Kërko

Ati i Shenjtë priti sot në Sallën Pali VI, në Vatikan, pjesëmarrësit në veprimtarinë me temë “Futbolli që duam” Ati i Shenjtë priti sot në Sallën Pali VI, në Vatikan, pjesëmarrësit në veprimtarinë me temë “Futbolli që duam” 

Papa, nxënësve e lojtarëve të futbollit: “bëhuni kampionë në shpirt”

Papa Françesku takoi rreth 5 mijë nxënës të Lacios e Abrucos, së bashku me shumë kampionë dhe trajnerë të futbollit, mbledhur në Sallën Pali VI, në kuadrin e veprimtarisë “Futbolli që duam”. Topi, u tha atyre, është mjet për të krijuar miqësi e për ta vënë veten në provë.

R.SH. - Vatikan

Thirrje e Papës Françesku për drejtuesit e botës së futbollit: “Ju lutem, ruajeni futbollin amator. Bukuria e lojës të mos përfundojë në ‘do ut des’(më jep-të jap) të zyrave financiare”.

Ati i Shenjtë priti sot në Sallën Pali VI, në Vatikan, pjesëmarrësit në veprimtarinë me temë “Futbolli që duam”, organizuar nga “La Gazzetta dello Sport”, Ministria italiane e Arsimit, Federata Italiane e Futbollit dhe nga skuadrat e serisë A të kampionatit italian. Të pranishëm, përveç kampionëve e drejtuesve të futbollit, edhe rreth 5 mijë nxënës të shkollave të Lacios e të Abrucos.

Pas një topi që rrotullohet, janë ëndrrat e një fëmije

Ati i Shenjtë filloi të flasë me fëmijët dhe kampionët me buzë në gaz, duke kujtuar brohoritjet, që shoqëruan mbërritjen e tij në sallë. “Kur dëgjova atë ohhh… m’u duk sikur të kisha shënuar gol”, qeshi e përmendi fjalët e shën Gjon Boskos, i cili u thoshte edukatorëve: “A doni fëmijë? Hidhni në ajër një top e do të shihni sa shumë do t’ju afrohen, para se ai të prekë tokën”.

“Pas një topi, që rrotullohet, është pothuajse gjithmonë një fëmijë, me ëndrrat dhe aspiratat e tij, me trupin e shpirtin e tij. Në një veprimtari sportive nuk përfshihen vetëm muskujt, por i gjithë personaliteti i fëmijës, me të gjitha përmasat e tij, madje edhe me ato më të thella. Në fakt, për dikë që impenjohet shumë thuhet ‘po e bën me gjithë shpirt’”.

 Papa iu drejtua edhe kampionëve të mëdhenj, të pranishëm në sallën e Palit VI: “Mos harroni nga jeni nisur: nga ajo fushë periferike, ai orator, ajo skuadër e vogël... Ju uroj ta ndjeni gjithnjë mirënjohjen për historinë tuaj, për sakrificat, fitoret dhe humbjet. E ta ndjeni edhe përgjegjësinë edukative, e cila duhet vënë në jetë me koherencë jete dhe me solidaritet ndaj më të ligshtëve, që të rinjtë të inkurajohen të bëhen të mëdhenj në shpirt e, madje, edhe kampionë në jetë. Të mëdhenj në jetë: kjo është fitore”.

Futbolli është, para së gjithash, lojë

         Papa Françesku kritikoi më pas mendësinë e botës, që e ka kthyer edhe lojën e futbollit në mall për treg. U tha prindërve të futbollistëve të vegjël të mos kthehen në afaristë, që administrojnë jetën dhe fitimet e bijve të tyre, por të kujdesen që loja t’i bëjë ata të lumtur, të aftë të shprehin lirinë dhe fantazinë, të realizojnë ëndrrat e tyre. E çdo fëmijë, nënvizoi, “ka të drejtë të mos jetë kampion”.

         “Të dashur prindër, ju bëj thirrje t’ua transmetoni këtë mendësi fëmijëve: loja është pa interes, krijohen miqësi... Inkurajojini në çastet e vështira, sidomos pas ndonjë humbjeje... Dhe ndihmojini ta kuptojnë se stoli nuk është poshtërim, por rast për t’u rritur dhe mundësi për dikë tjetër. Që ta kenë gjithnjë dëshirën për të dhënë maksimumin, sepse përtej lojës, është jeta, që i pret”.

Prindërit, aleatë të trajnerëve për edukimin e fëmijëve

         Papa Françesku i ftoi prindërit të bëhen aleatë të trajnerëve, të cilëve u kërkoi të jenë pika të vërteta referimi për fëmijët e të rinjtë, që stërvisin. Gjithçka thoni e bëni, theksoi Ati i Shenjtë, lë një shenjë të pashlyeshme në jetën e tyre, për mirë a për keq. Prandaj, pikërisht trajnerëve, u tha:

         “Ju kërkoj të mos i ktheni ëndrrat e fëmijëve tuaj në iluzione të lehta, të destinuara për t’u ndeshur shpejt me kufizimet e realitetit; të mos ua shtypni jetën me forma të ndryshme shantazhi, që ua bllokojnë lirinë dhe fantazinë; të mos i nxisni drejt rrugës më të shkurtër, që i bën ta humbasin busullën në labirintin e jetës. Qofshi gjithnjë bashkëprotagonistë në buzëqeshjen e atletëve tuaj!”

24 maj 2019, 14:18