Kërko

Vatican News
Pope Francis Pope Francis  (ANSA)

Papa: ta shpëtojmë botën tonë nga indiferenca dhe idhujtaria e parave

Papa pjesëmarrësve të takimit Climate Change and New Evidence from Science, Engineering, and Policy, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave: "Para së gjithash, të njohësh "librin e madh" të vetë jetës e të dinjitetit njerëzor.

R.SH. - Vatikan

"Në kohën tonë duket se fitimet dhe humbjet konsiderohen më shumë sesa jetët dhe vdekjet e njerëzve, në kohën tonë vlerës neto të një ndërmarrje (firme) u jepet përparësi në krahasim me vlerën e pafundme të njerëzimit". Papa me fjalë të drejtpërdrejta u drejtoi ftesën dhe urimin e tij të përzemërt Kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Ministrave të Financave të Kombeve të ndryshme, të cilët i takoi dje pasdite në Vatikan. Rasti audiencës ishte meeting Climate Change and New Evidence from Science, Engineering, and Policy, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave, në të cilin morën pjesë:

Ju sot jeni këtu  për të reflektuar mbi mënyrën se si ta korrigjoni këtë krizë të thellë të shkaktuar nga një konfuzion i llogarive tona morale me llogaritë tona financiare. Ju jeni këtu për të ndihmuar ndalimin e një krize që është duke  çuar botën drejt katastrofës.

Të arrihen qëllimet që janë përcaktuar

Duke iu referuar dy Marrëveshjeve të rëndësishme globale: asaj mbi Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe tjetrës mbi Klimën në COP21 në Paris, Papa rikujtoi rëndësinë dhe implikimet që rrjedhin nga arritja e objektivave të përcaktuar:

Është përgjegjësia juaj, si udhëheqës financiar të kombeve tuaja, të ndiqni dhe të nxisni veprimet që synojnë arritjen e qëllimeve që Qeveritë tuaja kanë miratuar katër vjet më parë për të mirën e njerëzimit sot dhe në të ardhmen. Kjo është një ndërmarrje themelore. Duhet të arrijmë atë për çka kemi rënë dakord, sepse mbijetesa dhe mirëqenia varen prej saj.

Të veprohet urgjentisht

Për Papën Françesku, pasojat tragjike të "mosveprimit global" mund të ndalet vetëm duke zbatuar veprimet e miratuara e duke vepruar pa humbur kohë:

Duhet të veprojmë me vendosmëri për t'i dhënë fund emetimeve të gazrave serë më së largëti deri në gjysmën e shekullit e të bëjmë edhe më shumë. Përqendrimet e dioksidit të karbonit duhet të ulen ndjeshëm në mënyrë që të garantohet siguria e shtëpisë tonë të përbashkët. Ju keni dëgjuar gjithashtu se kjo mund të arrihet me kosto të ulët duke përdorur energjinë e pastër e duke përmirësuar efikasitetin e energjisë.

Një dekalog

Me konkretizim të kthjellët, Papa propozon një punë të përbashkët të tillë që të jetë në gjendje të arrijë 5 qëllimet themelore:

- të vlerësojmë atë që është e rëndësishme, jo atë që është e tepërt;

- t’i korrigjojmë llogaritë tona kombëtare dhe llogaritë e "biznesit" tonë, në mënyrë që të mos ndjekim ato aktivitete që janë duke shkatërruar planetin tonë;

- t’i japim fund varësisë globale nga lëndët djegëse fosile;

- të hapim një kapitull të ri të energjisë së pastër dhe të sigurt, e cila për shembull përdor burimet e rinovueshme si era, dielli dhe uji;

- mbi të gjitha, të veprojmë me maturi dhe përgjegjësi në ekonomitë tona për të përmbushur me të vërtetë nevojat njerëzore, për të promovuar dinjitetin njerëzor, për t’i ndihmuar të varfrit dhe për të çliruar veten nga idhujtaria e parave që krijon aq shumë vuajtje.

28 maj 2019, 12:39