Kërko

Papa të rinjve: “Ëndërroni bashkërisht! Me të tjerët! Kurrë kundër të tjerëve!”

Takimin e parafundit, e edhe fjalën e parafundit - Papa e ruajti për të rinjtë, me të cilët u takua në qendrën baritore, në Shkup. Ishte takim ekumenik e ndërfetar, gjatë të cilit Françesku dialogoi gjatë për ëndrrat dhe aventurat e mira, duke i ftuar të rinjtë të ëndërrojnë me të tjerët, kurrë kundër të tjerëve!

R. SH. - Vatikan

Takimin e parafundit, e fjalën e parafundit - Papa e ruajti për të rinjtë maqedonas, me të cilët u takua në qendrën baritore, në Shkup. Një ndërtesë dykatëshe, pranë katedrales së qytetit. Është vendi i takimeve dhe i nismave të organizuara nga Kisha vendase. Ishte takim ekumenik e ndërfetar me vlera të mëdha edukative, kushtuar kryesisht ëndrrave dhe aventurave të mira rinore. Pyetjen e parë të këtij dialogu me të rinjtë, ia drejtoi Papës një vajzë me emrin simbolik shqiptar, Liridona që, duke i folur Atit të Shenjtë për ëndrrat e saj, e pyeti: “Thua nuk duhet të ëndërroj kaq shumë?”.

E Papa iu përgjigj:

“Ëndrrat nuk janë kurrë të tepërta. Një nga problemet kryesore sot është se shumë të rinj e kanë humbur fare aftësinë për të ëndërruar. Dinë vetëm të ankohen. E kjo të bën të marrësh rrugën e gabuar. Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë, situata shoqërore nuk të jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni, prandaj. Ëndrra të mëdha! Që i japin shpresë botës së lodhur. Të plakur para kohe! Endërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë!”.

Kjo përgjigjja e Papës, që më pas kujtoi se edhe ai, me mikun e tij, Imamin e Al-Azharit, Ahmad Al-Tayye, ka një ëndërr të madhe: ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve!

Përgjigjja e pyetjes së Bozankës, pastaj,  lidhur me dëshirën e të rinjve për aventura. I riu - gjegji Papa - nuk ka frikë ta bëjë jetën e tij një aventurë të bukur. E më e bukura aventurë - kujtoi - është t’i japësh shpresë një bote të lodhur! Sepse bota është e lodhur, e përçarë. Aventura më e bukur është  të jesh veprimtar i paqes!”.

Më pas Papa kujtoi se Maqedonia e Veriut është e përmendur për traditën e artizanëve, këpucarëve, rrobaqepësve e, sidomos, gurgdhendësve - për t’i siguruar të rinjtë se aventura më e bukur, është t’i skalitësh ëndrrat, për ta bërë jetën një vepër të vërtetë arti. Nuk duhet, prandaj, të kesh frikë se mund të gabosh. Edhe po gabove, mund të ndreqesh prapë, edhe po u rrëzove, mund të ngrihesh prapë në këmbë:

“Mendojeni Nënë Terezën - u tha Papa të rinjve,  duke u ndaluar përsëri tek shembulli i saj i jashtëzakonshëm. - Kur jetonte këtu, nuk mund as ta përfytyronte si do të ishte jeta e saj, por nuk pushoi kurrë së ëndërruari e s’u përpjekuri për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe, Jezusin, në fytyrat e të gjithë atyre, që qenë flakur në hendeqet e rrugëve. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej lapës i vogël në duart e Zotit. Ja, kjo ishte ëndrra e saj artizanale!”.

Prej këndej, thirrja e Papës:

“Secili nga ju, si Nënë Tereza, është i thirrur ta punojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën, ta bëjë diçka vërtet të bukur. Mos lejoni t’jua rrëmbejnë ëndrrat. E mos luftoni kurrë të vetëm. Bashkimi bën fuqinë, bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme”.

“Ja një sekret tejet i këndshëm për të ëndërruar e për ta bërë jetën tonë një aventurë të bukur. Askush nuk mund t’i bëjë ballë jetës i izoluar, nuk mund t’i jetojë fenë as ëndrrat, pa bashkësinë, vetëm me zemrën e vet, apo i mbyllur ndërmjet katër mureve. Të gjithë kemi nevojë për një bashkësi që të na mbështesë, të na ndihmojë për të ecur përpara krah për krah njëri-tjetrit”.

Sa gjë e bukur është të ëndërrosh së bashku. Të bashkuar. Pa mure. Ju lutem, ëndërroni bashkërisht, jo të vetëm – i porositi Françesku të rinjtë. Me të  tjerët, kurrë kundër të tjerëve! Ëndrrat bëhen zhgjëndrra vetëm kështu, së bashku!

Në përfundim të takimit, Papa i falënderoi të rinjtë për bisedat e tyre. Në dëshmitë e në pyetjet tuaja  - pohoi - gjej shqetësimet, ëndrrat, kërkimet, gjithë tokën pjellore për të bërë punë të mëdha në jetën tuaj. Më jep shumë shpresë pamja e të rinjve larg përçarjeve të së kaluarës e edhe të së tashmes, me vështrimin e ngulur larg, në horizontet e pafundme të jetës; të rinjve, që ia kushtojnë kohën shërbimit, të varfërve, mbrojtjes së jetës, të familjes, të rinjve, që nuk dorëzohen përballë korrupsionit e luftojnë për një jetë të ndershme, të drejtë, plot dritë.

Para se të përfundojmë - i ftoi të rinjtë Papa - të themi së bashku një lutje të Nënë Terezës, që të na ndihmojë t’i shndërrojmë ëndrrat në jetë:  

Të duhen duart e mia, o Zot?

(Lutje e Nënë Terezës)

Të duhen duart e mia, o Zot

për t’i ndihmuar

të sëmurë e të varfër,

që kanë aq shumë nevojë?

Merri, janë tuajat,

unë duart t’i dhuroj.

Të duhen këmbët e mia

që të më çojnë ku dikush

kërkon emrin tënd?

Dhe këmbët t’i fali, o Zot!

Të duhet zëri, që sot të flas

fjalët e tua të dashurisë?

Merre, Zot, zërin tim!


Të duhet kjo zemër,

që të duash çdo njeri?

E jotja qoftë

dhe zemra ime, o Zot!

07 maj 2019, 16:32