus Domini me Meshën dhe pjesëmarrjen në procesionin me të Shenjtnueshmin Sakrament nëpër rrugët e lagjes. Vitin e kaluar ishte në famullinë e Shën Monikës, në Ostia; sivjet, në kishën e Shën Marisë Ngushëlluese, në Casal Bertone, në rrethinat  Lindore të Romës. Ishte një kremtim, që u shndërrua në simbol të pranisë së Zotit për të gjithë: për fëmijët e pleqtë në radhë të parë, por edhe për ata, që e ndiqnin në të dyja anët e rrugës, në ekranet e mëdha ose nga balkonet e shtëpive. Nuk ishte vetëm prania e Françeskut, Papa i katërt që gjatë 75 vjetëve shkelte në këtë vend, të lidhur me historinë e bombardimeve mbi Kryeqytetin, gjatë Luftës II Botërore, por kryesisht prania e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit; ishte dashuria për Eukaristinë, që ndjehej fuqimisht në qytetin, shpesh të plagosur nga degradimi e braktisja.

Të mësojmë për të bekuar

Shkollë bekimi, mjet i aftë për të transmetuar mendësinë e Zotit. Kështu e quajti Papa Korpin e Krishtit, “këtë Bukë, në të cilën përmbyllet e gjithë Kisha”. Por Eukaristia, për Bergoglion, është edhe ilaç kundër së keqes, përbuzjes, arrogancës, indiferencës, kundër çdo shprehjeje “më vjen keq, po  kjo punë nuk më përket mua”.  Gjatë homelisë, Papa u përqendrua mbi dy folje, që përsëriteshin në liturgjinë djeshme: them e jap. Melkisedeku, në Leximin e Parë - shpjegoi Françesku - e bekon Abrahamin, përmes të cilit do të bekohen të gjitha familjet e tokës. Në Ungjill, Jezusi, para se të shumëzonte pesë bukët, i bekon, duke i shndërruar në ushqim për turmën. Edhe ne bëhemi të bekuar në ditën e Pagëzimit tonë, në fund të çdo Meshe e sa herë që dëgjojmë fjalë të mira. Sepse të bekosh - pohoi Papa - do të thotë ta shndërrosh fjalën në dhuratë. “Jo fjalë të bukura, por fjalë të thëna mirë, me dashuri”.

Larg nga arroganca

Prej këtu, ftesa e Françeskut drejtuar barinjve e meshtarëve, për ta bekuar gjithnjë popullin e Zotit, që u është besuar.

Populli i Zotit - vijoi Françesku - e do lavdërimin, nuk i pëlqen të jetojë me ankime; është bërë për bekim, jo për vajtim, prandaj duhet të mësohemi të bekojmë gjithçka kemi, të sotmen e të kaluarën, jo t’i mallkojmë! Të dhurojmë gjithnjë fjalë të mira, nga të cilat burojnë ujëvara mirësie.

Ekonomia e Ungjillit: të japësh, sadopak

Folja “them”, ndiqet më pas nga folja “jap”- kujtoi Françesku - e kjo është në bazë të ekonomisë së Ungjillit. Buka e shumëzuar nga Jezusi për t’u shuar urinë turmave, nuk është vetëm prodhim konsumi, por mjet për ndarjen e përbashkët e mrekullia që bën Krishti, nuk është aspak magji! Është besim në Zotin, në Provaninë hyjnore:

“Në botë bëhen përpjekje të vazhdueshme për t’i shumëzuar fitimet… Po po cili është qëllimi? Është të japësh, apo të kesh? Të ndash, apo të grumbullosh? Ekonomia e Ungjillit shumëzon, duke ndarë bashkërisht; ushqen, duke shpërndarë. Nuk kënaq pangopësinë e pakicës, por i jep jetë botës. Jo të kesh, por të japësh është folja e Jezusit!”.

Eukaristia, ilaç kundër indiferencës

Ja, pra, pse Jezusi i urdhëron dishepujt e tij: “jepuni ju vetë të hanë”. Sepse në logjikën e krishterë, ajo pak a shumë që kemi, sjell fryt vetëm kur dhurohet:

“Zoti bën punë të mëdha me pakicën tonë, si me pesë bukët. Ai nuk kryen mrekulli me veprime spektakolare, por me gjëra të përvuajtura, duke e thyer bukën me duart e veta, duke e shpëndarë vetë. Gjithëpushteti i Zotit është i përvuajtur, i gatuar vetëm me dashuri. E dashuria bën punë të mëdha me me gjëra të vogla. Këtë na mëson Eukaristia: aty është Zoti i përmbyllur në një copëz buke. Bukë e thyer dhe e ndarë. Eukaristia, që marrim, na përçon mendësinë e Zotit. E na nxit t’ia japim vetveten tjetrit. Është ilaç kundër shprehjeve ‘nuk më përket mua’, kundër ‘nuk kam kohë’, ‘nuk mundem’: ‘nuk është puna ime’, ‘kundër prirjes për të kthyer kokën mënjanë’”

Në përfundim, procesioni

Në përfundim të Meshës, procesioni i gjatë eukaristik, i kryesuar nga kardinali mëkëmbës, Angelo de Donatis, me psalme e këngë, deri në fushën sportive “Roma 6”, ku të Shenjtnueshmin e prisnin, në lutje, disa qindra besimtarë të tjerë. Prej këtu Papa u dha bekimin besimtarëve, duke lartuar hostensorin!

24 qershor 2019, 13:10