Kërko

LEV në Sallonin e Librit në Torino LEV në Sallonin e Librit në Torino 

“Kundrim dhe shërbim”, vëllimi i ri me homelitë e Papës në Shtëpinë e Shën Martës

Shtëpia Botuese e Vatikanit propozon vëllimin e ri të homelive, që Papa Françesku ka mbajtur gjatë meshëve të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, duke filluar nga 3 shtatori 2018 deri më 28 shkurt 2019.

R.SH. - Vatikan

Doli dje në librari vëllimi i ri i homelive të Papës Françesku gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, që nga 3 shtatori 2018 deri më 28 shkurt 2019. Ai titullohet “Kundrim dhe shërbim” e publikohet nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV) - Dikasteri për Komunikimin. Libri është pjesë e kolanës historike “Fjalët e Papës Françesku” - sot, përtërirë krejtësisht grafikisht – ku përmblidhen tekstet e fjalimeve dhe të homelive, mbajtur nga Papa që nga viti i parë i papnisë e deri më sot.

Shqyrtimi i ndërgjegjes

         Në këtë vëllim të 12-të, Ati i Shenjtë trajton aspekte të ndryshme të jetës së përditshme, me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. Në parathënien e shkruar nga sekretari i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Giacomo Morandi, shpjegohet se tema qendrore e katekizmave, që pasqyrohen në libër, është shqyrtimi i ndërgjegjes, reflektim i rëndësishëm, i cili i jep mundësinë çdo njeriu ta rishikojë hierarkinë e vlerave të jetës së vet. Papa Françesku këshillon që shqyrtimi i ndërgjegjes të jetë për çdo të krishterë një mjet ndihmës në “luftën shpirtërore”, që zhvillohet gjithnjë në një “fushë beteje”, e cila s’është tjetër, veçse “zemra e tij”.

Sakramenti i Pajtimit

         Në homelinë e 25 tetorit 2018, që citohet në parathënien e imzot Morandit, Papa flet për rëndësinë e Sakramentit të Pajtimit, duke vënë theksin mbi vetëdijen se jemi mëkatarë. Ndërgjegjësimi për këtë, sipas Françeskut, është hapi i parë për ta njohur Krishtin: “një gjë është t’i themi mëkatet, t’i njohim mëkatet e, tjetër gjë është ta pranojmë se jemi mëkatarë”, thotë gjatë homelisë.

Rëndësia e ipeshkvijve

         Për Papën, shqyrtimi i ndërgjegjes është çast i rëndësishëm jo vetëm për besimtarët, por edhe për ipeshkvijtë. Atyre, kujton imzot Morandi në parathënie, u drejtohet disa herë për të theksuar “rëndësinë vendimtare të shërbimit ipeshkvnor për jetën e Kishës”. Homelitë e këtij vëllimi janë pikënisje për reflektim dhe meditim. Nëpërmjet fjalëve të Papës Bergoglio, secili mund të përshkojë fazat e ndryshme të liturgjisë së Kishës, por sidomos të ri-zbulojë dhe ta kuptojë se ai dhe të tjerët janë gjithnjë e më shumë bij të Zotit.

19 qershor 2019, 12:58