Casal Bertone në pritje, për kremtimin e Korpit të Krishtit me Papën
R. SH. - Vatikan
Nesër, në orën 18.00, Papa Françesku do të jetë në lagjen romake Casal Bertone, për të kryesuar kremtimin eukaristik, në Solemnitetin e Korpit dhe Gjakut të Shenjtnueshëm të Jezu Krishtit, në tremen e famullisë së Zojës Ngushëlluese. Pas Meshës, do të vijojë procesioni me Të Shenjtnueshmin Sakrament në rrugët e zonës, i kryesuar nga kardinali-mëkëmbës, Angelo de Donatis.
Françesku është Papa i katërt, që shkon në famullinë e Casal Bertones. Shkel mbi gjurmët e Palit VI, Gjon Palit II e Benediktit XVI, që ishte kardinal titullar i kësaj famullie.
Të enjten e kaluar famullia ia kushtoi gjithë ditën adhurimit eukaristik: mënyra më e mirë e përgatitjes për vizitën e Papës. Vizitë, që besimtarët - kujton famullitari - po e presin me padurim e me bindjen se do të lërë gjurmë të pashlyeshme në jetën e famullisë e edhe në jetën e tyre.
Gëzim dhe emocion pra, e shumë, shumë mirënjohje - pohon akoma famullitari, don Luigi Lani, duke kujtuar, më pas, se me këtë vizitë të Françeskut, hapen edhe kremtimet me rastin e 75-vjetorit të jetës së famullisë.