Kërko

Papa gjatë një konference shtypi në avion Papa gjatë një konference shtypi në avion 

Papa për Televisa-n: nga dhuna kundër grave tek emigracioni

Intervistë e gazetares Valentina Alazraki me Papën Françesku, transmetuar nga televizioni meksikan Televisa. Ndër temat e trajtuara nga Françesku: feminicidet, migrimet e muri i presidentit Trump ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës, Kina, trafiku i drogës dhe rastet e njohura të abuzimeve nga anëtarë të klerit. Intervista botohet e plotë në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

R.SH. - Vatikan

Nga akuzat e ish-nuncit Viganò dhe çështja McCarrick tek pyetja e vështirë mbi ipeshkvin argjentinas Zanchetta. Nga proceset gjyqësore kundër kardinajve Pell e Barbarin tek përgjigjja e Gjon Palit II dhe e Benediktit XVI në çështjen Maciel. E, më tej, tema “kuriale” si Këshilli i Kardinajve, i cili nga nëntë vetë ka arritur në gjashtë, ose ato shoqëroro-politike, si roli i grave dhe feminicidet, migrantët, integrimi i tyre dhe portet e mbyllura. Deri në ëndrrën për të shkuar në Kinë, që të vulosë kështu dialogun e hapur pas Marrëveshjes për emërimin e ipeshkvijve, në shtator 2018.

Shumë pyetje, që kanë mbetur pezull gjatë këtyre muajve të papnisë, gjejnë përgjigje në një intervistë shumë të gjatë, dhënë nga Papa Françesku për gazetaren Valentina Alazraki të televizionit meksikan Televisa. Me gazetaren e mirënjohur, - institucion i vërtetë për komunikimin vatikanas, pasi ka marrë pjesë në mbi 150 udhëtime papnore e është ftuar edhe të flasë gjatë Takimit të ipeshkvijve mbi abuzimet, në shkurt të këtij viti - Papa Bergoglio dialogon për më se një orë, duke iu përgjigjur pyetjeve, për të cilat nuk ka kohë e hapësirë, gjatë takimit me shtypin në avionet e udhëtimeve papnore.

KËTU, INTERVISTA E PLOTË, NË ITALISHT…

Problemi McCarrick dhe abuzimet

“Për McCarrick (kardinali amerikan, të cilit Papa ia hoqi veshjen e purpurtë dhe të drejtën për të qenë klerik), nuk dija asgjë, natyrisht asgjë. Përndryshe nuk do të kisha heshtur”, deklaron Françesku në intervistë, për një argument tepër të vështirë, siç është ai i abuzimeve me të miturit. Po ashtu, edhe për kardinalin australian Xhorxh Pell (i dënuar në shkallën e parë për abuzim seksual ndaj të miturve): “Kardinali Pell – thekson Papa Bergoglio - ka punuar këtu në Kurie dhe e zgjodha, sepse ma kërkuan”. Jo vetëm kaq: “Heshta për dosjen e ish-nuncit Carlo Maria Viganò, sepse, përndryshe, duhej të kisha hedhur baltë mbi dikë”, prandaj, “me një akt besimi, u thashë gazetarëve të shikojnë tekstet, t’i studiojnë dhe t’i nxjerrin vetë përfundimet”. Sigurisht, nënvizon, duke kujtuar heshtjen e Krishtit para kryqëzimit,  në ato rrethana, “të përgjigjeshe para furisë së tërbuar, nuk nxirrje gjë. Më mirë heshtja”.

Edhe në rastin e ipeshkvit kilian, Françesku, që i përgjigjet pa ngurrim pyetjeve të vështira të Valentina Alazrakit, nuk e fsheh se “informacioni që kisha, nuk përputhej me atë që pashë. E besoj se e kuptova këtë pikërisht nga pyetjet e gazetarëve, bërë me shumë edukatë, gjatë udhëtimit të kthimit nga Kili”. Sidomos, pas atij episodi, Papa Bergoglio e kuptoi se dosjet nuk i përmbanin të gjitha informacionet e nevojshme.

