Kërko

Mesha e Papës në Camerino. “Kush është pranë Zotit, nuk rrëzohet, shkon përpara”.

Me Zotin, barra e jetës nuk mbetet vetëm mbi shpatullat tona: Ai na jep forcë për të rifilluar, për të riprovuar, për të rindërtuar. Në qendër të homelisë së Papës, mbajtur gjatë Meshës në Sheshin Cavour të Camerinos, lutja drejtuar Zotit të shpresës, Zotit të afërm, por edhe ftesa, drejtuar të gjithëve, për t’u bërë “mjeshtra të së mirës e ngushëllues zemrash”.

R. SH. - Vatikan

Sot, e Diela a parë pas Rrëshajëve, kremtohet festa e së Shenjtnueshmes Trini, përmbushje e misterit të Shëlbimit, realizuar nga Ati, përmes Birit, në Shpirtin Shenjt. E Papa Françesku deshi, në këtë ditë solemne, të jetë pranë njerëzve të dëmtuar nga tërmeti e të lutet për ta. Jo nga larg, por fare pranë kësaj bashkësie, që “e priti me gëzim të papërshkrueshëm e me dashuri të pamasë” - siç pohon kryeipeshkvi Francesco Massara që, në përshëndetjen drejtuar Papës, i paraqiti një popullsi “të mbetur në mes të katër rrugëve” për shkak të tërmetit të 2016-tës, plot me plagë të hapura nga dhimbja, por të gatshme për të rikrijuar gjithçka mund të rikrijohet". Kësaj popullsie, Papa i foli për shpresë e afërsi. E ftoi të mos e lëshojë zemra, duke i kujtuar dhuratën e Zotit, gjithnjë pranë, e të Shpirtit Shenjt, ngushëllues e çlirues.

Mesha, pas një sërë vizitash të Papës në territor, u kremtua në Sheshin Cavour, ndërmjet katedrales e pallatit dukal, me shenja të dukshme plagësh, shkaktuar nga lëkundjet e frikshme.

Jemi të vegjël e të pafuqishëm, por të çmuar për Zotin

Në homelinë e Papës, dhimbja e thellë e kësaj popullsie, së cilës i përsëriti Psalmin e 8-të të Liturgjisë së sotme: “E kush është njeriu, që Ti ta kujtosh!”. Nëse çka lartohet, mund edhe të shembet e shpresa, të përfundojë në pluhur, njeriu kush është? Kësaj pasigurie, përjashta e përbrenda nesh, i përgjigjet siguria, që gurron nga Zoti: “Ai rikujtohet për ne. Nuk na harron kurrë!”.

Rikujtohet! Domethënë rikthehet mes nesh, sepse na ka në zemër. E ndërsa këtu poshtë shumë sende harrohen tepër shpejt, Zoti nuk na flak në skutat e harresës. Asnjëri nuk është i pavlerë para syve të Tij. Secili ka vlerën e vet të pakufishme: jemi të vegjël nën qiell e të pafuqishëm kur toka na lëkundet nën këmbë, por për Zotin jemi më të çmuar se çdo gjë tjetër!

Shpirti Shenjt i lyen me vajin e shpresës, plagët tona

E pikërisht kujtimi ishte fjala e parë kyçe, që u drejtoi Papa besimtarëve të Camerinos. Kujtimi se je “bir i vetëm e i pazëvendësueshëm” - shpjegoi – na jep forcë të mos dorëzohemi, të mos trishtohemi e të mos ravgojmë në këtë të keqe, që na ra mbi kokë e duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Kujtimet negative - shtoi Papa - na grumbullohen edhe kur ne vetë rrimë e i mendojmë. Duke u mbyllur, kështu, në burgun e mendimeve të zeza, prej të cilave mund të na çlirojë vetëm Zoti, duke na mbushur përplot me Shpirtin Shenjt:

“Për Të kemi nevojë, sepse është ngushëllues; sepse nuk të lë kurrë vetëm, të shtypur nën peshën e padurueshme të jetës. Është ai, që e shndërron kujtesën tonë skllave, në kujtesë të lirë; plagët e së kaluarës na i shndërron në kujtime shëlbimi. Bën në ne, çka bëri për Jezusin: plagët e Tij këto varrë të tmerrshme, hapur nga e keqja, përmes pushtetit të Shpirtit Shenjt, u bënë kanale mëshire, plagë të ndritshme, në të cilat shkëlqen dashuria e Zotit, një dashuri që të ngre në këmbë, të bën të rilindesh. Këtë bën Shpirti Shenjt, kur e ftojmë të zbresë mbi plagët tona. Ai i lyen kujtimet hidhura me balsamin e shpresës, sepse Shpirti Shenjt është rindërtues i shpresës”.