Natyrisht, intervista televizive nuk prek vetëm temën e pedofilisë, duke iu referuar rasteve të veçanta me emër e mbiemër, por edhe atë të përgjegjësisë për parandalimin dhe luftën kundër kësaj plage në gjirin e Kishës e të shoqërisë. E Papa përgjigjet: “Nuk mund të publikoj çdo ditë atë që bëj, por nuk kam ndenjur e nuk rri kurrë duarkryq”.

Muri i presidentit Trump dhe emigrantët

Pjesa e parë e intervistës ka të bëjë me gjendjen, që po përjeton Meksika, të cilën Papa e vizitoi në vitin 2016. Duke shfrytëzuar rastin, Papa fton të mos ndiqet “kultura e mbrojtjes së territorit përmes ngritjes së mureve. E kemi parë njërin prej tyre, atë të Berlinit”, se ku e çoi botën, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke shtuar se këtë koncept është gati ta përsërisë edhe para presidentit amerikan Trump. Pastaj, dhuna që po përgjak vendin latinoamerikan, me këshillën që politikanët meksikanë të “bëjnë marrëveshje për të mirën e vendit”, sigurisht, “jo me trafikantët e drogës”. Kjo dhunë, thekson Papa në intervistë, kompromenton të ardhmen e brezave të rinj, të cilëve Ati i Shenjtë u bën thirrje “të kultivojnë rrënjët personale”.

Pa gratë, bota nuk funksionon

Jo më pak i rëndë edhe fenomeni i vrasjes së grave, feminicidet. Vatikanistja i jep Papës disa objekte, që u përkasin tri viktimave. Për Françeskun, kjo është një antikulturë, vdekjeprurëse, që e sheh gruan akoma në plan të dytë e, nga ky plan, “në mendimin se ajo mund të jetë objekt skllavërimi” hapi është i shpejtë. Por, nënvizon Bergoglio, “bota nuk funksionon pa gratë, jo sepse bëjnë fëmijë. Vetë shtëpia nuk funksionon pa gruan. Ka një fjalë, që gati po del nga fjalori, sepse i frikëson të gjithë: dhembshuri, ëmbëlsi. Kjo është pasuria e gruas”.

Siç thamë, intervista nuk i kursen as pyetjet, ku përmenden akuzat e kritikat e drejtpërdrejta kundër Papës. “Si e keni pritur akuzën se jeni heretik?” pyet gazetarja. “E mora me gaz – përgjigjet Françesku, duke buzëqeshur. – Por edhe me butësi. Me dhembshuri atërore. Përveç kësaj, lutem për ta, sepse gabojnë e disa manipulohen”.

"Rrëfehem çdo 15 ditë"

“Shumë thonë se flisni vetëm për emigrantët dhe për kë është jashtë Kishës”, vijon gazetarja meksikane. “Emigrantët dhe refugjatët sot janë përparësi në botë - përgjigjet Papa. Është e trishtueshme kur sheh porte të mbyllura. Duhet të kemi zemër për t’i mirëpritur”. Një pyetje tjetër: diçka, që mendoni se e keni bërë keq e nuk do të donit ta përsërisni? “Le të flasim për gabimet në Kili, për shembull – pranon Papa. - Disa gabime në gjykim për disa vendime, që pastaj m’u desh t’i ndryshoj. Disa të tjera, që falë Zotit, ju nuk i dini, përndryshe do të më kishit kritikuar ashpër”, shton Ati i Shenjtë, duke qeshur dhe duke pohuar se rrëfehet çdo 15 ditë “sepse edhe unë gaboj”. Pavarësisht nga kjo, Papa siguron se “marrëdhëniet me mediat janë të mira” e, nëse ka “kritika konstruktive, mirë se të vijnë”.

Dialogu me Islamin e Kina

Ndër pyetjet, edhe dialogu me Islamin. “Është realitet, që s’mund ta injorojmë, pasi ka hyrë sërish në Evropë – pohon Papa. - Në disa vende afrikane, myslimanët dhe të krishterët jetojnë si miq”. Pastaj, pyetja për rrugën e afrimit me Kinën: “është ëndrra ime – komenton Ati i Shenjtë. - I dua shumë kinezët. Me Marrëveshjen e Përkohshme (e cila rregullon emërimin e ipeshkvijve) kemi bërë një hap të rëndësishëm”. Për një vizitë të mundshme, ende duhet të presim.

29 maj 2019, 14:02