Shpirti Shenjt na bën të ngrihemi fluturim

Fjala e dytë kyçe, që Papa i drejtoi popullsisë së Camerinos, ishte pikërisht shpresa. Kur jemi  të mjeruar a të plagosur - kujtoi Françesku - na pëlqen të mbyllemi në strofkën e shpirtit tonë të trishtuar. Eshtë Shpirti Shenjt ai, që na bën të ngrihemi fluturim, duke na hapur udhën e fatit të mrekullueshëm, për të cilin u lindëm, duke na ushqyer me shpresë, një shpresë të gjallë, jo kalimtare a të përkohshme, si ajo që gatuhet me shpresa tokësore e që, prandaj, nuk duron gjatë:

“Shpresa e Shpirtit Shenjt lind në thellësi të shpirtit tonë. Na jep besim. Na kujton se nuk jemi vetëm. Na lë në shpirt paqe e gëzim, pavarësisht nga ngjarjet, që ndodhin jashtë nesh. Eshtë shpresë me rrënjë të fuqishme. S’ka tërmet që mund ta shembë”.

Trinia: mister i afërsisë së Zotit

Ta ftojmë, prandaj, Shpirtin Shenjt të zbresë ndër ne e ta kemi gjithnjë pranë”. Afërsi ishte fjala e tretë kyçe, që ua drejtoi Papa markixhanëve, gjatë lutjes, të cilën e shqiptoi lirisht, jashtë tekstit zyrtar:

“Eja, o Shpirt Ngushëllues! Eja e na jep pakëz dritë, jepi kuptim gjithë kësaj tragjedie, na jep shpresën, që nuk zhgënjen. Eja, o Shpirti Shenjt!”.

Festa e sotme Trinisë - nënvizoi Françesku - është pikërisht misteri i ndritshëm i afërsisë së Zotit, nuk është enigmë. Na thotë se Zoti është Ati, i cili na dha të Birin e se, për të qenë edhe më pranë, për të na ndihmuar ta mbartin barrën e jetës, na dërgon Shpirtin e vet.

Shpirti Shenjt, që e kujtojmë sa herë bëjmë shenjën e Kryqit, pikërisht kur prekim shpatullat, vjen të na japë forcë, të na inkurajojë, të na ndihmojë për ta mbartur peshën e rëndë të jetës:

“Sepse Ai është specialist për të ringjallur, për të ringritur në këmbë, për të mbartur pesha të rënda! Duhet më shumë forcë për të riparuar, se për të rindërtuar; për të rifilluar, se për të filluar; për t’u pajtuar, se për të shkuar mirë. Kjo është forca, që na e jep Zoti. Prandaj kush i afrohet Zotit, nuk  rrëzohet, shkon përpara: rifillon, riprovon, rindërton. Edhe vuan, por ia del mbanë të rifillojë, të riprovojë, të rindërtojë”.

Kujto, riparo, rindërto!

Duke iu drejtuar besimtarëve, Papa i lartoi lutjen “Zotit, që të kujtohet për ne, Zotit të shpresës, “Zotit, që e kemi gjithnjë pranë”, që nuk e harron njeriun në çaste të vështira!

Kanë kaluar tre vjet e vendi rrezikohet që, pas zulmës së parë të mjeteve të komunikimit, mbi rrënojat e tërmetit të bjerë heshtja e harresa e trojet të vijojnë të shpopullohen, të shkretohen. Po Zoti - nënvizoi Papa -  na nxit të kujtojmë, të riparojmë, të rindërtojmë. E ta bëjmë së bashku, pa e harruar kurrë atë, që vuan!

16 qershor 2019, 13:56